Home / Europa / Organizatat humanitare “injorojnë” Italinë në Mesdhe

Organizatat humanitare “injorojnë” Italinë në Mesdhe

Pesë shoqata humanitare që operojnë me anije shpëtimi në Mesdhe kanë refuzuar të firmosin kodin e sjelljes së qeverisë italiane.

Anijet e organizatave humanitare luajnë një rol të rëndësishëm në operacionet e shpëtimit dhe këtë vit kanë shpëtuar një të tretën e emigrantëve që kaluan detin Mesdhe.

Por Italia druhet se anijet e tyre lehtësojnë trafikun e njerëzve dhe propozoi një kod me rreth 12 pika për të kontrolluar më mirë situatën.

Tre organizata, mes të cilave Save the Children, e firmosën kodin, ndërsa të tjerat që nuk pranuan, sipas Ministrisë së Brendshme italiane janë tashmë jashtë sistemit të organizuar të shpëtimit në det, pavarësisht se nuk është e qartë se çdo të thotë kjo.

Më herët Italia kishte kërcënuar se do t’i mbyllte portet për organizatat që nuk firmosin kodin.

Mjekët pa Kufij dhe organizata franceze SOS ishin mes atyre që refuzuan të firmosin kodin, një nga pikat e të cilit thotë se anijet humanitare duhet ti çojnë vetë emigrantët në port dhe jo t’i kalojnë në mjete të tjera lundruese.

Organizatat humaniatare thonë se e bëjnë këtë për të qëndruar më gjatë në det, por autoritetet italiane e shohin me dyshim.

Pika më problematike ishte ajo që i lejon policët italianë të hipin në anijet humanitare kur e shohin të arsyeshme, diçka që është kundërshtuar me forcë nga organizatat, që thonë se janë neutrale dhe nuk kanë pse të ndihmojnë hetimet e policisë.

Leave a Reply

%d bloggers like this: