Home / Politika / Koalicioni PS-LSI, Peleshi: Më e rëndësishme kontrata me qytetarët

Koalicioni PS-LSI, Peleshi: Më e rëndësishme kontrata me qytetarët

Numri dy i qeverisë, Niko Peleshi tha se po flitet për një kontratë të re me LSI, por sipas tij më e rëndësishme është kontrata me qytetarët.

“Fakti që ne kemi qeverisur për katër vite me një koalicion me LSI dhe po mbyllim këtë mandat do të thotë se koalicioni ka qenë i suksesshëm. Tani po flasim për një kontratë të re por për mendimin tim më e rëndësishme se kontrata mes partive është kontrata me qytetarët dhe votuesit. Ndaj do të përgjigjesha me kënaqësi për çdo pyetje për ofertën apo programin e PS për zgjedhjet e ardhshme.

Shqiptarët presin nga ne të vazhdojmë rrugën e transformimit dhe ndryshimit dhe ne jemi të vetëdijshëm për arritjet dhe sfidat të mëdha që vendi ka. Jemi te vetëdijshëm se s’kemi qenë perfekt dhe ka ende plagë të shoqërisë që duhen kuruar por Shqipëria ka hyrë në rrugën e rritjes dhe të ndryshimit.

Shqiptarët nuk janë të interesuar për marrëdhëniet mes partive por për programin dhe punët e mëdha te filluara“, tha Peleshi gjatë përurimit të një shkolle në Kamenicë..

Në lidhje me protestën e PD, Peleshi tha se kjo forcë politike është duke u rrënuar.

“Me vjen keq kur shoh se PD që ka lindur nga energjitë rinore të brezit tim të fillimit të viteve ’90. Me vjen keq që shoh sesi imazhi i kësaj partie është duke u rrënuar. Loja politike luhet kur skuadrat ecin me të njëjtin standard. Qytetarët janë shumë pak të interesuar për lojërat politike dhe shumë të interesuar për të ardhmen e tyre”, deklaroi Peleshi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.