Home / Ekonomia / Bizneset shqiptare fajësojnë korrupsionin për evazionin e lartë

Bizneset shqiptare fajësojnë korrupsionin për evazionin e lartë

Bizneset shqiptare mendojnë se arsyeja kryesore që nxit evazionin në vend është niveli i lartë i korrupsionit.

Në fakt, korrupsioni është një çështje kaq e madhe në Shqipëri, sa ¾ e bizneseve të intervistuara (72.9%) pohojnë se korrupsioni është faktori më i rëndësishëm për ekzistencën e ekonomisë së fshehur.

Këto janë gjetjet e pjesës së dytë të sondazhit të kryer Qendra për Kërkime dhe Politikëbërje (CRPM) në Maqedoni dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) në Shqipëri, me metodologji identike. Për Maqedoninë, sondazhi u zhvillua në fund të vitit 2016 dhe për Shqipërinë në prill të vitit 2017, me një kampion prej 70 sipërmarrje për secilin vend, përfaqësuese sipas xhiros dhe ndarjes sektoriale në ekonomi dhe demografikisht.  Raporti titullohet:  “Barra e lartë ndaj biznesit çon në fshehjen e aktivitetit-Perspektiva e biznesit dhe Ekonomia e Fshehur në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë”. Gjetja kryesore e këtij sondazhi ishte se 84.3% e kompanive të anketuara konfirmuan se tentojnë të  fshehin të ardhurat vazhdimisht, në më të shumtën e rasteve, ose ndonjëherë.

Arsyrja e dytë e identifikuar nga bizneset shqiptare për informalitetin e lartë është sistemi jo eficient gjyqësor (38.6%) dhe barra e lartë e taksave është e treta (35.7%).

Interesant është fakti që bizneset në Maqedoni identifikojnë si problem më të madh barrën e taksave sesa sipërmarrësit në Shqipëri, ndonëse Maqedonia ka taksa më të ulëta. Barra e taksave është identifikuar si problematike nga 42.9% të të anketuarve në Maqedoni, nga 35.7% në Shqipëri.

Raporti thekson se perspektiva e biznesit lidhur me nivelin e taksave në Shqipëri ndryshon dukshëm në krahasim me Maqedoninë. Bizneset shqiptare dukshëm deklarojnë se taksat janë ‘aq sa duhet të ishin’ me 69% dhe 73% të sipërmarrjeve që pohojnë se normat e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore janë në nivelet e duhura.

Përsa i përket taksave së korporatës dhe TVSH-së, më shumë se gjysma e bizneseve sërish deklarojnë se taksat janë aq sa duhet të jenë. Gjithsesi, bizneset nuk bien dakord kur vjen puna te nivelet tatimore për tatim fitimin dhe tatimin mbi të ardhurat personale dhe 62% dhe 55%, përkatësisht, të bizneseve shqiptare të anketuara, që pretendojnë se këto taksa janë më të larta sesa duhet të ishin.

Të pyetur lidhur me masat që duhen ndërmarrë për të reduktuar evazionin, Stimuli për bizneset është përzgjedhur nga 57.1% e përfaqësuesve të sipërmarrjes shqiptare si masa më e preferuar.

Reduktimi i korrupsionit është masa e dytë më e zgjedhur nga bizneset (55.7%) për uljen e ekonomisë së fshehur.

Pothuajse gjysma e bizneseve shqiptare (48.6%) e vënë theksin tek nevoja për rritjen e eficiencës në sistemin gjyqësor, që mund të jetë një tregues për mosfunksionimin si duhet të sistemit ligjor në vend.  Kjo mund të lidhet me rreziqet e mëdha që bizneset dhe qytetarët përjetojnë në sistemin gjyqësor në vend si dhënia e ryshfetit të oficerëve të gjyqësorit në këmbim të vendimeve të favorshme gjyqësore dhe mungesës së llogaridhënies së gjykatësve dhe prokurorëve, thekson raporti.

Një reformë e nisur e sistemit gjyqësor pritet të adresojë disa nga problemet që do të kenë ndikim në madhësinë e praktikave të përdorura të ekonomisë informale. Duhet më shumë kohë për të vlerësuar nëse kjo reformë do të riformatojë sistemin gjyqësor dhe do të kundërveprojë ndaj korrupsionit të lartë në sistemin gjyqësor, do të nxjerrë në pah lidhjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve me politikën dhe krimin etj., dhe do të sjellë në përgjithësi më shumë llogaridhënie dhe transparencë në sistemin gjyqësor shqiptar, thuhet në raport.

Leave a Reply

%d bloggers like this: