Home / Ekonomia / Vërshon dhënia e lejeve për HEC-et e vogla, tre aplikime në një ditë në lumin Drin dhe në Selcë

Vërshon dhënia e lejeve për HEC-et e vogla, tre aplikime në një ditë në lumin Drin dhe në Selcë

Ministria e Industrisë dhe Energjetikës është përfshirë në një proces të vrullshëm të dhënies së lejeve për ndërtimin e HEC-eve të vogla deri në 2MW. Vetëm dje u publikuan tre aplikime për ndërtimin e tre objekteve HEC-eve, dy prej të cilave në lumin Selcë në Malësinë e Madhe dhe një në Drinin e Zi.

Më herët gjatë vitit 2016, Ministria e Energjetikës miratoi dhjetëra leje të reja për ndërtimin e HEC-eve kryesisht 2 MW në të gjithë vendin. Por ndërtimi i tyre po shoqërohet me shqetësim nga banorët e zonave për shkak të dëmeve që ka krijuar ndërtimi i tyre në zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë dhe turizmit.

Burimet zyrtare të Ministrisë së Energjetikës bënë me dije se aplikuesi “E.B.S” SH.P.K., ka aplikuar për miratimin e ndërtimit të hidrocentralit “Muhur 2”, me kapacitet prodhues deri në 2 MW, mbi përroin e Murrës, degë e lumit Drin i Zi, Qarku i Dibrës.

“Selca Energji” energji është një kompani tjetër që ka aplikuar në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, për miratimin e ndërtimit të hidrocentralit “Vriela”, me kapacitet prodhues deri në 2 MW, mbi përroin e Vrielit, degë e lumit Cem, Bashkia e Malësisë e Madhe, Qarku i Shkodrës.

Aplikimi i tretë është bërë nga “W.T.S-Energji” për ndërtimin e hidrocentralit “Dobrinjë”, me kapacitet prodhues deri në 2 MW, në pellgun e përroit të Shllapit dhe lumit të Cemit të Selcës, Bashkia Malësi e Madhe në Qarkun e Shkodrës.

Prodhimi i energjisë elektrike nga HEC-e po shihet si një mjet efikas për të diversifikuar investimet nga sektori i ndërtimit. Për më tepër, tregu për këtë produkt është i garantuar dhe me çmime të fiksuara. Kostot e aktivitetit lidhen vetëm me ndërtimin e objektit dhe mirëmbajtjen e tij dhe pastaj ka vetëm fitime nga shitja e energjisë.

Ndërtimi HEC-eve të vogla ka krijuar dëme të mëdha në mjedis, por nga ana tjetër e kanë ndikuar pozitivisht prodhimin e energjisë në vend. Tashmë, këto objekte prodhojnë mbi 20% të totalit të prodhimit të energjisë hidrike në vend, duke bërë që Shqipëria t’i plotësojë gjithnjë e më shumë nevojat për konsum nga tregu vendas.

Leave a Reply

Your email address will not be published.