Politika

Meta: Toleranca fetare, monumenti ynë më i rëndësishëm europian

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mori pjesë në ceremoninë festive të organizuar në Kryegjyshatën botërore të Bektashizmit në Tiranë me rastin e festës së “Sulltan Novruzit”.

Në këtë ceremoni, Meta mbajti edhe një fjalë përshëndetësi ku i uroi të gjithë besimtarët bektashinj për më shumë paqe, harmoni dhe begati.

Kryetari i Kuvendit u shpreh se “Sulltan Novruzi” është festa tradicionale e së djeshmes që vjen në të sotmen e secilit prej nesh si një triumf i ringjalljes dhe i ripërtëritjes së jetës.

Është një ditë e veçantë që ofron mundësi të veçantë dhe të shkëlqyer për të reflektuar. Reflektim për nevojën e jashtëzakonshme që kemi si individ dhe si popull për më shumë dashuri e qetësi. Për më shumë qetësi dhe mirësi. Për më shumë mirësi në dashurinë, për jetë, respekt për të shkuarën dhe shpresë për të nesërmen. Për më shumë besim e forcë dhe për forcën që jep besimi në progresin e çdo ditë që vjen”, – tha Meta, duke shtuar se bektashizmi dhe tradita e tij është një nga lumenjtë më të rëndësishëm që mbush detin e atdhetarizmës tonë.

Është shembulli i jashtëzakonshëm i përkushtimit moral dhe i shërbesës për atdheun dhe për njeriun. Mirënjohje pafund për kontributin dhe veprën e jashtëzakonshme të etërve të bektashizmit që nga rilindja kombëtare nën emrin e vëllezërve të mëdhenj Frashëri e deri më sot. Që nga koha kur rilindi shpresa kombëtare dhe u rihodhën themelet e asaj çfarë ka qenë dhe çfarë do të bëhet Shqipëria. Në atë projekt gjigant dashurie për atdhe është vëne mendja, zemra, pasioni dhe shërbesa e besimtarëve bektashinj dhe gjithë shqiptarëve që besonin tek Shqipëria”, – u shpreh Kryetari i Kuvendit, z. Meta.

Më tej, ai vuri në dukje se ky besim fetar mbetet një nga pasuritë më të mëdha të vendit tonë dhe monumenti më i rëndësishëm europian, për shkak të vlerave të harmonisë dhe bashkëjetesës që mbart.

Duke festuar sot dhe duke uruar njëri-tjetrin, ne e shohim ketë festë edhe si një tjetër simbol  të bashkëjetesës sonë të shkëlqyer të tolerancës fetare. Kjo është një nga pasuritë tona më të mëdha, ky është monumenti ynë më i rëndësishëm europian. Ndaj në këtë ditë feste dhe besimi, lutem dhe shpresoj për më shumë mbarësi dhe harmoni me njëri-tjetrin e punë të ndershme. Lutem e shpresoj për më shumë harmoni, bashkëjetesë dhe dashuri”, nënvizoi Meta në mesazhin e tij në nder të kësaj feste.

Related Articles

Nje koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button