Rajoni

Ministrja e Jashtme e Bullgarisë, znj.Ekaterina Zaharieva vlerëson me “Dega e dafinës së artë”, konsullin Selim Hoxhaj

Diten e premte, datë 5 mars 2021, në hollin e Ambasadës Bullgare në Tiranë, Ambasadori bullgar në Tiranë, Momtchil Raytchevski i ka dorëzuar z.Selim Hoxhaj, Konsull Nderi i Republikës së Bullgarisë në Shqipëri,  shenjën më të lartë të nderit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Bullgarisë–“Dega e dafinës së artë”, akorduar nga znj.Ekaterina Zaharieva,  Zëvëndës Kryeministrja për Reformen në Drejtësi dhe Ministrja e Jashtme e Bullgarisë.   Duke respektuar kushtet e COVID 19, ishin të pranishëm trupi diplomatik bullgar, deputetë-antarë të grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Bullgari, gazetarë, etj.

“Për mua është nder të dekoroj një mik të vërtetë të Bullgarisë si Ju me shenjën më të lartë të nderit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Bullgarisë – “Dega e dafinës së artë”. Meritat tuaja për forcimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe midis Republikës së Bullgarisë dhe Republikës së Shqipërisë janë të padiskutueshme”, shkuan znj.Ekaterina Zaharieva,  në  motivacionin shoqërues.

Ambasadori bullgar Momtchil Raytchevski ka vlerësuar në fjalën e tij punën e madhe që ka bërë z.Selim Hoxhaj, gjatë këtyre viteve për promovimin e vlerave të përbashkëta midis dy vendeve tona. “Zoti Hoxhaj, gjakun e ka shqiptar, por zemrën e ka bullgare”, tha ambasadori Raytchevski.

Në fjalën e tij konsulli Hoxhaj falenderoi për vlerësimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë dhe vecanërisht për titullaren Ekaterina Zaharieva duke u shprehur se “ka punuar për afrimin dhe miqësinë mes dy vendeve dhe dy popujve” dhe për këtë ai ka nënvizuar bashkëpunimin me trupën e ambasadës bullgare në Tiranë, deputetët e Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Bullgari, shtypin e shkruar dhe atë televiziv, etj”.

Më poshtë letra e plotë shoqëruese e Zv/kryeministre dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë, znj. Ekaterina Zaharieva

Selim Hoxhaj

Konsulli i nderit i Republikës se  Bullgarisë në Shqipëri

I nderuar z. Hoxhaj,

“Për mua është nder të dekoroj një mik të vërtetë të Bullgarisë si Ju me shenjën më të lartë të nderit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Bullgarisë – “Dega e dafinës së artë”. Meritat tuaja për forcimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe midis Republikës së Bullgarisë dhe Republikës së Shqipërisë janë të padiskutueshme

Me punën Tuaj aktive, qëndrimin e përgjegjshëm dhe përkushtimin Ju kontribuuat jo vetëm për afirmimin e frymës sëfqinjësisë së mirë dhe respektit ndërmjet dy vendeve tona, por edhe për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik midis Bullgarisë dhe Shqipërisë.

Ne gjithashtu vlerësojmë përpjekjet Tuaja për përmirësimin e imazhit të Bullgarisë në shoqërinë shqiptare dhe për promovimin ehistorisë, kulturës sonë dhe mundësive për turizëm, të cilat shteti ynë i ofron.

Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time dhe mirënjohjen e shtetit bullgar për angazhimin Tuaj personal për kauzën e njohjes së minoritetit kombëtar bullgar në Shqipëri. Me përfshirjen e tij në Ligjin e miratuar në vitin 2017 për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare në fakt ishte korrigjuar një padrejtësi historike. Si Konsull Nderi i Bullgarisë në Shqipëri, Ju bëni përpjekje për të mbrojtur jo vetëm interesat e komunitetit bullgar në vendin Tuaj, por edhe të shtetasve bullgarë, të cilët hasin probleme në Shqipëri.

I dashur Z. Hoxhaj, përfitoj nga rasti t’Ju përgëzoj dhe me rastin e festës Suaj personale në shkurt dhe t’Ju uroj shëndet të fortë. Unë jam e bindur se në të ardhmen angazhimi Juaj për zhvillimin e marrëdhënieve bullgaro-shqiptare do të vazhdojë të jetë një mbështetje e vlefshme për thellimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe kulturor midis dy vendeve”.

Ekaterina Zaharieva/Sofje, 19 shkurt 2021

Ndërkohë z.Selim Hoxhaj është vlerësuar në nivelet më të larta të shtetit bullgar. Kështu një vit më parë, gjatë vizitës zyrtare në Tiranë, më datat 5-6 mars 2020, Presidenti i Republikës së Bullgarisë, Sh.T.Z.Rumen Radev, i dorëzoi z.Selim Hoxhaj, vlerësimin e lartë “Titulli i Nderit”, “Në lidhje me angaxhimin personal për zhvillimin e marrëdhënieve Shqiptaro-Bullgare dhe bashkëpunimin për çeshtjet e komunitetit kombëtar bullgar në Republikën e Shqipërisë”.

Kurse katër vite më pare, Zonja Iliana Iotova, Zëvendës Presidente e Republikës së Bullgarisë, zhvilloi një vizitë tre ditore në Tiranë, në datat 14,15 dhe 16 nentor 2017. Më 15 nentor 2017, zonja  Iotova zhvilloi një takim në selinë e Konsullatës, ku u takua me Konsullin e Nderit të Bullgarisë në Shqipëri, z.Selim Hoxhaj, të cilit i dorëzoi një dekoratë vlerësimi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button