Film
Yllka Mujo nderohet me çmimin e karrierës në Festivalin e Filmit në Monte Karlo
Aktorja shqiptare ishte dhe anëtare e një jurie ndërkombëtare me emra të njohur të kinemasë
Aktorja shqiptare, Yllka Mujo, është nderuar me çmimin e karrierës në edicionin e 12-të të Festivalit të Filmit dhe të Komedisë që mbahet çdo vit në Monte Karlo. Për kontributin e saj të gjatë në kinemanë shqiptare, si një aktore me një talent të spikatur, Mujo është vlerësuar me këtë çmim në prani dhe të Ministres së Kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro. Festivali i Filmit në Monte Karlo organizohet nga një prej emrave të njohur të komedisë italiane, Ezio Greggio, i cili është dhe presidenti i festivalit. Mujo ka qenë dhe pjesë e jurisë së këtij festivali mes emrave të njohur të kinemasë si aktori dhe regjisori Giovanni Veronesi (president i jurisë), regjisori dhe skenaristi francez, Claude Zidi, aktorja italiane, Maria Grazia Cucinotta, dhe kritiku anglez, Lee Scott Marshall. Yllka Mujo është një nga aktoret më të mira të skenës shqiptare. Në teatër ka interpretuar në dhjetëra shfaqje, midis të cilave tek “Orët e Kremlinit” e Pogodin, “Luiza Miler” e Shilerit, “Përmbytja e Madhe” e K. Jakovës, “Vizita e Inspektorit” e Pristlit, “Nata e dymbëdhjetë” dhe “Zbutja e kryeneçes” e Shekspirit, “Natë me hënë” e Kadaresë, “Këngëtarja tullace” e Ioneskos, “Zonjusha Zhuli” e Stinbergut, “Kujdes! Kafshon” e A. Gernit etj. Vetëm pak kohë më parë ajo interpretoi në rolin e Maryt në dramën e Eugene O’Neill “Udhëtimi i gjatë drejt natës” një vepër që solli një tjetër dimension të kësaj artisteje. “Vanja, Sonja Masha dhe të tjerë” ishte një tjetër shfaqje nën regjinë e Driada Dervishit që e ngjiti aktoren në teatër. Dhe pse teatri duket se është një dashuri për Mujon, janë pafund dhe rolet e saj në kinematografi. Ajo ka interpretuar në filma si “I teti në bronz”, “Malet me blerim mbuluar”, “Zonja nga qyteti”, “Kur hidheshin themelet”, “Taulanti kërkon një motër” etj. Është aktore me kërkesa, me plastikë të zhdërvjelltë, energjike, shpërthyese; dallon për trajtimin e mençur dhe të kulturuar të roleve, duke rikuptimësuar në kohë idetë dhe gjendjet e tyre emocionale. Yllka Mujo kalon lehtësisht sa nga drama në komedi, sa nga personazhet me mbartje psikologjike e përjetime të brendshme, te personazhet komike, deri paroditë dhe groteskë. Mujo ka interpretuar dhe te filmi i regjisorit gjerman, Janannes Naber “Shqiptari”. Më 1995, ajo u vlerësua me çmimin “Aleksandër Moisiu” si aktorja më e mirë e Festivalit Kombëtar të Teatrove për rolin e Julias në dramën “Fernando Krafti më ka shkruar këtë letër” të Dorstit. Mban titullin Artiste e Merituar, ndërsa kthehet nga Monte Karlo me një çmim karriere, një trofe i merituar për aktoren shqiptare.