Libri

Akademia e Shkencave, konferencë për 70-të vjetorin e Rexhep Ismajlit

70-të vjetori i lindjes së akademikut Rexhep Ismajli, po festohet me një konferencë shkencore në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.

Studiuesja Floresha Dado e quajti Ismajlin një figurë të rëndësishme të shkencës shqiptare. Myzafer Kërkuti, kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, u shpreh se Ismajli është një figurë kryesore e albanologjisë, dhe një njeri i cmuar i shkencës shqiptare.

Rexhep Ismajli, albanolog, linguist, profesor e akademik, lindi në Preshevë më 1947. Studimet për gjuhë dhe letërsi i mbaroi në Prishtinë më 1971. Në vitet 1971-1973 specializoi për gjuhësi në Institut de linguistique générale et appliqué “René Descartes” (Sorbonne), Paris, nën drejtimin e André Martinet.

Më vonë (1977/ 78) vazhdoi specializimin në Institut für Allgemeine und Vergleichende Sprachwissenschaft të Universitetit të Bochum-it. Doktoratën në shkencat filologjike, me tezën Gjuha shqipe e Kuvendit të Arbënit (1706) – hulumtime grafiko-fonologjike, e mbrojti në Universitetin e Prishtinës, më 1982.

Më 1972 filloi punën si asistent, pastaj ligjërues, docent, profesor inordinar dhe profesor ordinar për lëndët Gjuhësi e përgjithshme dhe Histori e gjuhës shqipe në Degën e Gjuhës Shqipe të Fakultetit Filozofik/Filologjik të Universitetit të Prishtinës. Gjatë kësaj kohe i ka drejtuar studimet e Gjuhësisë së përgjithshme dhe të Historisë së gjuhës shqipe në Studimet e shkallës III në Degën e gjuhësisë në Fakultetin Filologjik të Prishtinës.

Më 1989 policia jugosllave e vuri në “izolim” për 3 muaj në burgjet e Leskovacit, të Beogradit dhe të Prishtinës, pa mandat gjyqësor.Në vitet 1990-1993 ka mbajtur mësime për gjuhën shqipe dhe gjuhësinë shqiptare në Universitetin e Lubjanës.

Më 1997 ishte për një semestër profesor i ftuar (Gastprofessor) në Universitetin Ludwig-Maximilian të Münchenit për të mbajtur mësime për albanologji. Pastaj vijoi mësimdhënien për albanologji në München deri në vitin 2000. Në vitin 2000 u kthye në Prishtinë të vazhdonte mësimdhënien në Universitet. Më 1993 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Tre vjet më vonë u zgjodh anëtar i rregullt.

Në vitet 1996-1999 ka qenë Sekretar i Seksionit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, ndërsa në vitin 2000 u zgjodh Sekretar i përgjithshëm i kësaj akademie.Në vitin 2002 u zgjodh anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe të Arteve me seli në Vjenë/ Salzburg.Si përfaqësues i ASHAK është anëtar i Interacademic Human Rights Network, New York.Në tetor 2002 u zgjodh Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.Më 1971, bashkë me Ibrahim Rugovën dhe Hivzi Islamin, themeloi revistën shkencore Dituria.

Nga viti 1990 ishte i angazhuar në lëvizjen politike në kuadër të Lidhjes Demokratike të Kosovës LDK, në të cilën ishte anëtar i Kryesisë me përgjegjësi për marrëdhëniet ndërkombëtare. I pakënaqur me zhvillimet, më 1994 dha dorëheqje nga posti politik.

Përveç si profesor, ka qenë i angazhuar rreth botimit të revistave shkencore, si: Dituria, Recherches albanologiques 1-4, Prishtinë (frëngjisht), Studia humanistica, Prishtinë, Godišnjak društava za primenjenu lingvistiku Jugoslavije, Beograd, Studime, ASHAK, Filologji, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë, Thema, revistë e sociologjisë, Prishtinë, etj.; bashkëthemelues dhe redaktor i botimeve Fryma, (mbi 70 vëllime në fushën e dijeve shoqërore), Rozafa (letërsi), Dukagjini Balkan Books (frëngjisht, anglisht dhe gjermanisht), të shtëpisë botuese Dukagjini.

Ka marrë pjesë prej fillimit në punën e Qendrës së Kulturës Shqiptare për të Huajt/ Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, në fillim Sekretar, anëtar i Këshillit drejtues, ndërsa në vitet 1998-2002 Drejtor i Seminarit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button