Politika

Zgjedhjet në 30 qershor. Presidenti akt të paprecedentë dhe antikushtetues

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se dekreti i Presidentit të Republikës për anulimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit është një akt i paprecedent dhe antikushtetues.

Gjatë diskutimit në Kuvend të projekt-rezolutës mbi aktin e Presidentit për shfuqizimin e dekretit për zgjedhjet e 30 qershorit, Balla tha se kompetencat e Presidentit për zgjedhjet dhe caktimin e datës së tyre janë të kufizuara.

Sipas tij, “dekretimi është hapi i parë dhe i fundit i presidentit lidhur me zgjedhjet”.

“Dekreti i datës 10 qershor është antikushtetues, zgjedhjet do të mbahen në 30 qershor. Në rasport me zgjedhjet, Presidenti ka vetëm një kompetencë atë të caktimit të datës së tyre për të ruajtur luajalitetin mbi palët. Presidentin për fat të mirë e kemi çliruar me ligj nga çdo përfshirje në procesin zgjedhor. Sot i gjithë procesi zgjedhor qeveriset nga KQZ”, tha Balla.

Caktimi i datës së zgjedhjeve, sipas tij, “është kompetencë por jo privilegj i Presidentit, është detyrim por jo e drejtë”.

“Presidenti nuk e zgjedh dot periudhën zgjedhore, është e përcaktuar me ligj dhe varet vetëm nga datat e përfundimit të organeve të zgjedhura në detyrë. Brenda periudhës zgjedhore, Presidenti mund të zgjedhë dy data ndërmjet saj. Procedura kushtetuese parasheh konsultën me kryetarët e grupeve parlamentare. Nëse ato nuk shfaqin konsensus respektohet vendimi i Presidentit i cili ka detyrën të gjejë gjuhën mes palëve. Unë kam propozuar datën 9 qershor për shkak të sezonit turistik, ndërsa Presidenti këmbënguli se ka vetëm dy data, 23 dhe 30 qershor”, tha Balla

Balla theksoi se Presidenti ka kompetencën për dekretimin e datës së zgjedhjeve, që është një akt me efekt të menjëhershëm. Dekretimi, sipas tij, është hapi i parë dhe i fundit i Presidentit lidhur me zgjedhjet.

“Deri në datën 10 qershor janë konsumuar të gjitha procedurat për regjistrimin e subjekteve zgjedhore, ngritjen e administratës së zgjedhjeve, ndarjen e financimit të partive, është ndarë koha televizive, janë miratuar fletët e votimit. Për të gjitha këto hapa e gjithë kjo kosto nuk mund të zhbëhet me zhdekretim”, tha Balla, duke shtuar se “procesi është në raundin e fundit”.

Duke u ndalur te antikushtetutshmëria e këtij akti, Balla tha se “anulimi i zhvillimit të zgjedhjeve ka cënuar të drejtën e shtetasve për të zgjedhur”.

“Mospjesëmarrja e disa partive opozitare në zgjedhje është ‘de facto’ mohim i së drejtës për t’u zgjedhur, por kjo është zgjedhje e atyre që kanë vendosur të bojkotojnë. Në këtë proces zgjedhor të gjithë individët që donin të regjistroheshin u regjistruan. Janë 38 parti politike. Kjo erdhi për shkak të presionit, pasigurisë dhe frikës që mbolli opozita bojkotuese. PD dhe LSI bënë presion ndaj subjekteve të ndryshme zgjedhore për të mos u regjistruar në zgjedhje”, tha Balla.

Balla theksoi se “me mbarimin e mandatit 4-vjeçar nuk ka më as kryetar dhe as këshilla bashkiakë”. “Nëse KQZ do të pranonte të zbatonte dekretin e Presidentit, kjo e ngarkonte me përgjegjësi penale, pasi zbatimi i një akti të paligjshëm është përgjegjësi penale”, tha Balla.

“Përpara jush, për herë të parë keni një rezolutë që synon t’i japi një përgjigje këtij akti të paprecedent që është absolutisht i pavlefshëm. Kam besimin dhe bindjen e thellë se Kuvendi, si institucioni më i lartë në një Republikë parlamentare ta votojë rezolutën që e drejta e fituar me kaq mund e çdo shqiptari të jetë e garantuar dhe zgjedhjet do të zhvillohen në 30 qershor”, tha Balla.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button