Home / Politika / Qeveria merr besimin në parlament

Qeveria merr besimin në parlament

Në Shqipëri qeveria e re e kryeministrit Edi Rama mori sot në mëngjes besimin e parlamentit me 78 vota në favor dhe 51 kundër programit dhe kabinetit të tij. Votimi u krye në mbyllje të një seance maratonë e cila zgjati mbi 21 orë dhe që në ndryshim nga e kaluara nuk u shoqërua me shkëmbime replikash.

Në programin e tij kryeministri ka premtuar një rritje mesatare të ekonomisë me 4,5 përqind, e cila në mbyllje të mandatit parashikohet të arrijë në 5,5-6 përqind. Qeveria parashikon mbajtjen e investimeve publike në nivelin e 5 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, dhe zbatimin e programit “1Miliard euro”, i cili synon realizimin e projekteve kryesisht infrastrukturore falë formulës së Partneritetit Publik-Privat. Në prezantimin e program kryeministri foli për 220 mijë vende pune dhe një fazë të re në luftën kundër informalitetit.

Opozita u tregua e ashpër ndaj programit të paraqitur për diskutim. Lulzim Basha, kryetari i Partisë Demokratike, forca kryesore e opozitës u shpreh se “fletushka e programit të Qeverisë Ramadysh 2017-2021 ka vetëm 25 faqe, nga të cilat 7 faqe ose 30 për qind e dokumentit janë kopertina titujsh, tre faqe i përkasin përshkrimit të arritjeve të qeverisë Ramanjësh dhe vetëm 15 faqe programit të qeverisë, gjysmën e të cilave e zënë titujt e mëdhenj. Në fakt nuk është program – theksoi zoti Basha – Eshtë një dokument pa asnjë përmbajtje, pa asnjë analizë apo argumentim. Eshtë një dokument thjesht i fryrë më fjalë bombastike teknike dhe objektiva të përgjithshme dhe fraza të marra nga Google search”.

Me tone të forta kritike për katër vitet e shkuara por dhe për ato çfarë qeveria socialiste synon të arrijë në mandatin e dytë, ishte dhe qëndrimi i LSI-së, ish aleati i socialistëve. Sipas kryetares Monika Kryemadhi dokumenti për programin nuk ishte serioz “por vetëm ka gatuar shpejt e shpejt një program batutash, një fjalim arrogant, të shkruar keq, me gabime dhe lajthitje të shumta, provë e një padije të thellë. Mirëpo Kryeministri është kujdesur që programit të tij t’i qepë një kostum të ngushtë, që edhe e mbiquan një qeveri të vogël, duke qenë i kursyer në premtime, të cilat i kthehen fare kollaj mbrapsht. Kryeministri është kujdesur që të shkatërrojë edhe vetë debatin mbi programin, duke mos na paraqitur një program qeverisës të mirëfilltë. Me parimin: Si mund të diskutosh mbi një gjë që nuk ekziston?”.

Si PD-ja ashtu dhe LSI-ja kanë premtuar një opozitë të fortë ndaj qeverisë së re të kryeministrit.

Leave a Reply

%d bloggers like this: