Ekonomia

Unioni i Transportit Publik: Nga sot reduktim i autobusëve të linjave urbane në Tiranë

Unioni i Transportit Publik njoftoi se duke nisur nga sot në qarkun e Tiranës të gjitha linjat urbane qytetase do të funksionojnë me mjete të reduktuara.

Në një deklaratë për shtyp, Unioni i Transportit Publik bën të ditur se ky vendim vjen si pasojë e sfidave dhe e shqetësimeve të shumta financiare me të cilat operatorët e këtij shërbimi janë përballur këto kohët e fundit.

“Pavarësisht përpjekjeve tona më të mira, operatorët e linjave urbane qytetase kanë hasur vështirësi të konsiderueshme në mbajtjen e funksionimit të shërbimeve të transportit publik me kapacitet të plotë. Ne jemi jemi përpjekur me zell të adresojmë këto çështje duke kërkuar mundësi të shumta për dialog konstruktiv me organet përgjegjëse”, theksohet në deklaratë.

Unioni i Transportit Publik shprehet se “mungesa e mbështetjes adekuate dhe e bashkëpunimit të nevojshme e ka bërë të pamundur që në kushtet aktuale të vazhdojmë punën tonë të rregullt me resurse të plotë. Si rrjedhojë, ne jemi detyruar të marrim vendimin e vështirë për të reduktuar mjetet e transportit publik në dispozicion të në qarkun e Tiranës”.

Unioni i Transportit Publik u bën thirrje organeve përgjegjëse që të nisin urgjent një dialog për të adresuar shqetësimet financiare të operatorëve që e ofrojnë këtë shërbim.

“Vetëm përmes përpjekjeve bashkëpunuese dhe një qasje të unifikuar mund të sigurojmë funksionimin e qetë të transportit publik në Tiranë”, thuhet në deklaratën e Unionit të Transportit Publik.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button