Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev ka porositur sërish kryeministrin Gruevski që të jep dorëheqje dhe mos të mbajë peng qytetarët dhe opinionin. Zaev tani është koha që ai të tërhiqet i qetë pasi qeverisja e tij është kapitull i mbaruar.
“Me zërin e tij, me bisedat e tij telefonike, Gruevski u tregoi të gjithëve se cila është fytyra e tij e vërtetë. Për këtë shkak ai është i frikësuar, i frikësuar nga vetvetja dhe nga të tijtë, i frikësuar nga populli. Duhet të jetë i frikësuar, sepse mbaroi. Nikolla Gruevski, ende ke shans që të ikësh vetë dhe ta lirosh Maqedoninë nga mundimi. Përkrahës të VMRO DPMNE-së, a duhet të vazhdoni të përkrahni njerëz të tillë?”, deklaroi Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.
Në bombën e sotme, të 14-tën me radhë, lideri i LSDM-së Zaev publikoi biseda telefonike mes kryeministrit Gruevski dhe ministrit të transportit Mile Janakievski, që sipas tij dëshmojnë skandalin më të madh korruptiv në vend dhe rajon. Sipas Zaevit, me kërkesë të Gruevskit dhe realizim të Janakievskit është arritur marrëveshje pa tender me një kompani kineze për ndërtimin e dy autostradave në Maqedoni, në vlerë të përgjithshme rreth 500 milion euro. Madje sipas bisedave telefonike të publikuara sot, Gruevski dhe Janakievski kanë kërkuar 5% provizion nga kinezët, ose rreth 25 milion euro.
Zaev ka publikuar bisedat mes kryeministrit Nikolla Gruevski dhe drejtorit të ‘Elem’-it, Vllatko Çingovski, ku kryeministri intervenon që një tender për nxjerrjen e qymyrit ta fitojë pronari i televizionit Sitell, Lubisav Ivanov.
Sipas Zaevit, Gruevski ka ndërhyrë edhe në tenderin për hekurudhën. Ai publikoi bisedat mes Gruevskit dhe Jankievskit ku kryeministri flet me shifra dhe përmend vetëm shkronjat e para të shteteve të Gjermanisë, Çekisë dhe Greqisë, prej ku vijnë kompanitë konkurruese.
Në bisedat e tjera mes Gruevskit dhe Janakievskit të publikuara nga LSDM-ja, sipas Zaevit kryeministri i bën presion Janakievskit që të firmos mendim për ndryshimin e fasadave të EVN-së dhe City Galerisë, për ti bërë ato në stilin barok. Gruevski e bind ministrin e transportit se përgjegjësinë eventuale për shkeljen e ligjit nuk do ta bartë ai, por administratorja e komunës Qendër.
I pyetur për pronën e kushërinjve të tij në Greqi, Zaev tha se nuk ka ndërmend të komentojë pronat e kushërirëve, por vetëm të familjes së tij. Megjithatë ai theksoi se një pjesë e madhe e patriotëve të VMRO DPMNE-së posedojnë prona në Greqi. Lideri i LSDM-së paralajmëroi sërish se bombat më serioze janë të planifikuara për periudhën në vazhdim, ndërsa përmendi tema si emrin e shtetit, Monstra, Nikolla Mlladenov, regjistrimi, A1 dhe të tjera.