Home / Sporti / Disfata në basketboll, Kostandinidhes: Ju “nuk e doni” kombëtaren

Disfata në basketboll, Kostandinidhes: Ju “nuk e doni” kombëtaren

Trajneri i përfaqësueses shqiptare të basketbollit, Antonis Kostandinidhes, ka dhënë dorëheqjen menjëherë pas paraeliminatoreve të botërorit 2019, me shumë brenga.
Oferta për drejtimin e skuadrës kuqezi për të ishte një krenari dhe një ëndërr, por që ju ndërpre, sipas tij, nga vetë ata që ja ofruan. Në një intervistë ekskluzive për Top Channel përpara largimit nga Shqipëria, Kostandinidhis tregon hapur çfarë ndodhi me basketbollin shqiptar të rikthyer në pikën 0.
“Ndeshja me Holandën ishte kulmi i problemeve të shumta që kishim si skuadër përfaqësuese e Shqipërisë, por gjithashtu tregoi edhe nivelin e basketbollit shqiptar në përgjithësi. Sigurisht kjo nuk është një gjë të cilën e  them për justifikim. Unë i thash edhe djemve dje të cilët sëbashku me mua, pasi unë jam trajneri, bëmë një figurë të shëmtuar. Duhet të na vijë turp të dalim në rrugë. Por ky vit i dytë ka qenë shumë i vështirë për mua. Na kanë refuzuar 6 lojtare dhe nuk e di përse, mund të them se shume probleme vijnë nga mungesa organizimit këtu. Më vjen keq t’ju them se në këto dy vite kam konstatuar faktin që ju nuk e doni këtë kombëtare të basketbollit. Problemet organizative më kanë detyruar të bëhem menaxher, doktori apo shoferi i taksisë pasi nuk kishim shef ekipi. Por ky eliminim ka edhe një fitore brenda, ju mësoi të kuptoni ku jeni, krahasuar me të tjerët”, shprehet Andonis Kostandinidhes, trajner i përfaqësuese shqiptare.

Kostandinidhis më pas thekson faktin se prej kohësh federata e kishte braktisur.

“Unë e falënderoj shumë Avni Ponarin, i cili më dha këtë mundësi, por ai nuk besoi tek mua asnjëherë. Gjithmonë ka patur këshilltar jo të mirë. Që nga momenti që zgjedh një trajner investon para tek ai dhe bëhet fjalë për një trajner me eksperiencë, duhet t’i besosh atij 100%. Më vjen keq gjithsesi që po iki pa mundur t’i kthej gjë pas për investimin e kryer ndaj meje. Me stafin tim krijuam një plan për sportistët që luajnë jashtë. Sipas tij ne duhet të udhëtonim dy-tre herë në Itali, Greqi apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të grumbulluar lojtarë, por asnjëherë nuk u realizua kjo gjë sepse mungonin financat. Kosto, kosto, kosto, na thonin se herë përmendej kjo gjë”, u shpreh Kostandinidhes.
Ndërkohë krisja më e madhe me sa duket ka ardhur momentet e fundit, kur sëmundja e rëndë e bashkëshortes së trajnerit Kostandinidhis ka mbërritur në një pikë kritike.
“Mund të them se askush nga federata nuk ka ardhur të më shohë, flas apo takojë në këto 5-6 ditët e fundit.  Për këtë arsye të thash edhe më parë, kjo verë ka qenë krejtësisht ndryshe dhe unë e kam ndjerë këtë. Le t’ju tregoj diçka që nuk ka lidhje me basketbollin, por dua të jem i sinqertë përpara shqiptarëve. Unë kam një problem të madh shëndetësor me bashkëshorten këtë vit. Pasi përfunduam ndeshjen me Austrinë, i kërkova federatës që të mos vija për ndeshjen e fundit pasi situata familjare është kritike. Deri më sot, nuk më kanë kthyer ende një përgjigje as po as jo. Megjithatë unë zgjodha të vij dhe të respektoj kontratën duke bërë punën time sa më mirë të mundem. Në këto vite unë kam krijuar një emër të mirë në Evropë si trajner dhe për këtë kërkoj respekt”, thekson Kostandinidhes.

Intervista e plotë
TCH: Kjo është hera e fundit që të shohim me një fanellë veshur Albania?
Kostandinidhes: Për fat të keq po.

TCH: Çfarë mund të na thoni për ndeshjen e fundit dhe për këto eliminatore në përgjithësi?

Kostandinidhes: Atëherë, ndeshja me Holandën ishte kulmi që shfaqi problemet e shumta që kishim si skuadër përfaqësuese e Shqipërisë, por gjithashtu tregoi edhe nivelin e basketbollit shqiptar në përgjithësi. Në pamje të parë duket si një surprizë, por njerëzit që janë në brendësi të skuadrës sonë, por edhe në basketbollin në përgjithësi, ku shohin se si janë të organizuar të tjerët dhe si jemi ne, si punojnë të tjerët dhe si punojmë ne, si është niveli i kampionatit të tjerëve dhe si është niveli i kampionatit shqiptar, për këta njerëz nuk është ndonjë surprizë. Sigurisht kjo nuk është një gjë të cilën e them për justifikim. Unë i thash edhe djemve dje të cilët sëbashku me mua, pasi unë jam trajneri, bëmë një figurë të shëmtuar. Duhet të na vijë turp të dalim në rrugë. Në të njëjtën kohë duhet t’i kërkojmë falje fansave, që ishin të pranishëm në pallatin e sportit, apo tifozët e tjerë që e ndoqën nga televizori. Sigurisht mund të humbasësh çdo ndeshje, por nuk mund ta humbasësh në atë formë. Por unë jam shumë i zhgënjyer këtë verë që sëbashku me stafin tim nuk arritëm që të bëjmë këta lojtarë të luajnë me zemër. Disa nga ndeshjet i kanë luajtur pa gjak. Kjo është më e keqja për mua, më e keqe edhe se ndeshja e djeshme apo rezultati i saj. Por do të ishte një gabim shumë i madh nëse do të fokusohemi vetëm tek kjo ndeshje. Problemi është se përse arritëm ne si kombëtare e Shqipërisë në këtë pozicion.

TCH: Po çfarë nuk funksionoi atëherë. Ky është viti juaj i dytë që punoni me skuadrën, jenë në brendësi të saj?

Kostandinidhes: Janë shumë arsye që na sollën në këtë pikë. Pikë së pari, kur erdhën të më kërkonin si trajner të kombëtares, u ndjeva shumë mirë. Ishte krenari për mua të drejtoja kombëtaren e Shqipërisë. E pranova propozimin që bën me shumë dëshirë dhe pasion sepse ky është karakteri im. Për mua ishte një sfidë shumë e madhe që të ndryshoja fatin e kësaj skuadra përfaqësuese. Në të njëjtën kohë nuk e dija se me sa shumë probleme do të përballesha. Problem i madh që kur fillova punën ishte organizimi. Fakti që përfaqësuesja e basketbollit nuk kishte funksionuar për disa vite, ne e kishim humbur kontaktin me basketbollin modern dhe atë që duhej bërë. Në këto dy vite ne kemi luajtur me rreth 8 skuadra përfaqësuese miqësore apo zyrtare dhe ne ishim e vetmja skuadër përfaqësuese që nuk kishim një shef ekipi. Ndoshta për njerëzit kjo nuk duket diçka e rëndësishme, por më besoni se është shumë i rëndësishëm ky pozicion. Pa të më është dashur të bëj edhe doktorin edhe shoferin e taksisë, pra çdo gjë nga më të voglat tek të mëdhatë. Unë përpara se të pranoja i sqarova federatës pozitën time. Për shembull, nuk është detyra ime që të gjej ndeshje miqësore, kjo është detyrë e shefit të ekipit apo federatës. Mund të them se në këto dy vite, cdondeshje miqësore u bë nga lidhjet e mija, por unë asnjëherë nuk flisja me trajnerët e skuadrave të tjera, por me shefin e ekipit. Ose mund të them një tjetër problem organizmi që lidhej me fluturimet. Kur ti udhëton, duhet t’i japësh trajnerit opsionet dhe vendos ai, pasi është ai që bën programin dhe e di si do të bëhet stërvitja, kjo nuk ndodhi kurrë dhe për fat të keq as e imagjinoni dot se nga sa orë na është dashur që të qëndrojmë nëpër aeroporte. Le të themi se në vitin e parë çfarëdo që kërkoja federata dhe z.Ponari ma plotësonin ose të paktën përpiqeshin, por këtë vit u ndjeva ndryshe dhe nuk e di përse. Federata filloi të më largohej, as nuk e di përse dhe as më intereson, sepse gjithmonë jam përpjekur ta bëj punën time sa më mirë. Të gjitha këto probleme organizimi bën që shumë lojtarë të mirë të mos vijnë. Ky është një tjetër problem shumë i rëndësishëm që u përballa këtu. shumë lojtarë që luajnë jashtë nuk donin të vinin këtu.

TCH: Përse?

Kostandinidhes: Si fillim kjo skuadër për 6 apo 7 vite nuk funksiononte më dhe marrëdhëniet në këto momente ndërpriten dhe në momentin që gjithçka rifillon lojtarit i kujtohen problemet e së shkuarës. Vitin e shkuar fola me Kuqon, Ndojën dhe Bushatin, për arsye të ndryshme nuk donin të vinin dhe unë i respektoj vendimet e tyre. Shqipëria ka shumë lojtarë që luajnë në Greqi, Itali, apo Amerikë. Lojtarë më të mirë nga sa përmenda dhe sigurisht më të mirë se lojtarët e kampionatit vendas. duke u përballur me këtë problem mu desh që të krijoja një skuadër ku një pjesë e mirë ishte e përbërë me lojtarë të kampionatit vendas. Na pëlqen ose jo, kampionati vendas, duke mos qenë profesional ka një diferencë shumë të madhe me skuadrat që ne luajmë. Nuk mund të presësh nga një sportist që paradite shkon në punë dhe stërvitet 3-4 herë në javë pasdite, të luaj dhe të mund një sportist profesionist.

TCH: Kishim edhe ne një përfaqësuese basketbollist amator?

Kostandinidhes: Po jua them unë, Merkaj, Mara, Strazimiri, Vaqarri, në këtë sezon kishim vetëm 3 lojtar profesional, Shima, Hysenagolli dhe Bushati. Disa paradite shkonin në universitet, disa në punë. T’ju jap një shembull me futbollin me që di që ju në Shqipëri e doni shumë futbollin, Është njësoj si kur luan përfaqësuesja e Shqipërisë me atë të Lihteshtejnit, lojtarët e së cilës paradite punojnë e pasdite stërviten. Në këtë gjendje ke dy zgjidhje, ose të gjesh një zgjidhje që të motivosh lojtarët e mirë që luajnë jashtë të grumbullohen me kombëtaren ose të grumbullohen lojtar të rinj nën 20 vjeç.

TCH: Meqenëse përmendët përfaqësuesen e futbollit tonën. Tek ajo skuadër pjesa më e madhe e lojtarëve vijnë nga ata që luajnë jashtë, kanë lindur apo janë rritur andje. Përse nuk bëhej një gjë e tillë në basketboll?

Kostandinidhes: Merr stafin tim krijuam një plan për sportistët që luajnë jashtë. Sipas tij ne duhet të udhëtonim dy tre herë në Itali, Greqi apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të grumbulluar lojtarë, por asnjëherë nuk u realizua kjo gjë sepse mungonin financat. Kosto, kosto, kosto, na thonin se herë përmendej kjo gjë. Le të them një shembull, përpara disa kohësh i thash z.Korab dhe z.Avni që të më lejonin të shikoja të takoja Ndojën nga afër dhe të flisja me të. Jo, jo më thanë, do ta bëjmë ne. Po ca do bënin ata, si mund ta bëjnë ata? Këtë gjë e bën trajneri, ca mund t’i thonin ata Ndojit, ai por edhe kushdo qoftë, ka nevojë të dëgjojë trajnerin, jo presidentin apo sekretarin e federatës. Ky është dhe problemi im i vetëm me z.Ponari. Unë e vlerësoj shumë Avni Ponarin si president, sepse ai investoj tek unë dhe unë ndihem shumë keq që nuk munda t’i kthej gjë atij pas, jo vetëm atij, por kujtdo që lidhet me basketbollin në Shqipëri. Kur firmosa në fillim kisha shumë ëndrra dhe më dukej një sfidë e madhe. Për këtë më vjen shumë keq me veten, pasi nuk e mbylla dot si do të doja. Ai më dëgjoi mua vetëm 50%. Që nga momenti që zgjedh një trajner investon para tek ai dhe bëhet fjalë për një trajner me eksperiencë, duhet t’i besosh atij 100%.

TCH: Ku qëndronte problemi që z.Ponari nuk besonte tek ju?

Kostandinidhes: Mund të them që z.Ponari kishte këshilltar të keq. Ai vetë është një biznesmen nuk është njeri i basketbollit dhe në këtë sport duhen njerëz të tillë, por ka shumë rëndësi kush i këshillon. Ndonjëherë ai dëgjonte më shumë të tjerët se mua, jo se kush jam unë, por sepse unë isha trajneri dhe përderisa më kishte zgjedhur duhet të më dëgjonte.  I kisha thënë disa herë me lejoni të krijoj një program për kampionatin. Të jap disa ide sepse unë kam punuar në disa vende si Greqi, Rumani, Kosovë e të tjerë. Edhe klubet duhet të ndërgjegjësohen në këtë vend, t’i krijojnë disa kushte të mira sportistëve, pjesa më e madhe e palestrave këtu janë të papranueshme, jemi në 2017-n. Jo mua, por këdo të merrni këtu, për një muaj kohë, nuk mund të bëj asgjë. Për t’ju kthyer edhe një herë problemit për lojtarët që nuk vijnë, talenti më i madh në Greqi që luan në kategorinë e parë dhe është vetëm 19 vjeç, është shqiptar. Unë e takova e ftova dhe nuk donte të vinte, ku të vij këtu ai?! Kam ftuar 3 sportist shumë të mirë nga Greqia, por duke qenë se rrezikojnë të humbasin pasaportën greke nuk kanë pranuar. I thash z.Ponari, të shkojmë në Greqi që të kërkojmë ta ndryshojnë atë rregull. Sipas këtij rregulli, nëse ata luajnë këtu përpara se të marrin pasaportën greke, ata e humbin shansin të aktivizohen në kampionatin Grek. Unë kam folur në telefon 10-20 herë, por nuk mjafton kjo.

TCH: Do të ishte më mirë që të shkonit e t’i takonit vetë nga afër?

Kostandinidhes: Kam kaluar shumë orë në fushë dhe jashtë fushe duke përpjekur të zgjidh këto probleme dhe prandaj më vjen keq, që nuk mund t’i kthej këtij investimi diçka prapa. Vitin e shkuar luajtëm më mirë dhe u aktivizuan disa lojtarë të rinj, kjo është fitorja ime më e madhe e këtij momenti. Një tjetër gjë e mirë e këtij momenti, kur u rikrijua skuadra përfaqësuese, ju patët mundësinë të shihnit gjendjen dhe pozitat tuaja. Nëse nuk ke një skuadër kombëtare nuk e di as ku je vetë as ku janë të tjerët. Tani që e provuat e kuptuat ky jeni dhe për mendimi tim kjo është një fitore.

TCH: E përmendët disa herë për të shkuarën, por në këtë vit të dytë në skuadër patët edhe Bushatin, gjërat nuk ndryshuan për mirë siç ishin parashikuar?

Kostandinidhes: Mund të them se në këtë sezon disa lojtarë kanë qenë të pafat. Mund të them se minimumi na kanë refuzuar 6 lojtarë në prag të këtyre eliminatoreve. Unë nuk munda kurrë të punoj me skuadrën e plotë, me lojtarët më të mirë të mundshëm. Në këto dy vite si trajner i kombëtares shqiptare mund të them se ju nuk e doni skuadrën tuaj përfaqësuese. Nuk i di arsyet dhe kjo nuk është detyra ime, ju, federata duhet ta gjeni zgjidhje përse lojtarët ju refuzojnë? Kombëtarja është diçka e veçantë, nuk është njësoj si klubi. Në historinë e basketbollit ka emrat më të mëdhenj të këtij sporti që deri në moshën 37-37 apo edhe 40, si Po Gasol, apo Novicki të sakrifikonin për të luajtur me kombëtaren. Por kjo nuk është vetëm për lojtarët. Në këto dy vite si trajneri Shqipërisë, kemi luajtur në Tiranë rreth 5 ndeshje, në to asnjë trajner apo lojtarë tjetër nuk ka ardhur të na shoh. Basketbollin nuk e ndryshojnë biznesmenët, por e ndryshojnë trajnerët dhe lojtarët, por këta nuk duan ta ndryshojnë këtë gjendje.

TCH: Çfarë i the skuadrës pas asaj ndeshjeje kundër Holandës?

Kostandinidhes: E çfarë mund t’i thoja pas asaj paraqitjeje. Në një situatë të tillë e vetmja gjë që të vjen të bësh është të shkosh në shtëpi dhe të mendosh me veten “Përse më ndodhin këto gjëra mua”? Në fund të asaj dite, ne i shkruajtëm emrat tanë të asaj historie të keqe. Ashtu si shkruajtëm emrat tanë në fitoren e parë pas shumë vitesh kundër Sllovakisë.

TCH: U fol shpesh se atmosfera e skuadrës në këto eliminatore nuk ishte e mirë.

Kostandinidhes: Po është e vërtetë, nuk ishte e mirë. Vitin e shkuar kishim një skuadër të bashkur, nuk mund të them të njëjtën gjë këtë vit. Ishin të shumta arsyet përse, por dua të ma respektoni të drejtën që të mos e them përse, këtë gjë e po e mbaj për vete. Unë bëra disa gabime, e kam fjalën tek disa gabime që bëra me lojtarët që grumbullova. Për fat të keq kjo pati pasojë në atmosferën e skuadrës. Në këtë ekip ne nuk kishim një lider. Vitin e shkuar kishim një lider, amerikanin Rashoun Broudus. Duke qenë se përmenda emrin e tij, të gjithë duhet të pyesin se përse nuk erdhi më ai. Është e thjeshtë të themi se na e punoi, mori pasaportën dhe iku, por në të vërtetë besoj se ka parë gjëra dhe mënyrën e trajtimit që mund ta kenë detyruar mos të vijë më.

TCH: Nuk e di nëse keni mësuar që në të njëjtën kohë që u eliminua Shqipëria ishte Kosova që u kualifikua?

Kostandinidhes: Po, dhe e dinë përse?

TCH: Na e thoni ju

Kostandinidhes: Ja ta them unë pasi kam punuar unë në Kosovë. Asgjë nuk është njësoj me këtu. Nuk ka asgjë të përbashkët me ju në organizim, gjithashtu në Kosovë të gjithë sportistët janë profesionist.

TCH: Doni të thoni se në Kosovë e duan përfaqësuesen e tyre?

Kostandinidhes: A e keni parë çfarë ndodhi me përfaqësuesen e tyre kur luajti në Mitrovicë? Ata jo e duan basketbollin, por ata janë gati të vdesin për basketboll, krejtësisht e kundërta me atë që ndodh këtu. Për ndeshjet e tyre pallati i sportit mbushet plot, për ndeshjet tona është thuajse bosh. Por kjo ndodh sepse tifozët duan të shohin ndeshje të bukura. Le të kujtoj dicka, vitin e kaluar ata e mbyllen me 0 fitore, ndërsa këtë vit prap pallati i sportit ishte i mbushur plot. Ndërkohë ne në eliminatoret e shkuara kishim një fitore, por kjo nuk ndikoi aspak. Kështu që nuk ka asnjë krahasim mes basketbollit këtu dhe në Kosovë.

TCH: Po sa i përket dorëheqjes, përse ju nuk do ta respektoni kotnratën tuaj e cila përfundon në janar?

Kostandinidhes: Atëherë, mund të them se askush nga federata nuk ka ardhur të më shohë, flas apo takojë në këto 5-6 ditët e fundit.  Për këtë arsye të thash edhe më parë, kjo verë ka qenë krejtësisht ndryshe dhe unë e kam ndjerë këtë. Le t’ju tregoj diçka që nuk ka lidhje me basketbollin, por dua të jem i sinqertë përpara shqiptarëve. Unë kam një problem të madh shëndetësor me bashkëshorten këtë vit. Pasi përfunduam ndeshjen me Austrinë, i kërkova federatës që të mos vija për ndeshjen e fundit pasi situata familjare është kritike. Deri më sot, nuk më kanë kthyer ende një përgjigje as po as jo. Megjithatë unë zgjodha të vij dhe të respektoj kontratën duke bërë punën time sa më mirë të mundem. Kjo ka qenë një periudhë shumë e vështirë, nga njëra anë problemet me shëndetin të bashkëshortes dhe nga ana tjetër duhet të isha këtu rreth një muaj të isha i fokusuar tek përgatitjet. Unë respektova gjithçka sepse respektoj punëdhënësin dhe kontratën. Por ta përsëris, kam 5 ditë këtu dhe askush nuk më ka folur nga federata. As pas ndeshjes të së shtunës, të më thoshte të paktën çfarë dreqin ndodhi. Thash pas ndeshjes do të largohem, askush nuk u interesua. Kështu që është shumë e qartë, ata nuk duan më të vazhdojmë bashkë. Unë nuk rri kurrë në një vend që nuk më duan. Në këto vite unë kam krijuar një emër të mirë në Evropë si trajner dhe për këtë kërkoj respekt.

TCH: Largoheni me kujtime të mira apo të këqija?

Kostandinidhes: Jo, jo, largohem me mendime shumë të mira, basketbolli është thjesht një sport, nuk mund të fitosh përball skuadrave më të mëdha se ti. Do të ndihem shumë mirë që të dëgjoj emrat e rinj si Strazimit apo Shestani që të bëhen basketbollist akoma më të mirë. Nuk mund të jem një trajner i mirë që ta mbyll këtë aventurë pa falënderuar dy sportistët e mi shumë të mirë, Gerti Shima dhe Hysenagollin të cilët janë treguar profesionist jo 100%, por 1000% si vitin e shkuar ashtu edhe këtë vit dhe më kanë ndihmuar shumë që të qëndrojë këtu dy vite dhe të përballoj këto lloj problemesh. Dua të falënderoj në fund edhe Avni Ponarin, edhe pse ende nuk ka komunikuar me mua, por dua ta falenderoj sepse unë asnjëherë nuk i harroj njerëzit që kanë besim dhe investojnë tek unë. Më vjen keq për të që nuk munda t’i lë një shenjë këtu ashtu si e mendova në momentin e parë kur firmosa. Por basketbolli është si shkenca, nëse nuk bën hapat e duhur, nuk merr asnjë rezultat, ashtu dhe federata nuk duhet të pretendojë rezultate të menjëhershme me këto kushte që janë.

Leave a Reply

%d bloggers like this: