Rajoni

Athinë, anarkistët sulmojnë stacionin e policisë dhe PASOK-un

Një grup anarkistësh kanë sulmuar me gurë dhe kokteje molotovi një stacion policie në lagjen “Eksarqia” të Athinës. Ngjarja ndodhi gjatë orëve të para të mëngjesit, kur një grup prej rreth 50 anarkistësh sulmuan në mënyrë të beftë stacionin e policisë, në rrugën “Kalidromiu”, në kufirin e lagjes rebele të Athinës.
Sulmi ishte i sinkronizuar dhe anarkistët mundën t’i afrohen stacionit të policisë, pranë të cilit gjendet e stacionuar një forcë e përhershme e ndërhyrjes së shpejtë.
Anarkistët hodhën kokteje molotovi dhe gurë, duke dëmtuar disa makina, por për fat të mirë pa dëmtuar njerëz. Policët që ndodheshin brenda rajonit të policisë u mbojtën duke përdorur granata shpërthyese dhe gaz lotsjellës.
Sulmi zgjati për gati 20 minuta, e në vazhdim grupi i anarkistëve sulmoi edhe zyrat e partisë opozitare PASOK, pak metra më tutje.
Prej sulmit në oborrin e PASOK-ut u dëmtuan disa mjete, ndërsa më tej anarkistët u shpërndanë nëpër rrugicat e lagjes rebele, pa e bërë të mundur identifikimin ose arrestimin e tyre. Sulmet ndaj forcave të policisë në lagjen “Eksarqia” janë diçka e zakonshme.
Prej shumë vitesh, asnjë polic me uniformë nuk mund të hyjë në këtë lagje, e cila tashmë i ngjan më shumë një getoje të Luftës së Dytë Botërore, sesa qendrës së një qyteti europian.
Në këtë lagje kryhet shumica dërrmuese e shitjes së drogës, armëve dhe kontrabandës së cigareve në të gjithë Greqinë. Që prej vitit 2008, të gjitha qeveritë e Athinës kanë dështuar të vënë kontroll në këtë zonë të kryeqytetit helen.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button