Zaev fton shqiptarët në koalicion kundër Gruevskit
Kryetari i Lidhjes Social Demokrate, Zoran Zaev i ka bërë thirrje të gjitha partive politike shqiptare, që fituan mandate në zgjedhjet e së dielës, që t’i bashkohen partisë së tij për formimin e qeverisë së re dhe ta refuzojnë Nikolla Gruevskin.
“Regjimi nuk guxon të formojë qeverinë e Maqedonisë. Të gjitha partitë, përveç VMRO DPMNE-në nuk duhet të mendojnë për të shkelur vullnetin e shprehur në zgjedhje për formimin e qeverisë në koalicion me Nikolla Gruevskin. Rezultatet e para kanë hutuar qytetarët. Rezultatet zyrtare ende nuk kanë dalë.
Nëse korrigjohen një pjesë e numrave, LSDM do të ketë më shumë mandate në njësinë e gjashtë zgjedhore dhe me këtë rezultati do të jetë 50 me 50 në deputetë”, ka deklaruar Zaev në paraqitjen e parë pas publikimit të rezultateve të para nga KSHZ-ja sipas të cilave VMRO-ja e Gruevskit ka fituar dy mandate më shumë se partia që drejtohet prej tij, LSDM.
Ai tha se në zgjedhjet e së dielës kishte një fitore historike nga ana e qytetarëve të Maqedonisë, që nuk guxon sipas tij, në asnjë mënyrë të shuhet.
“Së bashku rrëzuan regjimin, qytetarët zgjodhën jetën në Maqedoni. Dua ta respektoni vullnetin e qytetarëve.
Shumica e qytetarëve votuan për ndryshime. Arritëm të bashkojmë Maqedoninë etnike”, thaZaev duke iu referuar votimeve ku shumë shqiptarë dhe pjesëtarët të bashkësive tjera etnike votuan për partinë e tij.
Formimi i qeverisë së re është në duart e partive shqiptare pasi as VMROja e as LSDM-ja nuk do të jenë në gjendje të formojnë qeverinë e re.
Partitë shqiptare kanë fituar 20 mandate; 10 BDI-ja, 5 Lëvizja BESA, 3 Aleanca për Shqiptarët dhe 2 PDSH-ja.
BDI ende nuk është deklaruar për pozicionin e saj, ndërsa Lëvizja Besa ka bërë thirrje për një qeveri të gjerë ose reformatore, por edhe kjo pjesëmarrjen do ta kushtëzojë me kërkesat për çështjet shqiptare, njëjtë sikur edhe Aleanca për Shqiptarët.
Pavarësisht kësaj, kryetari i VMRO- DPMNE-së, Nikolla Gruevski ka thënë se qeverinë do ta formoj partia e tij sa më shpejt që të jetë e mundur.