Home / Rajoni / Maqedonia / Qeveria e Maqedonisë, Zaev takon Selën. Ndahen postet për Aleancën

Qeveria e Maqedonisë, Zaev takon Selën. Ndahen postet për Aleancën

Kreu i LSDM-së, njëherazi personi i mandatuar me krijimin e qeverisë së re maqedonase, Zoran Zaev vazhdon të hënën bisedimet me partitë politike, të cilat me firmat e tyre u bënë pjesë e shumicës parlamentare.

Televizioni “Alsat” raporton se Zaev do të zhvillojë gjatë ditës një takim me kreun e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, i cili ka paralajmëruar një konferencë për shtyp, e para pas zhvillimeve të dhunshme të 27 prillit.

Takimi me Ali Ahmetin e BDI-së pritet të ndodhë të martën. Qarkullojnë informacione të ndryshme mbi numrin e ministrive që do të ndahen për partitë shqiptare.

BDI mendohet se do të ruajë të njëjtat pozita si në qeverisjen e kaluar, por nga partia e Ahmetit nuk ka ende një vendim përfundimtar, edhe pse disa poste mund të lëvizin, në varësi të portofoleve që do t’iu jepen LR-PDSH-së dhe Lëvizjes Besa, nëse kjo e fundit vendos të marrë pjesë në qeveri.

E para mund të marrë dy apo 3 poste, përfshirë atë të zv.kryeministrit, si dhe Ministrinë e Shëndetësisë. Në këmbim të kësaj të fundit, shqiptarët hoqën dorë njëzëri nga Ministria e Arsimit. Besa, ndërkohë, vazhdon ta mbajë pezull Zaevin për pjesëmarrjen ose jo në qeveri.

Jo zyrtarisht flitet se ajo ka kërkuar numër të lartë postesh, ndërkohë që nuk përjashtohen edhe zërat se ky qëndrim është thjesht taktikë për të mos lëkundur votuesit për zgjedhjet lokale. Ka dhe zëra, sipas të cilave hezitimi vjen si pasojë e hetimeve ndaj subjekteve juridike të dyshuara si të përfshira në skemën e financimit apo qarkullimit të parave nga Turqia.

Pasi partitë të arrijnë marrëveshje, Zaev duhet të dorëzojë në Kuvend programin e Qeverisë dhe propozimin për përbërjen e kabinetit qeveritar. Pas kësaj, Parlamenti ka 3 ditë afat për ta vendosur në rend dite votimin e Qeverisë së re, miratimi i së cilës kërkon shumicë të thjeshtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.