Zgjedhjet për kreun e PD, Berisha : Mirënjohje edhe atyre që votuan kundër, jemi një familje!
Sali Berisha pasi u konfirmua kryetar i Partisë Demokratike me një votëbesim, ku mori 37,341 vota pro, mbajti një konferencë për shtyp ku falënderoi demokratët për besimin e dhënë dhe e cilësoi këtë proces si më të rëndësishmin në historinë e PD-së.
Ai u shpreh se “mirënjohje për ata që votuan, edhe për ata që votuan ndryshe. Jemi një familje. Ky ishte votimi më i rëndësishëm”, duke shtuar se edhe votat kundër apo abstenimet do të merren në konsideratë për të adresuar shqetësimet e demokratëve.
Berisha falënderoi komisionerët dhe strukturat e PD-së për organizimin e procesit, ndërsa në fjalën e tij hodhi akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, të cilin e cilësoi si të përfshirë në korrupsion dhe bashkëpunim me krimin e organizuar.
“Njeri sharlatan, pa dinjitet, kujton se ke fituar, por fundin e ke të shpejtë”, tha Berisha, duke shtuar se vota e demokratëve ka lënë pa gjumë “organizatat kriminale, kartelet e drogës dhe mafien e fjalës së lirë”.
Ai e cilësoi procesin si model dhe PD-në më të fortë se kurrë, duke theksuar se beteja politike do të vazhdojë deri në rrëzimin e regjimit.
“Ky është votimi më i jashtëzakonshëm sepse me këtë votëbesim ju vendosët të ecim të pamposhtur drejt qëllimeve tona madhore. Fitorja jonë është e pashmangshme”, përfundoi Berisha, duke e shpallur këtë proces si një moment historik për opozitën shqiptare dhe duke siguruar demokratët se lufta e tyre është e pakompromis dhe se përmbysja e “diktaturës së dytë” është e pashmangshme.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.