Ymeri premton angazhim të fuqishëm në punë, protesta e demonstrata
Albin Kurti dhe Visar Ymeri i kanë dhënë njëri-tjetrit nga një përqafim të ngrohtë në Këshillin e Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, të mbajtur në amfiteatrin e Shkollës Amerikane në Prishtinë.
Në fakt, ky përqafim në skenën e këtij amfiteatri ka ngritur në hierarkinë më të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymerin, i cili zyrtarisht sot është shpallur Kryetar i saj.
E Albin Kurti, ka zbritur shkallët për t’i bashkuar aktivistëve të tjerë në sallë, teksa pasuesi i tij ka marrë fjalën.
Visar Ymeri u zgjodh kryetar i VV-së në zgjedhjet e mbajtura një anëtar një votë – por pa asnjë kundër-kandidat, me 97.42 për qind të votave.
Ish kryetari Kurti pasi ia dorëzoi detyrën Ymerit falënderoi anëtarësinë e Vetëvendosjes për kontributin e saj në rritjen e kësaj lëvizjeje.
“Ju falënderohem nga zemra, iu përulem me respekt, për respektin e përzemërt që keni treguar ndaj meje si kryetar. Ju falënderohem për të gjitha diskutimet e shqyrtimet e veçanta drejt secilit qëndrim e vendim të përbashkët. Në mandatin e kaluar kam qenë edhe përballë Këshillit, edhe në Këshill, edhe me Këshillin”.
“Secili nga ne jemi rritur e jemi ngritur në Lëvizje e nëpërmjet Lëvizjes, me njëri-tjetrin e midis të gjithë neve. Lëvizja është shumë më e madhe sesa çdonjëri prej nesh, Lëvizja është më e madhe edhe sesa të gjithë ne së bashku, prandaj të gjithë ne bashkë, prandaj secili me njëri-tjetrin, duhet të lëvizim edhe shumë, edhe gjatë, edhe drejt, edhe mirë, edhe pandalshëm, përpara!”, tha kreu i deritashëm i VV-së.
“Dhe, nuk kam dyshim se do t’ia dalim. Ky Këshill i Përgjithshëm edhe ma ftoh mendjen, edhe ma ngroh zemrën. Bashkë me kryetarin e ri dhe kryesinë e re, ne jemi të Kosovës e të kombit shqiptar, ne jemi të Republikës e të popullit, ne jemi të lirisë e të barazisë, ne jemi të shoqërisë e të drejtësisë, kurse ardhmëria është e jona. Uniteti ynë, çdo pengesë e bën vështirësi, çdo vështirësi e bën sfidë dhe me unitet çdo sfidë e tejkalojmë”, tha Kurti.
Urime tashmë Visar! Urime qysh tash Kryesi e re! Urime përherë Vetëvendosje”, deklaroi ish kryetari i VV-së, Albin Kurti.
Kryetari Ymeri, në anën tjetër, deklaroi se nuk do ta kursejë kontributin e tij për Lëvizjen deri në bërjen e shtetit.
“Besimin që ma dhanë është përgjegjësi për mua. Këtë përgjegjësi do ta shndërroj në angazhim të përbashkët me ta, për një Vetëvendosje më të fuqishme, drejt një Kosove që vendos vetë, e cila vendos të zhvillohet, vendos të barazohet, vendos të solidarizohet, sovranizohet, dhe e cila vendos të bashkohet. Ashtu siç nuk u kursyet kurrë ju, ashtu nuk do të kursehem kurrë as unë – në punë, në terren, në demonstratë e protestë, në publik e media”, ka thënë Ymeri, në Këshillin e Përgjithshëm të Vetëvendosjes.
“Organizata jonë është organizata politike më demokratikja në Republikën e Kosovës. Për shkak se është e barabartë, dhe insiston në barazinë mes aktivistëve. Demokracia nuk është vetëm formë a procedurë anemike që përmbushet vetëm kur plotësohen kriteret formale, sikur kjo të jetë tender publik që i kërkon së paku dy ofertues”, tha lideri i sapozgjedhur i VV-së.
“Se si mund të flasim për demokraci kur tash e 16 vjet nga çlirimi e 7 vjet nga shpallja e pavarësisë, asnjë prej vendimeve të rëndësishme për vendin, le që janë marrë pa u pyetur fare populli, por madje pa e marrë fare parasysh vullnetin e interesin e tij kolektiv. Dhe, për më tepër, si mund të quhet demokraci kur asnjë prej institucioneve ose udhëheqësve të tyre, asnjëherë nuk dhanë llogari për asnjë prej veprimeve të tyre, pavarësisht shkallës së dëmit të krijuar, apo gjerësisë së mundësisë së shpërdoruar e humbur”, deklaroi Ymeri.
Sipas tij, demokracia është një lëvizje e vazhdueshme drejt progresit.
“Pra demokracia është Lëvizje. Partitë politike në Kosovë janë statike. E ju e dini çfarë ndodh me ujin që rri në një vend. Ne nuk do të qëndrojmë në një vend. Sepse jemi të pakënaqur. Dhe kjo pakënaqësi vetëm sa do të shkojë e do të rritet”, deklaroi kreu i ri i VV-së, Visar Ymeri.