Home / Ekonomia / Pas stallave, bizneset i turren investimeve në pulari, katër kërkesa vetëm në korrik

Pas stallave, bizneset i turren investimeve në pulari, katër kërkesa vetëm në korrik

Pak vite më parë u përvijua në treg një tendencë drejt ndërtimit të stallave dhe mbarështimit të kafshëve sidomos të derrit por edhe dhi, viça apo dele. Modeli hasi në vështirësi për shkak të mungesës së zinxhirit, që nga sigurimi i lëndës së parë deri te produkti i gatshëm. Sidomos ata që investuan në industrinë e përpunimit të qumështit po hasin me probleme të shumta. Që nga tregtimi i racës së bagëtive e gjedhëve, rendimenti e cilësia e tyre e deri te fermat e vogla të copëzuara, që nuk mundësojnë krijimin e ekonomisë së shkallës, janë shumë hallka që nuk funksionojnë në zinxhirin e përpunimit të qumështit, duke e bërë këtë industri, që ka tërhequr investime të shumta vitet e fundit, jokonkurruese.

Së fundmi, investimet po bëhen drejt pularive, për prodhim mishi e veze. Vetëm në muajin korrik të këtij viti rezultojnë katër kërkesa për leje për të ndërtuar pulari. Konkretisht është subjekti “Hymar Group” sh.p.k ka aplikuar për të zhvilluar një projekt që lidhet me mbarështim intensiv të zogjve për mish dhe thertore” në zonën e Voskopit në Korçë. Për zhvillimin e veprimtarisë operatori ka ndërtuar 4 kapanone për rritjen e shpendëve me një kapacitet 40 mijë krerë.

Operatori “SAREND” sh.p.k. është i dyti që ka aplikuar dhe synon të ndërtojë një kompleks 1 Kat për rritjen e shpendëve (zogj dhe pula) me qëllim tregtimin e tyre duke furnizuar në këtë mënyrë kërkesat e tregut të brendshëm, me produkte cilësore dhe të shëndetshme. Objekti që do të ndërtohet në zonën e Durrësit për rritjen intensive të shpendëve do të ketë sipërfaqe 600 m2 me një kapacitet 1 mijë krerë.

I treti që ka aplikuar është subjekti Ovvital sh.p.k në Durrës. Sipas subjektit  kapanonet e rritjes intensive të pulave si dhe ai i rritjes se zogjve janë projektuar për një kapacitet prej rreth 60 mijë krerë secili. Edhe në këtë rast mbarështimi në një pjesë të saj është për mish duke mundësuar edhe një dhomë frigoriferike pranë biznesit.

Biznesi i katërt që ka aplikuar për një pulari është në zonën e Shushicës në Vlorë. Kapaciteti i parashikuar për këtë biznes është 20 mijë krerë pula që rriten për vezë dhe 1 mijë që rriten për mish.

Në dokumentet e paraqitura nuk bëhet e ditur vlera e plotë e investimit për të katërta pularitë ndërkohë që ky treg po njeh gjithmonë e më shumë interes pasi ka një kërkesë në rritje të cilën vendi e plotëson me importe sa i përket mishit të pulës ndërkohe që dalja e një aktori të rëndësishëm nga tregu ka sjellë nevojën për plotësim të konsumit të vezëve.

Leave a Reply

%d bloggers like this: