Vuçiç: Ta zgjidhim nyjën gordiane të Kosovës
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, shkroi të hënën se Serbia duhet të zgjidhë siç tha, nyjën “gordiane” të Kosovës në mënyrë që të ecë përpara.
Në një tekst autorial të publikuar në të përditshmen serbe “Blic”, bëri thirrje për zgjidhje të qëndrueshme e afatgjatë të çështjes së Kosovës.
“Është koha që si popull të mos e fusim kokën në rërë si struci dhe të provojmë të jemi realist, të mos i lejojmë vetes që të humbim apo t’i dorëzojmë dikujt atë që e kemi, por të mos presim që të na vijë në duar ajo që e kemi humbur kaherë”, shkroi ai, duke nënvizuar se “është me rëndësi tani, më shumë se kurrë, që të gjejmë një përgjigje së bashku. Një përgjigje që do të ishte e përhershme, që përjashton konfliktin”.
Presidenti serb ka paralajmëruar hapjen e një diskutimi gjithëkombëtar për çështjen e Kosovës.
Aleksandër Vuçiç, një ish ultra nacionalist që pohon të jetë shndërruar në një reformator pro evropian, ishte pjesë e Partisë Radikale Serbe të drejtuar nga ultra nacionalisti Vojislav Sheshel deri në vitin 2008. Gjatë luftës në Kosovë, ai kishte shërbyer si ministër për informim në qeverinë e ish presidentit serb, Sllobodan Millosheviç, i cili vdiq në vitin 2006 derisa po gjykohej për krime lufte dhe gjenocid në hapësirat e ish Jugosllavisë.
Një muaj më parë ai u inaugurua në postin e presidentit të Serbisë. Ai shkroi të hënën se Serbia do të përfitonte shumë nëse do të zgjidhte çështjen e marrëdhënieve me Kosovën.
“Të gjitha rrugët e bashkëpunimit politik dhe përparimit ekonomik do të hapeshin për Serbinë. Dyert e Bashkimit Evropian po ashtu. Në të kundërtën, do të ruanim një konflikt, domethënien e të cilit nuk e kuptojmë”, shkroi ai.
Ai tha se Serbisë i duhet një qasje serioze, e përgjegjshme, e guximshme e reale.
“Që përparimi ynë të jetë i përhershëm dhe i qëndrueshëm, nëse asgjë tjetër, të paktën duhet të përpiqemi të zgjidhim nyjën gordiane të Kosovës dhe jo të fshihemi dhe t’u lëmë barrën fëmijëve tanë. Të rrosh, domethënë të duash tokën nëpër të cilën ecin fëmijët dhe jo vetëm të lavdërohemi me fitoret e gjyshërve tanë”, tha ai.
Serbia e mbështetur nga Rusia kundërshton, pavarësinë e Kosovës të shpallur më vitin 2008, por është përfshirë në një proces bisedimesh në shkëmbim të afrimit më strukturat evropiane.
Presidenti serb është zotuar të vazhdojë rrugën evropiane por edhe të ruaj lidhjet me aleatin e saj Rusinë, një dëshirë e nacionalistëve serb që nuk pajtohen me pavarësinë e Kosovës.
Më shumë se dy vjet më parë, në maj të vitit 2015, presidenti serb, atëbotë kryeministër i Serbisë, kishte paralajmëruar një ndryshim të mundshëm të qasjes ndaj Kosovës, që është kushti themelor në përpjekjet e Beogradit për integrimin në Bashkimin Evropian.
Ai kishte thënë atëbotë të përditshmes “The Wall Street Journal”, se është “duke shqyrtuar mundësinë e ndryshimeve kushtetuese deri në fund të vitit 2017, ku do të mund të përfshihej heqja e përkufizimit të Kosovës si pjesë e Serbisë”.
Aktualisht Kosova zë vend në preambulën e kushtetutës serbe.