Politika

Rama, marrëveshje me ministrat. Socialistët thërrasin Asamblenë Kombëtare

Ashtu siç deklaroi nga Asambleja e Partisë Socialiste 2 javë më parë, qeveria, partia dhe grupi socialist do të funksionojnë si një i vetëm.
Kryeministri Edi Rama foli në mbledhjen e grupit parlamentar për një marrëveshje mirëkuptimi, e cila do të hartohet prej tij dhe do t’i dorëzohet edhe deputetëve për t’u firmosur.
“Është një marrëveshje që sanksionon rregullat e bashkëpunimit dhe ndërveprimit mes qeverisë, grupit parlamentar dhe PS-së, si tre pjesë të pandashme të të njëjtit ekip qeverisës”, tha Rama.
Kryesocialisti zbuloi 2 elementë të kësaj marrëveshjeje, mbledhjen e qeverisë gjatë një sesioni parlamentar, nga një herë në çdo qark për të qenë sa më pranë komunitetit dhe zhvendosjen e secilit ministër një herë në muaj në një qark të vendit. Një nga risitë e qeverisë së re, për të ecur në rrugën e premtimeve të fushatës, është koordinatori kombëtar për bashkëqeverisjen me qytetarët, detyrë që Edi Rama ia ka ngarkuar Sajmir Tahirit.
“Ndërtimi me shpejtësi, qëndrueshmëri, efikasitet i koalicionit me njerëzit do të fillojë menjëherë punën në terren, duke emëruar një koordinator kombëtar për bashkëqeverisjen që do të jetë Sajmir Tahiri. Platforma që do të shpallim publikisht pas pak ditësh nuk do të jetë një faqe e radhës, por do të jetë mekanizëm i gjallë njerëzish”, u shpreh Rama.
Në muajin tetor, PS pritet të mbajë edhe Asamblenë e radhës, për të zgjedhur kryesinë e sekretariatin e ri. Rama ka kërkuar nga deputetët socialistë disiplinë. Për deputetët nuk do të ketë më udhëtime jashtë shtetit si më parë, madje edhe shpenzimet për këto udhëtime, do të ulen ndjeshëm ndërsa mungesat të enjteve në seancat plenare do të jenë të pajustifikuara.
Disiplinë dhe llogaridhënie Rama ka kërkuar për çdo deputet dhe anëtar të kabinetit qeverisës. Rama i kërkoi deputetëve socialistë dhe ministrave që të dhuronin gjak për fëmijët në nevojë: “Balancon atë idenë se ne vetëm “pijmë gjak” dhe krijon një ide që ne edhe mund të japim gjak”.
Këtë deklaratë, Lulzim Basha e quajti metaforë: “Nëse tallet me gjakun e shqiptarëve, ta dijë se pirja e gjakut nuk është metaforë. “Rama 1” u ka marrë shqiptarëve 1.5 miliardë dollarë. Të kthejë këtë gjak te shqiptarët”.
Por, kryeministri, së bashku me stafin e Kryeministrisë, dhuruan gjak për herë të katërt në katër vite, ndërsa Rama dhuron gjak prej 17 vjetësh.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button