Zyrë për gjetjen e të zhdukurve gjatë diktaturës
Për të gjithë personat e zhdukur gjatë periudhës së diktaturës, tanimë do të mund të krijohet një sektor i veçantë, në të cilin do të depozitohen të gjitha kërkesat dhe do të jepen informacionet mbi gjithë procesin e gjetjes, edhe pse jo në jetë.
Krahas dëmshpërblimit të të përndjekurve politikë dhe hapjes së dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, qeveria është angazhuar edhe në gjetjen e të zhdukurve gjatë regjimit komunist, si një detyrim moral ndaj gjithë kësaj shtrese, por në veçanti ndaj familjeve të viktimave që sot nuk kanë një varr.
Për këtë qëllim, pranë Institutit të Integrimit të të Përndjekurve Politikë, me mbështetjen e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, do krijohet sektori i të zhdukurve, i cili është projektuar të jetë porta pritëse e të gjitha kërkesave dhe informacioneve mbi procesin e gjetjes së personave të zhdukur gjatë periudhës së diktaturës.
Në fjalën e saj, zëvendësministrja Sula u shpreh se trajtimi i kësaj teme prek thelbin e drejtësisë së munguar dhe shteti dhe shoqëria u ka borxh të gjithë atyrë personave që sot e kësaj dite nuk kanë gjetur prehje.
“Hapja e zyrës për Personat e Zhdukur pranë Institutit të Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë ka për qëllim që të fillojë një kapitull të ri në trajtimin e kësaj çështje kaq të ndjeshme, e cila deri më sot është trajtuar në mënyrë sporadike dhe në mungesë të një qasje të koordinuar institucionale”, tha Sula.
Gjithashtu, ajo bëri të ditur se hapja e kësaj zyre do të ketë për qëllim të krijojë një databazë fillestare mbi këta persona të zhdukur, me të dhënat e tyre minimale si, emri, mbiemri, gjinia, vendi dhe data e lindjes, vendi dhe data ose viti i supozuar i zhdukjes dhe rrethanat e zhdukjes, si dhe të mbledhë informacione, të ndjekë dhe monitorojë procesin e kërkimit dhe zhvarrosjes së personave të zhdukur, duke bashkëpunuar dhe koordinuar me institucionet e tjera përgjegjëse.
Zyra do të bëjë edhe mbledhjen e dëshmive të ndryshme nga vetë ish të burgosurit, të cilët janë gjallë, si dhe familjarët e të pushkatuarve me ose pa gjyq, është një ndihmesë e madhe për identifikimin e varrezave masive.
Por, suksesi i kësaj nisme do të varet shumë edhe nga bashkëpunimi dhe eksperienca që do të sjellin përfaqësuesit e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Humbur. Përfaqësuesi i këtij komisioni, Matthew Holliday në fjalën e tij, solli përvojën e këtij institucioni ndërkombëtar në Bosnje dhe Kosovë, në kërkimin e personave të humbur.
Kemi një sistem tepër të sofistikuar për indentifikimin nëpërmjet ADN-së. Ofrojmë asistencë teknike në mjekësinë ligjore dhe në antropologji”, tha Holliday, Drejtor i Institutit të Integrimit të ish-Përndjekurve Politikë.
Aktualisht numri i përafërt i personave të zhdukur përgjatë viteve 29 nëntor 1944 deri në vitin 1991 arrin në 6.000 vetë. Ndërsa është evidentuar gjithashtu, se numri i varreve masive të paidentifikuar dhe pothuajse të pazbuluar asnjëherë shtrihet në të gjithë vendin në rreth 30 vende ekzekutimi.