Kronika

Xhuvani kërkon zbutje të dënimit: I vrava pa dashje katër personat

Kostandin Xhuvani, djali i ish­deputetes së Partisë Socialiste Luiza Xhuvani, bën ankim ndaj vendimit të gjykatës, që e dënoi me 35 vjet burg për vrasjen e katër personave në Tiranë.

xhuvani_0 Xhuvani i është drejtuar Gjykatës së Apelit për të kundërshtuar vendimin e fajësisë, shpallur ndaj tij nga Shkalla e Parë më 10 mars të këtij viti. Ai u dënua me burgim të përjetshëm për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” në dëm të Edison Jahos, Enea Xhajit, Arbër Demirajt dhe Xhanpaolo Azzolo në ngjarjen e 4 nëntorit 2014, në një lokal nate te Rruga e Elbasanit. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, djali i ish­deputetes i shpëtoi burgut përjetë, pasi gjykata e zbriti ndëshkimin në 35 vjet heqje lirie. Burime zyrtare bënë me dije se ankimi i të pandehurit Xhuvani është depozituar më 16 mars, kohë kur ai ende nuk e zotëronte vendimin e arsyetuar të Shkallës së Parë. Mësohet se në ankimin e depozituar Xhuvani kërkon një masë dënimi më të butë. Ai e argumenton këtë kërkesë me faktin se të gjitha veprimet e tij janë kryer pa dashje, pa vullnet dhe pa ndërgjegje, për shkak se ka qenë nën efektin e alkoolit dhe të drogës. Përveç Xhuvanit, në Apel ka depozituar ankim edhe Prokuroria e Tiranës. Në argumentimin e vendimit të Shkallës së Parë gjykata pranoi masën e dënimit të kërkuar nga Prokuroria, por konstatoi si të pamotivuar qëndrimin e organit të akuzës, për refuzimin e kërkesës së të pandehurit Xhuvani për gjykim të shkurtuar. Të dy ankimet janë depozituar në Apel në një diferencë kohe prej 3 ditësh, ndërkohë ende nuk është përcaktuar data e seancës së parë. Pretendimet e Xhuvanit për rrethana lehtësuese u shfaqën prej tij në konkluzionet përfundimtare të mbrojtjes në Shkallën e Parë, ndonëse asnjë prej tyre nuk u mor parasysh nga gjykata. Në konkluzionet përfundimtare, Xhuvani u kërkoi ndjesë familjarëve të viktimave. Përmes një materiali të paraqitur me shkrim në Gjykatë, ai pretendoi se kishte qenë në gjendje të rënduar mendore në momentin e krimit. Xhuvani tha se kujtonte nëpër mjegull që kishte qëlluar drejt një shtetasi që, sipas Prokurorisë, ishte viktima Edison Jaho. Sipas tij, personat e tjerë as i kishte parë dhe as i kujtonte ku kishin qenë, përfshi edhe shokun e tij, Arbër, të cilin e kishte parë të shtrirë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button