Ambasada e Turqisë në Shkup ngre padi për fyerje ndaj Erdoganit
Ambasada e Turqisë ka ngritur padi në Prokurorinë kompetente ndaj personit E. A., i cili posedon edhe shtetësinë e Maqedonisë, për fyerje ndaj Turqisë dhe presidentit Recep Tayyip Erdogan, raporton AA.
Në deklaratë thuhet se ndaj personit në fjalë është ngritur padi për përdorim fjalësh “përqeshëse”, “fyese” dhe “të papërshtatshme” ndaj Turqisë dhe presidentit Erdogan. “Duke i marrë parasysh edhe marrëdhëniet e afërta dypalëshe mes Maqedonisë dhe Turqisë, i propozojmë Prokurorisë kompetente të dënohet i dyshuari ndaj të cilit është ngritur padia”, thuhet më tej në deklaratë.
Ndërkaq, ambasadorja e Turqisë në Shkup Tulin Erkal Kara në deklaratën e saj në lidhje me këtë çështje tha: “Prokurorët e nderuar të shtetit mik dhe vëllazëror, Maqedonisë, njëlloj sikur për vendin e tyre, edhe ndaj fyesve të udhëheqësve të shtetit tonë kanë hapur proces gjyqësor pas ankesës sonë”. Kara theksoi se avokatët e ambasadës do ta ndjekin nga afër procesin gjyqësor.
“Jemi të bindur se personi në fjalë do ta marrë dënimin e merituar. Njoftimi në lidhje me këtë proces bëhet me qëllim që tani e tutje t’i paralajmërojmë autorët potencialë të këtij lloji të paturpësive”, u shpreh më tej ambasadorja Kara.