“Zëri i Amerikës”: Ramush Haradinaj sot para drejtësisë franceze
Lajmi për arrestimin e Ramush Haradinajt nga policia franceze është përcjellë edhe nga “Zeri i Amerikës”. Policia franceze ka ndaluar të mërkurën kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga Serbia, thuhet ne njoftim.
Sipas “Zëri i Amerikës”, Ministria e Drejtësisë dhe ajo e punëve të Jashtme të Kosovës konfirmuan njoftimin për arrestimin, por pa dhënë hollësi të tjera. Zoti Haradinaj është ndaluar në pjesën franceze të aeroportit Basel-Mulhouse, i hapur në vitin 1946, për të shërbyer në rajonin kufitar ndërmjet Francës, Zvicrës e Gjermanisë. Mediet në Francë thanë se të enjten pritet një vendim i drejtësisë franceze lidhur me zotin Haradinaj.
Qeveria e Kosovës tha në një komunikatë se “të gjitha dikasteret kompetente të saj po angazhohen me prioritet për sqarimin e shpejtë të rrethanave të ndalimit të kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj dhe tejkalimin e situatës së krijuar si pasojë e aktakuzave të paligjshme, të padrejta dhe tendencioze të Serbisë“.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në një komunikatë thekson se “një veprim i tillë është krejtësisht i padrejtë dhe i papranueshëm. U bëjmë thirrje autoriteteve franceze qe t’i mundësojnë zotit Haradinaj që të vazhdojë udhëtimin e tij i papenguar dhe kërkojmë nga autoritet e Bashkimit Evropian dhe të shteteve evropiane veç e veç që të mos pengojnë lëvizjen e lirë të autoriteteve të Kosovës, sipas urdhërarresteve të paligjshme të Serbisë. Njëkohësisht kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të ndërpres çdo komunikim me Serbinë deri sa ajo të mos i tërheqë fletarrestet ndërkombëtare kundër personaliteteve të Kosovës”, thuhet në reagimin e kësaj partie.
Kjo nuk është hera e parë që zoti Hardainaj ndalohet në bazë të një urdhërarresti serb.
Në qershor të vitit 2015 ai u ndalua në Aeroportin e Lubjanës, në Slloveni, derisa po kthehej nga një vizitë zyrtare në Berlin.
Autoritetet në Kosovë kanë kërkuar disa herë nga policia ndërkombëtare, Interpol që mos merren parasysh fletarrestimet e lëshuara nga autoritetet e Serbisë për qytetarët e Kosovës. Kërkesat kishin pasuar disa raste të nëpër aeroporte të drejtuesve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bazë të fletarrestimeve të lëshuara nga Beogradi.
Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga një numër shtetesh që janë edhe pjesë e Interpolit e vështirëson shumë edhe bashkëpunimin e saj me këtë organizatë.
Ndalimi i tij zotit Haradinaj në Bazel, nxiti reagime të partive politike të cilat kërkojnë lirimin e menjëhershëm të tij dhe që komuniteti ndërkombëtar të ushtrojë trysni për heqjen e urdhër arrestimeve serbe.
Ramush Haradinaj, dy herë është shpallur i pafajshëm për të gjitha akuzat për krime lufte në Gjykatën ndërkombëtare në Hagë.
Ai dha dorëheqje nga posti i kryeministrit të vendit më 8 mars të vitit 2005 për t’u dorëzuar vullnetarisht në gjykatën e Hagës, prokuroria e së cilës e akuzonte atë dhe dy bashkëluftëtarë të tij për krime lufte.
Procesi kundër zotit Haradinaj filloi më 5 mars të vitit 2007 dhe përfundoi në prill të vitit 2008 me pafajësinë e tij. Zoti Haradinaj u rikthye ne rigjykim të pjesshëm në korrik të vitit 2010, që ishte rasti i parë i atij lloji në veprimtarinë e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë.
Më 29 nëntor të vitit 2012 ai sërish u shpall i pafajshëm.