Home / Arte / Libri / “Moska e fantazmave të viteve ’50 nuk është larg nesh”

“Moska e fantazmave të viteve ’50 nuk është larg nesh”

“Muzgu i perëndive të stepës” në botim të ri në gjermanisht

 Nga Beqë Cufaj

Është koha që për shkrimtarin më të njohur shqiptar Ismail Kadarenë të thuhen ca gjëra. 80 vjeçari i lindur në qytetin e gurtë të Gjirokastrës, i cili përpos tij, bijve të shqipes u dha edhe dy personalitete tjera historike në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, diktatorin Enver Hoxha dhe themeluesin e gjuhës letrare shqipe Eqrem Çabejn, pos që i mbijetoi si njërin ashtu edhe tjetrin sot është një prej autorëve më të rëndësishëm të gjallë të Kontinentit.
Kadare në Gjermani nuk është emër i panjohur. Përkundrazi. Qysh në kohën e ndarjes së vendit veprat e tij u botuan edhe tek Shtëpia Botuese “Volk und Welt” në Berlinin lindor por edhe në “Malik” apo “Residenz” e mëpas edhe si botime xhepi në “dtv”. Sidoqoftë, pas rënies së Perdes së Hekurt me autorin shqiptar ngjau diçka e çuditshme, për të mos thënë e papërsëritshme.  Atbotë, shkrimtarë të njohur dhe pak më të njohur shqiptarë, të shtypur dhe aso që donin të shiteshin si të tillë, me rënien e regjimit të Enver Hoxhës flisnin për vepra që kishin shkruar, tregonin që s’kishin mundur t’i botonin, rrëfenin për atë sesi vetëm ata mund ta shpjegonin ferrin nëpër të cilin shqiptarët kishin kaluar për katër dekada me radhë, që ata ishin të vetmit disidentë edhepse diç e tillë në Shqipëri ishte poaq e pamundur sa është e pamundur sot të jesh disident në Korenë Veriore të Kimit.
Kasëm Trebeshina apo Kapllan Resuli nga Shqipëria, por edhe Arshi Pipa, Bilall Xhaferi dhe Martin Camaj arritën deri  në Amerikë apo Gjermani. Të gjithë këta patën çdo shans të mundshëm si të gjithë autorët tjerë emigrantë nga Europa Lindore apo Juglindore t’i bënin publike veprat e tyre. Por asnjëri prej nuk arriti kurrë ndonjë sukses që mund të përmendet. Apo sukses quhej fakti që arrinin të botonin bile diçka.
Në grupin e letrarëve të cilët pas rënies së regjimit ishin edhe shkrimtarë të gjeneratës së re të cilët formimin e tyre e kishin arritur gjatë regjimit të Enver Hoxhës dhe tashti mund të botonin. Pas vdekjes së Hoxhës disa prej tyre ishin mysafirë të trukuar në oborrin e vejushës së Diktatorit. Detyra e të rinjve do të duhej të ishte që  veprat e legjendarit Ismail Kadare që po “plakej” të difarmoheshin sepse ato ishin kritika implicite dhe tepër të rafinuara ndaj regjimit.  Këtë përpiqeshin ta bënin herë publikisht e herë në sallone letrare të Parisit apo Frankurtit, Munihut, Vjenës a Zürichut.  Kështu ngjau që në fillim të viteve 90, me  shpresa të mëdha lexoheshin këta autorë të ri, mes tyre Besnik Mustafaj, Ardian Klosi, Fatos Lubonja. Si pengesë të tyre kryesore drejt lavdisë, me një gotë verë apo manuskript të shkriftë në duar, librat e tyre të botuara në gjermanishte, frëngjishte apo anglishte, dolën të jenë një letërsi mëse e pafuqi.
Mirëpo dëmi ishte shkaktuar. Të rinjtë, me apo pa vetëdije, ishin instrumentalizuar dhe Ismail Kadarenë e kishin stampuar si protegé të Enver Hoxhës. Për të mos thënë edhe si gjoja emblemën kulturore të regjimit komunist. Vetëm pasi u kuptua që yjet e ri të qiellit letrar shqiptar nuk e kanë fijen e shkëlqimit, filloi të ndjehet mungesa e të madhit dhe moçmit Kadare- para së gjithash në tregun letrar gjerman dhe jo më pak gjatë viteve 90 në kohën e luftës së Kosovës në fundshekullin e kaluar.
Kjo sepse Kadare, shqiptari dikur i privilegjuar me shtëpi botuese si në DDR ashtu dhe në Gjermaninë Perëndimore, kishte mbetur pa botues. Edhe sot e kësaj dite për njohësit e letërsisë shqipe është një prej mistereve të mëdha sesi erdhi deri aty që tregu letrar gjerman gjente kohën dhe investonte para me shpresë e pasion për autorë mediokër nga Ballkani dhe në të njejtë kohë librat e Kadaresë mezi gjindeshin në libari- për gadi dhejtë vite.
Shikuar nga prizmi i sotëm, duhet thënë që injoranca ndaj Kadaresë në Gjermaninë e viteve 90 duhet ta ketë patur edhe anën e saj pozitive. Sepse vetëm kështu erdhi tek oguri i mirë që “Projekti Ismail Kadare” të ftillohej nga botuesi legjendar zviceran Egon Ammann dhe atë në bashkëpunim me përkthyesin më të mirë nga gjermanishtja, Joachim Röhm-in. Kështu u fillua megjithatë me botimin e librave të Ismail Kadaresë, një nga një nga një dhe vit pas viti. Prej vitit 2001 deri në vitin 2010 u ribotuan apo edhe dolën për herë të parë 9 tituj të rëndësishëm në mënyrë që pas shuarjes së Ammann Verlag këtë punë ta merrte dhe me të njejtin përkushtim vazhdon ta bëjë S. Fischer Verlag në Frankfurt.
Por, dhe këtu, edhepse Ismail Kadare është i pranishëm tash 15 vite në tregun letrar gjermanofolës letrar njeriu mund të konstatojë: një mungon, njëri mungon, vet Ismail Kadare! Mungon në televizione, radio, gazeta gjermane, ku flitet për letërsinë e librat, mungojnë kritikat e mëdha, mungon në festivale e shtëpitë e mëdha të letërsisë. Mungojnë edhe çmimet e mëdha të cilat sidomos Gjermania i ka me aq bollëk. Në Frankfurt, Berlin, Leipzig, ku Kadare është një i njohur i madh por i cili sërish lihet në qetësi dhe nuk ngjet konfrontimi me veprën e tij.  Thënë edhe më ndryshe, janë pothuajse të njejtat gazeta (përfshirë edhe këtë gazetë) dhe pak a shumë të njejtët kritikë letrarë ata që për vite të tëra janë marrë dhe vazhdojnë të merren gjerësisht me Ismail Kadarenë, duke provuar që lexuesit t’ia shpjegojnë botërat e këtij autori të madh.
Njëkohësisht, tregu letrar gjerman vazhdon gjumin kur ky shkrimtar është në pyetje. Por pse? Dhemb dhe çudit: Kadare, Kalorësi i Legjionit të Nderit në Francë, Kadare, fituesi i parë ndërkombëtar i Man Boooker Prize, Kadare fituesi Princit të Asturias, Kadare fituesi i Jerusalem Prize, dhe Kadare, tash e sa vite top favoriti për Çmimin Nobel, ende vazhdon të mos merr çmimet e mëdha letrare në Gjermani.
Mjaft më me ankesa, sepse kemi rastin të festojmë diçka. Një përkthim dhe botim të ri nga Kadare. Dhe pikërisht në këtë libër flitet për temën tonë, letërsinë dhe zanatin në fjalë, për autorët dhe botën e tyre. Dhe sërish, s’ka si të jetë ndryshe, për diktaturën dhe totalitarizmin. Me këtë “Muzgu i Perëndive të Stepave” përkthyer me shije prej shqipes nga Joachim Röhm, kemi në gjermanishte  një prej botimeve qendrore nga ky autor.
Do ta njohim këtu një Kadare krejt tjetër, para së gjithash për shkakun që asnjë nga romanet e tij nuk është më autobiografik siç është ky. Mendimtari shqiptar flet këtu për veten si shkrimtar të shekullit 20. Tregimi është i vendosur në Moskën e fundviteve 50, ku përfaqësuesit e letërsisë në Bashkimin Sovjetik dhe republikat e saj janë mbledhur brenda kulmit të një shtëpie për letërsi apo shkrimtar- Institutit Maksim Gorki. Të gjithë të ngarkuar me dy çmeduri. Mësimin dhe ushtrimin e zanatit letrar që për qëllim ka çuarjen në lavdi dhe me këtë pavdekësi. Dhe duhet të mësojnë t’i shërbejnë ideologjisë dhe kolektivit. Dhe sado që kjo ideologji nga jashtë jashtë quhet e njihet si e kuqe në fakt nuk është gjë tjetër pos një të përhiture depresive e cila ndjehet ngado. Prej apartamenteve të shkrimtarëve të cilët jetojnë pranë njëri tjetrit në një kulm e deri tek eskapadat e tyre në alkohool e shkëmbime shoqesh. Këtu pra, në Institutin Maksim Gorki, duhet të mësohet edhe zeja e propagandës së jo individualitetit të individit: një pamundësi në të cilën secila qenie njerëzore që shkruan vetëm mund të dyshojë.
Rrëfimi në fjalë, qe botuar si një tregim në një revistë letrare dhe vetëm mëpas si roman në vitin 1981 së pari në Francë. Dhe vetëm pas këtij leximi më është bërë e qartë se sa i rëndëishëm dhe çfarë mësimi ishte për Kadarenë qëndrimi në Moskë ku duhet të ketë ndryshuar pikëpamjet për botën, ku duhet të ketë mësuar peshën e fjalës, dhe ku  kishte parë domosdoshmërinë të mos ndahej nga ky manuskript. Më shumë se 18 vite është marrë Kadare me këtë tekst duke u ballafaquar me gjeografinë dhe zotërat e dalur  nga stepat ruse dhe ata që veten e shohin si krijuesit e tyre.
Për adhuruesit e Kadaresë ky roman është i rëndësishëm sepse do të përjetojnë autorin e tyre krejt tjetër- autobiografik dhe ironik. Për kundërshtarët e Kadaresë, ata pra që atij i bëjnë akuzën e afërsisë me regjimin dhe komunizmin ky libër mund të jetë  një lektyrë dhe leksion për atë sesi autori shqiptar e përjeton dhe përshkruan regjimin komunist. Të habitur dhe mrekulluar do të jenë edhe ata që nuk e kanë lexuar kurrë Kadarenë por për këtë duan ta dijnë sesi ka funskionuar një kamp për zanatin e shkrimtarëve. Dhe do të çuditen se sa pak dallime ka mes Qendrave për Creative Writing të kësaj jete me atë jetë të para 50 viteve. Sepse janë të njejtat ëndërra, synime e dëshpërime. Sqimataria deri në narcizëm, përfoljet dhe përgjimet, xhelozia dhe shtirja. Vetëm aspekti i tmerrit, spiunimit të ndërsjellë, do të duhej t’ua kalonte plaçkitësve të sotëm të ideve.
Fjala është për kohën Bashkimit Sovjetik të shekullit të kaluar. Tepër larg, pjesërisht si fantazmagori- prandaj edhe më shumë fantazmagori- kaq e njohur. Sespse sot përgjimi është edhe më jopersonal, ubikuitar, teknik, anonim. Dhe sërish, kur Kadare këtu tregon për veten dhe përjetimet e tij nga shekulli i kaluar, nuk e prek vetëm atë kohë, por edhe kohën në të cilën jemi duke jetuar: Totalitarizmin e Perandoritë, profetët e lexuesit e ëndërrave, mitet dhe ndeshjen e civilizimeve. Përkundër kësaj dhe pikërisht për  këtë shkak na del në këtë roman të mrekullueshëm të Kadaresë një individ i pakrahasueshëm, një shkrimtar inteligjenca krijuese dhe ngrohtësia njerëzore e të cilit triumfon mbi të gjitha. Ngushëllim më të madh nuk mund të ketë!

One comment

  1. mos i jepi shume fjalet pa invetare
    Kush e ka then me i njohuri??????/

Leave a Reply

%d bloggers like this: