Politika

Kanabisi, Presidenca: Këshilli nënvizoi nevojën e një reagimi serioz

Zyra e presidentit të Republikës ka dalë mbrëmjen e së premtes me një njoftim për shtyp lidhur me mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare lidhur me çështjen e kultivimit të kanabisit.
Në njoftimin e publikuar online në faqen e Presidencës thuhet se, Këshilli nënvizoi shqetësimin se ky fenomen i përhapur përbën një aktivitet të rëndë kriminal, me tendencë kriminalizimin e shoqërisë dhe me ndikim negativ në ekonominë e vendit.
“Duke e konsideruar si një kërcënim ndaj çështjeve të sigurisë këtë fenomen, në mbledhje u theksua domosdoshmëria për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, si dhe rritja e bashkëpunimit efikas me agjencitë dhe institucionet partnere ndërkombëtare që operojnë në këtë fushë”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, vijon dokumenti zyrtar, në takim u evidentua rëndësia që ka trajtimi i kësaj çështjeje në frymën e angazhimit konsensual dhe me realizëm, “duke përfshirë edhe masa të rrepta për goditjen e elementëve të inkriminuar që kanë arritur të penetrojnë në organet ligjzbatuese”, thekson Presidenca.
Në mbyllje, presidenti Nishani mirëpriti kontributet konstruktive të përcjella në këtë takim, duke vlerësuar se “task-forca e ngritur nga ekzekutivi me qëllim arritjen e një bashkëpunimi ndërinstitucional më të suksesshëm vërteton përmasën e këtij fenomeni në vend, ashtu si edhe nevojën për ta luftuar atë më me vendosmëri dhe efikasitet”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button