Libri

Për dashurinë si një përjetim universal

Çdo krijim poetik në vetvete, është në të njëjtën kohë, një përgjigje dhe një pyetje mbi autenticitetin e poezisë, është një gur i çmuar i vendosur në ngrehimat e kësaj kështjelle të kristaltë të shpirtit, që nuk mbaron kurrë së ndërtuari, ashtu si vetë qenia njerëzore që nuk njeh limite eksplorimi. Megjithatë, ende në ditët tona pyetjet se «Çfarë është poezia », «Cili është çelësi për ta kuptuar atë», «Cilat janë limitet e saj», marrin ende përgjigje të ndryshme, jo vetëm nga krijuesit e poezisë, por dhe nga studiuesit e tyre, që shpesh me ngulm e quajnë atë «magji, enigmë, instikt qiellor, fshehtësi hyjnore, perlë e xhevahireve të shpirtit », etj. Kur lexon një libër poetik si « Adresa ime : poezia n°infinit» Irena Ngucaj-Scirè-s, me nuanca të fuqishme intelektuale dhe kulturologjike, nuk ka sesi të mos mendosh për rolin dhe vendin e poetit si përcjellës të kujtesës dhe parkursit të poezisë përmes kohërave. Rimbaud e shihte poetin si figurën « supreme të dijetarit». Dihet që poezia është forma më e lashtë dhe më e zgjedhur e artit të fjalës dhe si e tillë, është në të njëjtën kohë dhe ajo më e studjuara. Në këtë optikë integrohet natyrshëm ky vëllim poetik me një titull sa shumshprehës aq edhe intrigues. Infiniti para se të ishte nocion matematik, në fillesat e tij, ka qenë nocion filozofik, nocion literature apo edhe linguistik. Përdorimi i këtij simboli nuk është rastësi, por një zgjedhje autoriale, pasi ai krijon një substrat logjiko-matematik, një pasqyrim virtual, që në «aparencë» është i shkëputur nga jeta, por që në anën tjetër funksionon si «kulla e Babelit» nëpërmjet «konfuzionit gjuhësor» dhe mjeteve figurative të përdorura në vepër.

Ky vëllim poetik është një përpjekje e rafinuar e sofistikimit të shprehjes së ndjenjës, e gjuhës së krijimit të imazhit poetik që përcjell, dhe formën me të cilën e përcjell atë, duke mos lënë mënjëanë strukturën konceptuale dhe emocionale, e cila bëhet më e pasur e më e unifikuar, nga integrimi i një ekuilibri mahnitës, që i korrespondon ekuilibrit të admirueshëm shpirtëror të vetë poetes (do fluturoj me heshtjen/tëgjej vetveten, e lirë një ditë). Hajdegeri thotë që «gjuha është qelë e qënies », dhe, duke e parë poezinë e kësaj autoreje, në këtë aspekt, do të afirmoja se ky libër me poezi ka pikturuar me ngjyrat më ngazëlluese, e në formën më të rafinuar «qelën» e poetes, me kaligrafinë më të çuditshme të amebave të shpirtit, me ngadhnjime dehëse, me lulëzim pranveror e gjethërënie vjeshtore, me përgjërime dashurore midis qerpikësh të lagur, ku formohet disfraksioni i dritës hyjnore, ku koha hepohet ndërmjet momentit të çastit, të sapokaluarit dhe të paardhurit.
Këto poezi janë një shpalim tejet i guzimshëm i një shpirti të begatë, plot etje dhe dashuri për jetën, janë një thirrje e fuqishme me zërin e sublimuar të femrës shqiptare që zgjidh vargjet e hipokrizisë konvencionale, me një krenari e sfidim pakompromis, duke shkallmuar themelet e moralit të rremë me një sinqeritet drithërues. Dihet që ligjet e veta, jeta ia imponon së pari gruas, duke i besuar asaj dashurinë, dhe pavdekësinë, dhe poetja e ka kuptuar këtë më së miri, duke shfrytëzuar çdo rast për ta pushtuar jetën me një fuqi të jashtëzakonshme, në shumëanësinë e saj, së bashku dhe mrekullitë që ajo të ofron. Të duket sikur vargjet përngjyhen me një materie fosforeshente, ku poetja vizaton me rrezen e diellit, flet me gjuhën e ajrit, kompozon me dritën e hënës, amëson rrjedhjen e kohës, me kapërcimin imagjinar përtej të mundshmes, duke shkallmuar binomin jetë-dashuri, detyron natyrën të çlirojë sekretet e saj. Diçka të tillë mund ta bëjë vetëm një krijim letrar i mbështetur në një kornizë kulturore të larmishme, që duhet të realizojë virtualisht «ekzagjerimin», duhet të çlirohet nga çdo lloj patetizmi anakronik, duhet të shkatërrojë paradigmat dhe tabutë çensuruese, duke ruajtur njëkohësisht të pacënuar natyrën estetike të veprës, që është një nga thelbet e përhershme të letërsisë.
Ritmi tepër lirik i ligjërimit, na bën të mendojmë sipas teoricienit gjerman Kajzer, se veprës i përgjigjet stili i evokimit, në të cilën mbështetet, me ose pa vetëdije, ky vëllim me poezi, duke plotësuar kërkimin e natyrshëm të kuptimit të egzistencës, të dashurisë, të gëzimit, të dhimbjes dhe të humbjes, në formë sa personale aq dhe të përgjithësuar.
Lirika e dashurisë zë një vend të veçantë në libër. Dashuria, ky moment i mëkatit biblik, mbart brenda vetes magjepsjen e ëndrrave, peizazhet lirike, forcën dhe energjinë e palimit, mitet e gjeografisë dashurore, të mistershmen e gjallimit, përpjekjen për të gjetur të veçantën në parëndomtësinë e gjërave që kemi parë dhe prekur, strumbullarin filozofik të ardhjes së njeriut në jetë, zjarrit të dashurisë, atij që harlis qeniet, shpirtëzon botën e ripërtërin jetën.

Poetja ka aftësinë magjike ta bëjë të ndjeshme, të prekshme dhe ta lartësojë gjuhën poetike, e cila nëpërmjet stilit dhe konotacioneve të saj ngrihet mbi kuptimin metaforik e emocional të jetës njerëzore.
Autorja është një nga ato poetesha, që mendon si Dostojevski, që bukuria do të shpëtojë botën. Vizioni i saj përqafon, vizionin metaforik lorkian me një shtrirje shumëdimensionale ashtu si edhe Borgesi e Eko, duke na u shfaqur si një autore me një individualitet të spikatur, me maturitet dhe detaje befasuese, që në librin e saj të parë, duke nxjerrë kështu në dukje, përpjekjen e saj të vazhdueshme për krijimin e një stili personal, mbështjellur me butësi lirike, i cili përkon njëkohësisht me krijimin e vetvetes, në aureolën e atributeve njerëzore, mes kompleksitetit dhe kontrastit ndaj vetvetes dhe të qënurit ndryshe, midis të përkohshmes dhe të përhershmes. Ajo i zbulon lexuesit dëshirën për të dashur, atë që duhet dashur, edhe nëse ky i fundit akoma nuk e di. Ajo krijon një bashkëbisedim kritik dhe jo kritik me lexuesin, si tek poezia « Lindja e një poezie » : « kur poezia lind/, shuan flakën e brishtë/ e pret me ndrojtje që foshnjen e tij/lexuesi ta vesh/me kujtesë e pëlqim. »
Do të ishte gabim, po të mendonim pa u thelluar që poezitë e këtij vëllimi janë narcisike apo kanë shumë nota të tilla. Megjithëse veta e parë «Unë» është e pranishme, ajo shfaqet herë pas here nëpërmjet dialogut me figurat e tjera si «ti», «ai». Poetja, po aq sa ndahet nga njeriu si qenie njerëzore, aq dhe zhytet në humanitetin e botës së tij emocionale, dëshirës për të bukurën, përjetësimin e jetës dhe të dashurisë, këtë filigran blu të shpirtit. Ajo krijon një korrespondencë ndërmjet sentimenteve dhe natyrës që përdor për përshkrimin e tyre, ashtu si Baudelaire tek «Lulet e së keqes», ku melankonia gërshetohet me elementët e peizazhit, dhe si tek Verlaine në « Këngë vjeshte», duke përdorur figura të pasura stili, si përsëritjet, metaforat, krahasimet, anaforat e alegoritë.
Unë-i i poetes nuk shpreh identitetin e shkrimtares si në autobiografi. «Vetja» është në të njëjtën kohë «krijuese dhe destinuese», ajo nuk egziston para krijimit, por formohet gjatë prodhimit të saj, hapësira dhe koha të evokuara nga poetja, janë shpesh « fillim e mbarim», momente kalimi kufijsh, dileme, ndarjeje, nostalgjie, janë momente të kontaktit të fundësisë dhe pafundësisë. Shprehja «Unë» në këto poezi lirike përshkruan topografinë e shpirtit të njeriut. Ajo bazohet me një penetrim vendimtar në thellësinë e qenies së tij, duke angazhuar vetë themelet e kësaj qenie, deri aty ku ka humbje tërësore të ndërgjegjes individuale, duke kaluar në rrafshet më të thella, aty ku ai vetë nuk egziston më, aty ku shkrihet me materien e kozmosit, si tek poezia « Viktimë e vetes » – si një klesider të zbrazta nga zemra në fund të këmbëve, apo tek poezia « Mos » – mos bli të ardhmen me bindjen për të më harruar/mos i shit ndjenjat në treg «kam frikë të dashuroj».
Ajo mbështetet me mjeshtri në mënyrë konsekuente tek magja e gjuhës, duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë associative të fjalës, duke lidhur e ç’lidhur përmbajtje nganjëherë edhe të errta (si ferri), me ato me fuqi misterioze (si parajsa), duke refuzuar gjuhësisht vendngjarjen dhe kohëndodhjen, e duke fituar në këtë mënyrë hapësira e shtrirje në poezinë e saj, që e bëjnë atë të na shfaqet me një profil të kultivuar, e një elegancë ligjërimi sa moderne aq edhe bashkëkohore. Kumptimet me masë e natyrshmëri, gjërësia dhe thellësia e përfytyrimeve, i japin veprës një ton bashkëbisedor në rrafshin ndjesor, ku të duket sikur « shpirti i flet shpirtrave », pasi për këtë mjeshtre të fjalës, shpirti është më i rëdësishëm se gërmat, të cilat jo rrallë ndodh që vetizohen, izolohen e ngurtësohen. Poezia e saj dallohet për një lirizëm meditativ e vizionar, me ngjyrime filozofike, ku metafora e jetës dhe respekti ndaj sublimes «dashurisë njerëzore», mbetet gjithnjë unike. Dashuria, kjo ndjenjë polivalente, sa njerzore aq dhe hyjnore, është dhe ka qenë një burim i përhershëm frymëzimi, ajo i ka dhuruar poetëve çaste të mrekullueshme të shumëfishuara me kohën e përjetësisë, të tejndara nga malli, nga mungesa, nga ndarja, nga ankthi i humbjes, por në të njëjtën kohë ajo është dhe katedralja e shëmbëlltyrës së lirisë njerëzore.
André Breton thoshte se «vetë dashuria e çmendur kushtëzon një sjellje reagimi lirik», dashuria për personin e dashur na mjafton për të na shndërruar në një «fabrikë imazhesh». Duke i parë gjërat në këtë optikë, Breton shton se «pavarësisht se çfarë ndodh apo nuk ndodh, vetëm pritja në vetvete është fantastike. Pritja, mendimi për të dashur (ë)in, shumëzon lidhjet dhe raportet që ky person krijon, është një «ethe» që asgjë s’i shpëton. Nga kjo gjendje mendore, shpirtërore e fizike komplekse, lind natyrshëm një gjendje poetike, një «konfuzion» i orientuar, një rrjet fijesh emocionale rrotull një boshllëku, si një vello e padukshme që mbështjell një trup fizik që mungon, ku parandjenja dhe pasiguria, shndërrohen në një farë «dije» të çuditshme njohje. Në këto rrethana vetë llogjika s’është prezente, nuk ka më dallim midis nocionit objektiv e subjektiv dhe krijimi rrjedh vetvetiu si e vetmja «zgjedhje». Është ajo që Stéphane Mallarmé quan «L’amplifikation à mille joies de l’instict du ciel», (« amplifikimi i njëmijë gëzimeve të instiktit qiellor »), ku intimiteti strikt gjallon që të gjitha etjet, kthehet në princip hapjeje, komunikimi me të tjerët dhe botën që na rrethon, duke i dhënë vetë substancën poezisë. Ashtu si Rimbaud, kemi përshtypjen se poetja komunikon me një botë tjetër, ka një rol mistik, «Unë» është një tjetër, e të duket sikur vepra në momente të caktuara nuk i përket autores, duke u çliruar prej saj për tu kompletuar nga leximi dhe refleksionet që i sjell lexuesi. Madje autorja e reklamon këtë tek lindja e një poezie :
E kur poezia lind, shuan flakën e brishtë/e prêt me ndrojtje që foshnjen e tij/lexuesi ta vesh me kujtesë dhe pëlqim, apo edhe tek poezia «Requiem për Ty», Po të lë me vargun tim të pashkruar/do fluturoj me heshtjen/të gjej vetveten, e lirë një ditë.
Të komentosh poezitë e Irena Ngucaj Scirè-s, është njësoj si të mundohesh t’i japësh formë e vëllim një lënde inkandeshente, sepse lexuesi ngarkohet me imazhe, me ndjesi të pazbuluara, të paprovuara, që në vetvete krijojnë një unitet, jashtë të cilit nuk është e lehtë të dalësh pa lënë diçka nga vetja. Poezija e saj është si drita që na detyron të hapim sytë.
Karakteristikë tjetër e poezive të këtij vëllimi është dhe mesazhi humanist e pozitiv që ato përcjellin edhe në momentet e dhimbjes, zhgënjimit, apo të humbjes së njeriut të dashur, është ajo që pa frikë mund ta quajmë «dashuria e dashurisë». Qeniet njerëzore, mbit të gjitha, janë bërë për tu dashur, për tu takuar, për tu ndarë dhe për të provuar sëbashku emocione të forta.
Në poezitë e «Adresa ime : Poezija n° infinit», çdo gjë është transparente, por në të njëjtën kohë sensi i saj na «shpëton», ka një thjeshtësi dhe një kompleksitet në vargjet e tij, një ritëm të ri të panjohur, që flirton me «trupin fizik» duke e shndërruar atë nëpërmjet një kaskade imazhesh, në objektin e një erotizmi sa të rafinuar aq dhe fuqiplotë.
Gerard de Nerval (1808-1855) thotë : «Une femme est l’amour», – gruaja është personifikimi i dashurisë, – dhe dashuria është një konsekuencë e vërtetë e ekzistencës së gruas, pasi bukuria dinjitoze që femra mbart në vetvete, ngjall admiracion. Platoni, duke zbuluar Erosin në dimensionin e dashurisë për të bukurën, thotë se është ai që e udhëheq njeriun, nga bota e ndjesive e perceptimeve, në atë të ideve, ai na shtyn ta braktisim aparencën për të kapur atë që është transhendente, ai është ndërmjetësi nëpërmjet të cilit njeriu lidh njerzoren me divinen.
Përmes poezive të kësaj autoreje njihemi gjithashtu me mënyrën origjinale të mendimit, të ëndërrimit, të perceptimit, të të dashurit, të dhimbjes, zhgënjimit apo edhe të vdekjes, si një «hap-shpirt-mendje» universale, që nuk njeh kufij. (« Mungesa jote », peshon mungesa jote/më njollos, më flamos me helm shekspirian/E duke pirë dhe pikën e fundit/bëhen mungesë e mungesës tënde, apo « Sublime », pyll shpellë gulçima…..) Dashuria transfiguron botën e jashtme që rrethon individin dhe e kthen atë në sensuale, në burim lumturie, paqeje, që ngop senset e uritura e i jep krahë imagjinatës. Dëshira për tjetrin qëndron në eksperiencën që çdokush mund të bëj duke gjetur limitet e vetes, pasi qenia njerëzore në vetvete është gjysma e një të tëre, ku çdo gjysmë kërkon me ngulm kompletimin me gjysmën tjetër, kërkon të provojë ngazëllimin e kënaqësisë trupore, plotësimin e dëshirës për të kënaqur veten. Forca e kësaj eksperience jetësore qëndron në parezistueshmërinë e thirrjes për tjetrin, në « pangopësinë » e dëshirës për të kënaqur veten. Autorja e sheh dashurinë si një përjetim universal, vargu i saj të pushton e të bën të vibrosh së bashku me të, deri në rezonancë, të bën të humbësh në figuracionin e tij, të shtosh « kreshendo » intensitetin e ndjesive, që zgjon brenda nesh nëpërmjet kapërcimeve që e thërmojnë vetë kohën, duke na krijuar në sfond telajon e një pikture që flet. («Me heshtjen», një jetë të tërë që bëj dashuri/ Me fantazmën tënde të modeluar. )
Vizioni poetik i autores, simbolika e fuqishme (me heshtjen askush s’ka bërë dashuri) dhe preambula filozofike krijon para nesh një kënd vështrim panoramik, me një larmi ideore dhe një tingëllimë qetësuese e të besueshme.
«Mos u zëmëro», Dua thjesht të të mbaj/ jashtë atij burgu të frikshëm fjalësh/ ku pranga janë premtimet), «Zbathur», Ç’të duhen këpucët i gjorë/ Të zbathur ti ke zemrën/
« Ti mbete», Ti mbete në ashensorin e mendjes sime/që ngjit dhe zbret historinë tonë pa destinacion/ Ti mbete në të ardhmen e pashkruar akoma.
Këto poezi më bëjnë të kujtoj strukturën simbolike që kristalizohet nëpërmjet fjalëve shumëvlerëshe e të spikatura të poezisë  «Eseninit» të Ilirjana Sulkuqit (Ku më gjete që më zhveshe/ gjer në palcë të trupit tim/ me ty puthem, qaj me vete/ Unë jetime, ti jetim).
Poezitë e sipërpërmëndura janë një urë lidhëse midis filozofisë dhe poezisë si art më vete, ato na japin mundësinë të kuptojmë se autorja e sheh filozofinë, si një akt hetimi intelektual të domosdoshëm, që ndjek të vërtetat e jetës përtej sensit të përbashkët, si një proçes arsyetimi abstrakt të pasqyruar në analizat logjike, por që në të njëjtën kohë formon dhe elasticitetin e simbolikës poetike për atë që është e pashprehshme apo multishoqërore ( Barthes 1982, Mbi prespektivën semiotike të poezisë), duke e shndërruar vetë poezinë në një koncentrat ndjesish të sinqerta e drithëruese të një momenti të privilegjuar. Fusha leksikore ka forcë dhe pushtet, duke afirmuar punën kolosale të poezisë me fjalën, dhe artin e shprehimit, nëpëmjet të cilit, poetja amplifikon ekon e jetës, modelizon ëndrrat, kompozon në pentagramin e ndjenjave e manipulon kodin binar « jetë–dashuri».
Për Irena Ngucaj–Sciré-n,dashuria është absolute, në sensin që ajo bashkon gjithçka që e kompozon atë, sentimentet, sensualitetin, fizikun, djegien nga dëshira, vuajtjen, imagjinimin e kënaqësisë ku trupat janë memorabël. Poetja vizaton nëpërmjet poezisë së saj gjeografinë universale të dashurisë, duke përdorur transmutacionin e diskursit dashuror në diskur poetik. Për autoren «planeti-jetë» rrotullohet në aksin e dashurisë dhe lexuesi pluskon në atmosferën emocionale të krijuar nga vargjet. Poezia, ky « lluks » i domosdoshëm i jetës, kjo orkestër gjigande, ku sinkronizimi bëhet nga dirigjenti virtuoz «shpirt», na jep mundësinë të lundrojmë në pafundësinë e oqeanit të diversitetit, duke u tërhequr nga manjetizmi i universit të saj poetik, i cili është i pakrahasueshëm me format e tjera të artit. Shpresoj që një ditë, poezia të rrëzoj muret linguistike izoluese, e të gjej si muzika, gjuhën e saj universale pa pasur nevojë për përkthim, pasi bota e sotme, në muzeun e saj shpirtëror, ka nevojë për këto pasuri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button