Ekonomia

Antinformaliteti: Tatimet zbardhin evazionin në bizneset VIP, mbi 60% në TVSH dhe 40% në TF

Me 1 tetor qeveria shqiptare ka lajmëruar një aksion masiv kundër informalitetit në ekonomi, teksa Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka bërë gati një analizë për riskun në pagesën e detyrimeve tatimore në sektorët VIP të biznesit.

Sipas analizës së tatimeve në bizneset e mëdha, botuar në raportin vjetor 2016, sektori i tregtisë me shumicë është evidentuar si evazori më i madh. Në këtë linjë biznesi risku në mospagesën e TVSH-së vlerësohet 54.07%, ndërsa risku në mospagimin e tatimit mbi fitimin 44%.  Detyrimet që kishin të bënin me tatimet e pagave dhe të tjerat kanë përqindje më të ulët rreziku për mospagesë.

Ndërtimi është sektori i dytë që krijon më së shumti evazion fiskal në sektorin VIP. Sipas analizës bizneset VIP të ndërtimit janë riskoze me  62.08 %  të detyrimeve të TVSH-së dhe 35 për qind në pagesën e tatimit mbi fitimin. Risku është më i ulët në tatimet e tjera.

Tregtia e karburantit është evidentuar si sektori i tretë me evazionin më të lartë në bizneset VIP. Bizneset në këtë fushë paraqesin 53 për qind rrezik për mospagesën e TVSH dhe 44.28% risk në mospagesën e tatimit mbi fitimin.

Industria e plastikës, qelqit dhe tullave është konsideruar sektori i katërt me evazionin më lartë në biznesin VIP.  Për TVSH rreziku i mospagesës është 73.19% dhe në Tatimin mbi fitimin 23.80%.

Në shërbimet financiarë rreziku është më i ulët në pagesën e TVSH me 28% sipas përllogaritjeve të tatimeve dhe më i lartë në pagesën e tatimit mbi fitimin me mbi 70%.

Edhe pse qeveria shqiptare i ka kushtuar mjaft vëmendje luftës ndaj informalitetit, vendi vijon të ketë rendimentin më të ulët fiskal në Rajon. Në fund të vitit 2016 të ardhurat në raport me PBB arritën në 26 për qind, ndërsa në Rajoni mbledh së paku 35% të PBB të ardhura nga taksat dhe tatimet.

Ministri i Financave Arben Ahmetaj lajmëroi më herët këtë javë se aksioni antiinformalitet do të nisë në fillim të muajit të ardhshëm do të përfshijë të gjitha linjat e biznesit.

Në një letër ta hapur drejtuar sipërmarrjes ai lajmëroi se strukturat në varësi të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe inspektorati i Punës, do të organizohen në grupe të përbashkëta, të orientuara nga analiza e profileve të riskut të sektorëve dhe bizneseve brenda tyre, duke pasur në fokus të gjithë zinxhirin e transaksioneve nga biznesi i madh deri tek konsumatori final. Punësimi e siguria në punë, do të kenë një vëmendje të posaçme brenda aksionit.

TABELA Sektorët me Risk për Njësinë e Tatimpaguesve të Mëdhenj

tabela

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button