Politika

Zbardhet biseda e zyrtarit grek me ambasadorin shqiptar

Mediat greke zbardhin bisedën mes drejtorit politik të Ministrisë së Punëve të Jashtme greke, Petros Mavroidis dhe ambasadorit shqiptar në Athinë, Dashnor Dervishi.

Sipas gazetës greke “Protothema”, drejtori politik i Ministrisë së Jashtme është shprehur se plani për shembjen e shtëpive të minoritarëve në Himarë, do të ndikojë në rrugën e Shqipërisë për anëtarësim në BE.

Zyrtari grek e cilëson të papranueshëm faktin që plani zhvillimor për Himarën përfshin vetëm shtëpitë e minoritarëve grekë, veprim që sipas tij dëshmon se ka një plan të organizuar kundër tyre.

Ai ka shprehur shqetësimin edhe deklaratat sipas tij provokative të kryeministrit shqiptar Edi Rama, që shkroi se Athina është banuar nga shqiptarë dhe se Akropoli është shpëtuar nga shqiptarët.

Mavroidis ka thënë se Greqia nuk ndërhyn në punët e brendshme të askujt, nuk është kërcënuese për askënd, por as nuk do të tolerojë sfida.

Mavroidis i ka kërkuar ambasadorit shqiptar që Shqipëria të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe konventat ndërkombëtare lidhur me të drejtat e pakicave dhe në asnjë rast nuk mund të pretendojë se nuk ka minoritet në Himarë.

Sipas “Protothemës”, në takim u theksua se respekti për të drejtat e njeriut dhe në veçanti të minoriteteve është përparësi për çdo shtet që dëshiron të sillet një mënyrë moderne dhe demokratike.

Aq më tepër në rastin e Shqipërisë, performanca e të cilit monitorohet tërësisht si pjesë e negociatave të vazhdueshme me BE-në. Zyrtari grek ka theksuar se nga përmbushja e kritereve të caktuara veçanërisht nga sjellja ndaj minoriteteve varet rruga e Shqipërisë drejt BE.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button