Zbardhet raporti i PD për funksionimin e Kuvendit, ja çfarë thuhet në dokumentin e dërguar drejt selive diplomatike
Është bërë publik raporti i plotë që Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, u ka dërguar selive diplomatike në Shqipëri, lidhur me funksionimin e Kuvendit dhe rolin e opozitës në të.
Në dokument, opozita paraqet shqetësime për atë që e cilëson si kufizim të të drejtave kushtetuese dhe dobësim të mekanizmave të kontrollit parlamentar ndaj qeverisë. Sipas raportit, gjatë gjashtë muajve të parë të legjislaturës së re, shumica parlamentare ka refuzuar një numër kërkesash të opozitës, përfshirë komisione hetimore, interpelanca, mocione me debat dhe kërkesa për informacion.
Raporti përmend gjithashtu shqetësime lidhur me përjashtimin e opozitës nga procese të caktuara, si transparenca mbi integrimin europian dhe emërimet në institucionet e pavarura, si dhe moszbatimin, sipas opozitës, të disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë.
Në përmbajtjen e tij, dokumenti argumenton se kufizimi i këtyre mekanizmave ndikon në ushtrimin e rolit të opozitës në parlament dhe në funksionimin e standardeve demokratike. Po ashtu, ngrihet pyetja mbi mundësinë e ushtrimit efektiv të rolit të opozitës në kushtet aktuale.
Në të njëjtën kohë, në raport theksohet angazhimi i opozitës për të vepruar brenda kuadrit institucional, ndërsa nënvizohet se respektimi i standardeve demokratike konsiderohet i domosdoshëm për rrugën e vendit drejt Bashkimi Europian.
Dokumenti i Grupit Parlamentar të PD i është dërguar zyrtarisht edhe Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.