Home / Kosova / Bie qeveria Mustafa, Kosova në zgjedhje të parakohshme

Bie qeveria Mustafa, Kosova në zgjedhje të parakohshme

Partia Demokratike e Kosovës i ka dhënë mbështetje mocionit të opozitës për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës. Deputetët e parlamentit të Kosovës votuan për rrëzimin e qeverisë së Isa Mustafës.

Në Kuvendin e Kosovës, në momentin kur u votua për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë, të pranishëm ishin 114 deputetë. Nga ta, 78 votuan pro, 34 votuan kundër dhe 3 abstenim.

Vota e PDK-së për mocionin ka nënkuptuar edhe vendimin për prishjen e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe kryeministrin Isa Mustafa.

Vendimin e saj, PDK e ka arsyetuar me faktin se qeveria aktuale e ka humbur fuqinë e vendimmarrjes, duke ia atribuuar sidomos dështimin e procedimit për ratifikim në Kuvend të Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Përcaktimin e PDK-së për rrëzimin e qeverisë dhe prishjen e koalicionit, deputetët e LDK-së, gjatë fjalimeve, e kanë cilësuar si skenar të përgatitur më herët në bashkëpunim me opozitën.

Për rrjedhojë, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme. Me Ligjin për Zgjedhjet, vendi duhet të shkojë në zgjedhje nga 30 deri në 45 ditë, që i bie më 11 qershor, eventualisht më 18 të po atij muaji.

Leave a Reply

%d bloggers like this: