Home / Politika / Zgjedhja e presidentit, juristët e Kuvendit: Mund të nisë që nesër

Zgjedhja e presidentit, juristët e Kuvendit: Mund të nisë që nesër

Procedura për zgjedhjen e presidentit mund të fillojë që nesër. Ky është opinioni juridik që Administrata e Kuvendit i ka dërguar kryetarit Ilir Meta.

Për shkak të një përcaktimi të hollësishëm në Kushtetutë, që e lidh nisjen e procedurave për zgjedhjen e presidentit me mbarimin e mandatit të Kuvendit, kishte disa paqartësi nëse procedura duhej të niste në korrik apo mund të nisë që në prill.

Duke interpretuar afatet kushtetuese, Shërbimi Juridik i Kuvendit thekson se, e rëndësishme është që procedura të mos nisë më vonë se 9 korriku, afat ky që përkon me periudhën 60-ditore përpara mbarimit të mandatit të Kuvendit.

Sipas Shërbimit Juridik, procedura për zgjedhjen e presidentit duhet të nisë jo më vonë se 9 korriku, por jo më herët se 13 prilli.

Deri tani, forcat politike janë shprehur fare pak dhe në mënyrë shumë të përgjithshme për çështjen e presidentit. Por tani është e qartë se zgjedhja e tij do të bëhet në një situatë krejt të pazakontë politike.

Leave a Reply

Your email address will not be published.