Kosova

Kjo është lista e personave që Sadri Ramabaja dhe “Syri i Popullit” planifikonin t’i vrisnin

Ish-kandidati për deputet nga radhët e Vetëvendosjes, Sadri Ramabaja, mëngjesin e sotëm ka dalë para gjykatës si i dyshuar për përgatitje të vrasjeve të përfaqësuesve të lartë të shtetit të Kosovës. Me këtë rast u kërkua që Ramabajës t’i caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Dy ditë para datës zyrtare për paraqitjen e tij në gjykatë, Ramabaja tentoi të largohet me dokumentet e bashkëpartiakut, Xhevat Bislimit, përmes pikës kufitare në Durrës. Megjithatë, u kap nga policia shqiptare dhe më pas u dorëzua te autoritetet e Policisë së Kosovës.

Ndërkaq, avokati i tij Ramiz Krasniqi, ka bërë të ditur se Sadri Ramabaja ka dashur të largohej nga Kosova meqë kishte informacione se jeta e tij gjendet në rrezik.

Ramabaja dyshohet se është përfshirë në grupin që plagosi Azem Vllasin, dikur zyrtar i lartë, që tash ushtron profesionin e avokatit. Plagosja e tij ndodhi më 13 mars të këtij viti. I dyshuari kryesor për tentimvrasjen e Vllasit është Murat Jashari, një shqiptar që jetonte në Zvicër.

Organizata “Syri i Popullit”, e cila e kishte marrë përsipër plagosjen e avokatit Vllasi, kishe paraparë edhe vrasjen e njerëzve kryesorë të shtetit. Në listën e saj përfshiheshin politikanë ndër dekada, si dhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ish-kryeministri Isa Mustafa, kryeparlamentari Kadri Veseli, kreu i AKR-së Behgjet Pacolli etj.

Anëtari tjetër i Vetëvendosjes, Xhevat Bislimi, në një bisedë telefonike për Gazetën Express tha se është intervistuar nga Prokuroria Speciale për dyshimet se është përfshirë me organizatën terroriste “Syri i Popullit”, por, sipas tij, kjo organizatë është sajuar nga pushtetarët për të implikuar kundërshtarët e tyre politikë. Tutje tha se organizata nuk ka të bëjë as me të e as me Sadri Ramabajën.

“Ajo organizata s’ka të bëjë as me mu as me Sadri Ramabajën, ajo është një sajesë e këtyre pushtetarëve me impliku kundërshtarët e tyre politikë, me ba fushata me na terrorizu kapak sa të mujn qeshtu”, ka thënë Bislimi të dielën për Express.

Po ashtu, Bislimi ka thënë se nuk është në dijeni nëse Ramabaja i ka përdorur dokumentet e tij gjatë tentimit për t’u arratisur në Itali.

Sadri Ramabaja dyshohet për kryerjen e dy veprave penale: Tentim vrasjeje të përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës dhe Përgatitje të veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button