Home / Sporti / NBA, Cleveland merr kryesimin në finalen e Lindjes

NBA, Cleveland merr kryesimin në finalen e Lindjes

Në fazën e “playoff”-it në NBA nuk ka histori. Nëse në Konferencën e Perëndimit po dominon Golden State, në Lindje është Cleveland ai që ka vendosur diktatin e tij.Skuadra nga Ohajo e tregoi këtë edhe në finalen e parë të kësaj konference me Bostonin, në “TD Garden”, duke mposhtur Celtics me rezultatin 117-104, sukses ky që ishte i 9 radhazi për Cleveland në “playoff”.

Cavaliers e mori kontrollin e ndeshjes që në periodën e parë, kur kryesoi 30-17. Në periodën e dytë diferenca u thellua akoma më shumë, me Cleveland që e çoi atë deri në 26 pikë, për të shkuar më pas në pushimin e ndeshjes me rezultatin 61-39.

Situata vazhdoi të ishte e njëjta edhe në 2 periodat e tjera, kur Cleveland shënoi edhe distancën më të thellë të rezultatit (88-60), për ta administruar atë me mjeshtëri. Në një situatë të tillë, publiku vendosi të largohej ndërsa Bostoni, i detyruar të pranojë verdiktin e parketit.

Më i miri për kampionët në fuqi ishte padyshim LeBron James, me 38 pikë të shënuara, ndërkohë që shkëlqyen edhe Kyrie Irving e Kevin Love, të cilët e mbyllën sfidën respektivisht me 20 dhe 32 pikë. Për Bostonin, që ishte në një ditë të errët, Crowder e Bradley shënuan 21 pikë, ndërsa Thomas e mbylli sfidën me 17 pikë e 10 asist, shifra këto që nuk i mjaftuan Celtics për të përballuar uraganin Cleveland.

Ndeshja e dytë e finales së Konferencës së Lindjes do të luhet mbrëmjen e së premtes, sërish në “TD Garden” të Bostonit.

Leave a Reply

%d bloggers like this: