Home / Arte / Libri / Vula e Konicës, i dhurohet Bibliotekës Kombëtare

Vula e Konicës, i dhurohet Bibliotekës Kombëtare

Vula e Faik Konicës, një prej personazheve më të rëndësishëm të publicistikës e historisë shqiptare i është dorëzuar dje Bibliotekës Kombëtare në një ceremoni ku ishte i pranishëm Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati dhe Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro-Furxhi. Shtampa “EX LIBRIS F.K.”, e quajtur ndryshe “Vula e Faik Konicës”, dhuratë nga Katedralja e “Shën Gjergjit” dhe “Biblioteka e Fan Nolit” në Boston, vjen në Shqipëri pikërisht në vitin kulturor “Faik Konica”, shpallur nga Federata Panshqiptare “VATRA”. Në mënyrë simbolike ajo iu besua pikërisht Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë Bushati gjatë vizitës së tij të fundit në SH.B.A, dhe tashmë i besohet Bibliotekës Kombëtare. Shtampa, me një realizim unik artistik, përbëhet nga dy germa platini F.K, që përfaqësonin artin e tipografisë koniciane të “Albania-s” e të librave që ai shtypi me ato germa, si dhe nga dhjetë gjarpërinj në pozicione të ndryshme, që rrethojnë inicialet e emrit të Faik Konicës. Kjo logo mban edhe si shënim në greqisht një thënie tipike të nxjerrë nga vepra e filozofit të mirënjohur Erasmus i Roterdamit (Desiderius Erasmus), të cilën Konica e ka perifrazuar në frengjisht qysh te “Albania”, nr. 1, Janar 1902: “Il disent ce qu’il veulent: qu’il continuent, je n’en moque!” (Le të thonë ç’të duan, mua aq më bën..!) Shtampa “EX LIBRIS”, me përmasa 4.5X5.75, është gjetur rastësisht në « libra-raftin e Vatrës” dhe iu besua në fillim të viteve ’80 Kishës autoqefale të Nolit, ku u ruajt më tepër se 35-vjet në « Bibliotekën e Fan Nolit » në Boston, duke nderuar amanetin e vetë Konicës, shkruar Nolit në vitin 1942. Si relik historik është kataloguar në sistemin numerik të bibliotekës noliane dhe si i tillë është kundruar nga qindra vizitorë, studiues e admirues të Konicës, shqiptarë dhe jo shqiptarë, të mirëpritur gjatë këtyre viteve në arkivën noliane. Sipas shënimeve që shoqërojnë Shtampën, mendohet se EX LIBRIS F.K. është realizuar nga skulptori belg Paul Nocquet, mik i ngushtë i Konicës, me të cilin ai u ushtrua në sportin e skermës gjatë kohës së qëndrimit në Bruksel. Ky dhurim vijon me plotësimin e amanetit të Konicës, duke mundësuar përmes bashkëpunimit të ngushtë të dy Ministrive, sjelljen në BKSH, të një sasie librash të bibliotekës së Faik Konicës që tashmë janë gjetur pranë komunitetit shqiptar në Sh.B.A. falë punës e kontributit të zotit Agron Alibali.

Leave a Reply

Your email address will not be published.