Libri

Portreti me cigare që Lasgush Poradeci i bëri Eqrem Çabejt

Në 109 vjetorin e lindjes së gjuhëtarit dhe albanologut Eqrem Çabej, e bija e tij Brikena, ka publikuar një dhuratë të panjohur më pare, që Lasgush Poradeci ia kishte bërë mikut të tij Çabej, më 1924-trën. Eshtë një vizatim, ku Çabej shfaqet I ri, me flokët e shkurtra të hedhura lart, dhe një cigare në duar. Ky vizatim I gjetur në arkivin e familjes Poradeci, I është dhuruar së bijës së Çabejt pikërisht në këtë përvjetor të 109-të. “Më 6 gusht të vitit 1908, si sot e 109 vjet me parë, lindi Eqrem Çabej. Në përkujtim të kësaj dite po ndaj me ju nje grimë të bukur jete rinore: portret i Eqrem Çabejt nga Lasgush Poradeci.Falemnderit Marie Poradeci për këtë surprizë të bukur!”, shkruan Brikena, bri vizatimit që është pritur me kureshtje nga publiku. Eshtë e njohur miqësia mes Lasgushit dhe Çabejt sidomos gjatë studimeve që të dy bënë në Graz të Austrisë,ku miqësia mes tyre u forcua më shumë.

Lasgushi ishte gati 10 vjet më i madh në moshë se Çabej dhe ka qenë si duket edhe një udhëheqës shpirtëror i tij në këto vite rinie. Personaliteti i veçantë i poetit bëri për vete edhe familjen e Çabejt të ri, ku ai hynte e dilte si i shtëpisë. Janë treguar gjithnjë me humor e simpati nga pjesëtarët e familjes bisedat me Lasgushin kur shkonte atje për vizitë e për të pirë kafe. Kjo miqësi rinie zgjati 60 vjet, deri kur u shua Çabej, në vitin 1980. Eshtë I njohur dhe një shkrim I Çabejt mbi poezinë e Lasgush Poradecit ku ndër të tjera shkruan se :” Lasgush Poradeci na hap portën e një jetë të re në poezinë shqiptare; një frisson neuf, siç pat thënë Victor Hugoi për vjershat e Baudelaireit, lind e rritet në lëmën e këngës shqiptare, një stil i ri, të cilin do ta kërkosh më kot ndër poetët e tjerë shqiptarë, po më kot dhe ndër shkrimtarët e huaj nga shkaku i origjinalitetit që e shquan këtë poet djalosh.

Këtu ndjenja e mendime që nuk kish guxuar e s’kish arritur kurrkush ndër shqiptarët e pendës t’i shfaqte, këtu një stil i munduar, i cili ndryshon nga shkrimi i një Naimi a Fishte si, bie fjala, një pjesë beethoveniane nga një mozartiane. Ky, pra, është stili modern, stil’i Lasgush Poradecit. Ç’e ndryshon nga të parët, është thellësia… Ay është vjershëtori më i thellë që ka shkruar në shqipet: në qoftë se kjo nuk është vënë ré gjer tani, shkaku është se më të shumët nuk e kuptojnë poezin’ e tij, e cila me fjalë e mënyra foljesh fare të thjeshta, e shumë popullore, arrin të koncentrohet aq sa mundet të nxjerrë në dritë mendimet me të thella, ndjenjat më labirintike, idetë më të larta. Dhe po të këndohet Lasgushi me dashuri, do të vërtetohet thellësia e tij e pashoqe, në mos sot, nga brezat që do të vijnë”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button