Zgjedhja e Presidentit të ri, PDK i vendos kushte Kurtit: Propozimin të na e sjellë të shkruar!
Partia Demokratike e Kosovës ka vendosur kushte për kryeministrin, njëherazi kryetar të Vetëvendosjes, Albin Kurti, lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit.
Kurti pohoi më herët se po bën përpjekje të takohet me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza. Por nga kjo parti iu kërkua ta konkretizojë iniciativën e re për çështjen e presidentit në formë të shkruar.
“Nevojitet një letër zyrtare në mënyrë që të rritet serioziteti në trajtimin e kësaj çështjeje. Pas këtij konkretizimi nga ana e tij, çështja do të shqyrtohet në organet e partisë dhe më pas do të paraqitet qëndrimi përfundimtar i PDK-së”, thuhet në një njoftim të zyrës për media të kësaj force politike.
Kreu i LVV-së zhvilloi të hënën një takim me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ku kanë diskutuar për mundësinë e gjetjes së një kandidati të përbashkët për president, me qëllim të shmangies së zgjedhjeve të reja.
Abdixhiku ka theksuar se LDK mbetet e përkushtuar ndaj gjetjes së një rruge dhe kandidati që mund të sigurojë votat e nevojshme, por nuk ka zbuluar emra të veçantë, duke përsëritur se presidenti i ri nuk duhet të jetë nga Vetëvendosje.
Ndërkohë, Kurti ka treguar se diskutimet për emra janë zhvilluar, por nuk mund të japë detaje për publikun pa pasur siguri për rezultatin.
Përpjekja e re e kryeministrit Kurti që të gjejë zgjidhje për çështjen e presidentit vjen pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila ka nxjerrë një afat që nëse deri më 28 prill nuk zgjidhet presidenti i Kosovës, vendi automatikisht shkon në zgjedhje që duhet mbajtur brenda 45 ditëve.
Kurti me partnerët aktualë qeverisës ka 66 deputetë, nga 120 sa i ka Parlamenti i Kosovës. Për ta zgjedhur presidentin e ri në dy raundet e para duhen dy të tretat e votave të deputetëve dhe po e njëjta prani në sallë.
The post Zgjedhja e Presidentit të ri, PDK i vendos kushte Kurtit: Propozimin të na e sjellë të shkruar! appeared first on Sot News | Lajme.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.