Opinion
Zgjedhje gjoja normale me nje opozitë të çakërdisur!?
14 maji afroi.Do të bëhen zgjedhje de more de?! Po si kanë për të qenë ato? Jemi mësuar që, pas rënies së flamës së komunizmit, vetëm dy parti: PD-ja dhe PS-ja të ”kacafyteshin” për të marrë frenat e pushtetit. Herë fitonte njëra, kur ia jepte votën elektorati gri, dhe herë tjetra po për atë arsye. Partitë e tjera qofshin të djathta apo të majta kishin një rol të dorës së dytë dhe të tretë. Përjashtim bënte LSI-ja, e cila në dy palë zgjedhje përcaktoi fituesin. Po ajo kohë vate dhe shkoi.
Sot kemi një opozitë të ndarë më dysh dhe të çakërdisur.PD-ja zyrtare, mendohet se nuk është në numur më shumë se Rithemelimi i Berishës që nuk është parti. Kandidatët e saj për kryetarë bashkie i ka futur si muhaxhirë nën sqetullat e veta komunisti Ilir Meta te Partia e Lirisë. Ç’përfaqëson ai bashkim katër partish me titullin pretendues ”Bashkë Fitojmë”? Vetë Meta është një akrobat politik që kalon sa majtas e djathtas, vetëm e vetëm që të jetë pushtet, edhe pse ka vetëm një mini parti. Është xhongler me shumë përvojë.Si njeri dhe si familje populli e përflet për korrupsion grandioz. Shumë dyshime hodhi ajo ditë e bukur në prag zgjedhjesh, para dy vitesh , kur edhe pse në detyrën e Presidentit të Shqipërisë, ai i kujtoi SHBA-ve se raketa ka edhe Moska.?! Aludim i qartë si drita e diellit,që xhongleri politikan mund edhe t’u bashkangjitet si Rusisë dhe Kinës komuniste. Në ombrellën e tij ai ka Partinë Demokristiane të Nard Nokës dhe atë të minoritarëve të Vangjel Dules që ka 20 vjet kryetar. Të dyja janë parti të vogla që nuk ngrejnë peshë në skakierën e politikës së Shqipërisë.
Po grupi i madh (kështu mendohet) i Rithemelimit me Sali Berishën lider ç’përfaqëson aktualisht për Shqipërinë? Sali Ram Berisha me kohë nën xhupin blu mbante pulovrin e kuq. Tashti edhe xhupin e ka të kuq. Mbase mban edhe teserën e partisë.?! Ai doli haptas si komunist i vendosur që kur nisi luftën me sharje, shpifje, trillime kundër të gjithë ambasadorëve të SHBA-së si dhe sekretarit të shtetit, zotit Antony Blinken. Berisha në asnjë rast nuk thotë se është kundër Amerikës, jo. Nuk e bën këtë gabim doktori. Veç si ka mundësi të jesh kundër emisarëve të Presidentit Baiden, pra kundër shtetit amerikan, dhe në të njëjtën kohë të duash SHBA-në?! Kjo nuk mund kurrsesi të kuptohet dhe të pranohet.Deri sa Washingtoni zyrtar as i përmend emrin, as do që ta takojë këtë njeri, kuptohet se grupimi ose partia e ardhme e tij, si vetë ai dhe familja e tij, kanë për të qenë NON GRATA. Ç’të mira ose përfitime do të kishte Shqipëria nga një fitore hamendësuese e Berishës? Marrëdhëniet me SHBA-në do të ngurtësoheshin sërish. Ashtu si në kohën e diktaturës. Edhe Mbretëria e Bashkuar e Anglisë nuk do të dëshironte të kishte marrëdhënie me një lider të korruptuar. Këto dy kryeshtete patjetër që kanë për ta nxjerrë Shqipërinë nga NATO. Europa e Bashkuar doemos ka për të pezulluar, më e pakta, procesin e anëtarësimit tonë për në BE. Pse rrezikojmë të merren këto masa hipotetike kundër nesh? Të mbetur pa ndihmën ushtarake, organizative dhe ekonomike të Perëndimit, dyshja e komunistëve Berisha Meta nuk kanë rrugë tjetër veçse t’i bashkohen Putinit dhe Kinës. Moska dhe Pekini ku ta gjejnë këtë afrim. Do të thotë që si kinezët dhe rusët të kenë baza në detin Adriatik dhe në detin Jon. Në rast se ne shqiptarëve na pëlqen ose intereson kjo kahje, do të jetë normale të votojmë për kandidatët e Rithemelimit të binomit të komunistëve Berisha-Meta. Është në dorën tonë.
Mbetet për t’u sqaruar një gjë që është shumë e rëndësishme. Midis kandidatëve të Rithemelimit doemos ka individë të ndershëm dhe me vizion, po asnjëherë nuk janë ata që drejtojnë Rithemelimin. Është Berisha timonieri që ka për t’i detyruar të zbatojnë urdhërat e tij. Përndryshe nuk e ka të vështirë t’i shpallë armiq dhe tradhëtarë të urryer siç po bën për Bashën dhe Alibeajn me shokë pse ata u distancuan nga ai që nga momenti kur SHBA dhe Anglia e shpallën hajdut me çizme. Doemos Rama për të është më i keqi i të gjitha kohrave. Edhe kur bëhen vrasje për gjakmarrje, si rasti i Lezhës, menjëherë gërthiti me sa forcë që kishte se atë vrasje politike e ka bërë Rama. Në qoftë se gomari i një fshatari rrëzon ngarkesën, me siguri doktori ka për të thënë se edhe gomari është njeriu i Ramës?! Ky është Berisha. Nuk mundemi ta ndryshojmë. Ashtu si Zeusi ai nuk lejon njeri që t’i kërkojë llogari. Të paktën t’i thonë pse nuk po shpalos një program dinjitoz për zhvillimin e vendit, pse nuk u ngope me pushtet kur ke 33 vjet kryetar partie dhe 13 vjet ishe Kryeministër dhe President?! Le pastaj po t’i përmendin 21 janarin , Gërdecin ose edhe LAZARATIN!… Këtë kapacitet dhe këtë mentalitet ka ai. Mentalitet i dalë boje nga koha. Atëhere pse duhet të shkojmë pas atij?! Berisha nuk është as Muhameti dhe as Jezu Krishti. Ai është thjeshtë një i korruptuarr me vulë ndërkombëtare.
Të gjitha këto bëma populli i ka të rregjistruara në mëndjen e tij sa brilante aq dhe të heshtur .Nuk mendohet se populli ka për të votuar si një herë e një kohë për atë njeri që ishte shpresa jonë. Lind pyetja: kur nuk kanë për të mbështetur Berishën nga duhet t’ja mbajnë të djathët e ndershëm, qoftë antarë të PD-së apo simpatizantë të saj? PD-ja zyrtare është zgjidhja më e mirë. Jo vetëm ajo. Janë disa parti të djathta që do të konkurojnë. Janë 42 parti të rregjistruara për këto zgjedhje dhe 4 komitete nismëtare që mbështesin kandidatët e tyre.Edhe pse të pa njohura shumë, edhe pse media ato thuajse i ka anashkaluar, në to ka elementë që mund dhe duhet ta ripërtrijnë të djathtën tonë. Pse jo, dhe ta bashkojnë atë.Ne jemi vënd shumë i vogël. Nuk ka pse të kemi 126 parti?! Do të thoshja se është një luks i tepërt. Bashkimi i të djathtës në tre-katër parti kishte për ta ndryshuar dukshëm arenën politike të Shqipërisë. Vetëm ai bashkim i gjerë i saj do të mund t’i bëjë ballë të majtës dhe të fitojë ndaj saj. Përndryshe mbetet që Rama dhe e majta (edhe ata të pangopur për pushtet) do të vazhdojnë gjatë ta drejtojnë Shqipërinë. Rrotacioni qeverisës aq i domosdoshëm mbetet vetëm si një ide e largët dhe e mefshët. Populli e do rrotacionin, po jo rrotacion për hir të rrotacionit. Ky proces ka vlerë vetëm kur populli bindet se opozita është e organizuar, e pjekur dhe e vendosur për të qeverisur më mirë.
Përballë kësaj opozite të përçarë ,(disa fraksione të saj shumë armiqësore midis tyre), qendron Partia Socialiste me Ramën kryetar 18 vjet dhe Kryeministër 10 vjet. Është një parti e organizuar.Është një kryetar shumë autoritar dhe një kryeministër me vizion. Nuk është dhe pa gabime.Nuk mundi ta vinte nën kontroll korrupsionin edhe pse janë në burg dy ministra dhe po bëhet gati i treti. Siç duket, nuk mjafton deklarimi i tij : ”Unë dhe partia nuk mbrojmë asnjeri kur ai duhet të përballet me drejtësinë.” Dakord përgjegjësia është individuale, po edhe Kryeministrit dhe partisë i del boja nga hajdutët me çizme të posteve shumë të larta.Ky është realiteti i hidhur në prag të ketyre zgjedhjeve vendore, po që kanë marrë një rëndësi të madhe sikur të jenë zgjedhje për Parlamentin.Për hir të së vërtetës do të shtoja një fakt. Ndërsa Berisha nuk denonocoi dhe dënoi asnjë nga liderët e korruptuar të PD-së, Rama i ka lënë dorë të lirë drejtësisë. Njerëzit me siguri e bëjnë këtë krahasim. Pastaj se për kë kanë për të votuar ata, është e drejta e tyre.Do të votojnë për SHBA-në dhe Europën apo për një lidhje të mundshme hipotetike sërish me Moskën dhe Kinën.
Për sa parashtrova, fatkeqësisht mund të them: deri sa opozita jonë është e çakorduar, e përçarë, pa program dinjitoz dhe pa liderë të spikatur,disa analistë të paanshëm mendojnë se të majtët me Ramën nuk kanë për ta patur të vështirë të fitojnë më shumë se gjysmën apo treçerekun e bashkive të Shqipërisë. Për këtë arësye, duam apo nuk duam ta pranojmë ,zgjedhjet e 14 majit 2023 do të ngjajnë si zgjedhje moniste, si fitore e vazhdueshme seriale e një partie të vetme, kur në gjykatë kemi të rregjistruara 126 parti?!