Zëdhënësi i Petagonit, Jeff Davi: ISIS po i përdor qytetarët e Mosulit si mburojë kundër sulmeve
Pentagoni ka akuzuar grupin militant, “Shteti Islamik” (IS) se po përdor mijëra banorë të Mosulit si “mburoja njerëzore” me qëllim që të ndalet përparimi i forcave irakiane brenda qytetit.
“Ne e dimë se ata po përdorin njerëzit si mburoja”, ka thënë zëdhënësi i Petagonit, Jeff Davis.
“Kjo ka vazhduar për disa javë dhe kemi parë se si njerëzit me forcë po pengohen që të mos dalin jashtë qytetit të Mosulit. Ata po mbahen aty kundër vullnetit të tyre”, ka shtuar tutje Davis.
Rreth 1.5 milion njerëz akoma jetojnë në Mosul dhe Organizata Ndërkombëtare për Migrim ka thënë më herët se IS-i mund të përdorë dhjetëra mijëra banorë si mburoja njerëzore, me qëllim që të mbajë bastionin e fundit në Irak.
Kjo organizatë po ashtu ka thënë se ka gjasa që ekstremistët të kryejnë sulme kimike. Edhe më parë kanë përdorur armë të tilla kundër forcave kurde të Irakut.
Zëdhënësi i Pentagoni, Jeff Davis, tha se operacioni për rimarrjen e Mosulit do të jetë “një luftë e shëmtuar”.
Koalicioni i mbështetur nga SHBA-ja thotë se ka larguar IS-in nga 10 fshatra. Trupat qeveritare po depërtojnë nga jugu ndërkohë që aleatët kurdë po afrohen nga lindja në një fushatë ushtarake që nisi të hënën.
Presidenti amerikan, Barack Obama, ka provuar që të zbusë shqetësimet për një eksod të civilëve nga rajoni, duke thënë se ekzistojnë “planet dhe infrastruktura” për t’u marrë me një krizë të mundshme humanitare, njofton BBC.
Banorët që u kontaktuan me telefon nga agjencia e lajmeve “Reuters” thanë se IS-i ka ndaluar njerëzit që të ikin nga qyteti dhe disa prej tyre i ka drejtuar drejt ndërtesave që kanë më shumë gjasa të goditen nga fushata ajrore. OKB-ja po punon që të krijojë vendstrehime për refugjatë jashtë Mosulit.
Lise Grande, koordinatorja humanitare e OKB-së në Irak, tha se organizata po punon për një numër prej 200 mijë njerëz që mund të kenë nevojë për strehim në ditët dhe javët e para të operacionit.
Forcat qeveritare dhe ato kurde janë ende ndërmjet 30 dhe 40 kilometra larg qytetit.