Ekonomia

Prona shtetërore, në krye të abuzimeve

klsh1-320x241Kontrollet

Auditimet në institucionet e qeverisjes vendore zënë përqindjen më të lartë (41%), kurse në ministritë përkatëse (28%)

Masat

KLSH-ja ka rekomanduar zhdëmtimin e dëmit të shkaktuar në masën 100% të tij. Për shkeljet ka kërkuar 740 masa disiplinore

Kallëzimet

KLSH-ja ka bërë 16 kallëzime penale, për 64 drejtues të rangut të mesëm dhe të lartë

Dëmi

Dëmi i shkaktuar nga personat e ndjekur penalisht prej KLSH-së, kap vlerën 2 657 698 000 lekë

Auditimi

Dëmi në 6 muaj, 3.4 miliardë lekë. Kallëzohen 64 drejtorë. 10 shpërdorimet më të përhapura

Nga Zamir Alushi

Në thesin e shtetit po vidhet gjithçka që është e mundur. Por ku po abuzohet më tepër? Nëse do t’u referohemi auditimeve të kryera nga KLSH-ja për 6-mujorin e parë të vitit 2014, pritshmëria e kontrollorëve ka qenë në drejtim të abuzimeve me shitjen dhe dhënien me qira të pronës shtetërore. Por shifrat të befasojnë. Një kolonë e emërtuar “Të tjera” kap vlerën më të madhe të dëmit të shkaktuar buxhetit të shtetit, ndërsa qiratë dhe shitjet e pronës dalin në vend të dytë. Shkeljet ndahen në dy grupe të mëdha: parregullsi financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm efektiv të përgjithshëm në shumën totale prej 3 450 170 000 lekësh; shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e subjekteve të audituara, në shumën e përgjithshme prej 1 115 473 000 lekësh. Këto i përkasin veprimtarisë ekonomiko-financiare për periudhën 2011–2013 dhe tremujorin e parë 2014.

Zëri “Të tjera”

Në zërin “Të tjera” përfshihen shkelje të ndryshme të disiplinës financiare, të cilat kapin shumën 1 008 984 000 lekë. Një prej sektorëve të kontrolluar është projekti “Mbi menaxhimin e mbetjeve të ngurta të Tiranës”, DPUK Tiranë. KLSH-ja zbuloi se aty jepeshin para të thata pa bërë asnjë lloj mundimi. Kështu, në vlerën 47 983 000 lekë, konstatohen përfitime të padrejta për punime të pakryera, ku janë raportuar volume më të mëdha se ato të kryera në fakt. Kurse në Universitetin Bujqësor, Tiranë, dëmi shkaktohet nga mosllogaritja dhe mosderdhja e kontributit të sigurimeve shoqërore deri në kufirin e lejuar për 88 punonjës të punësuar në dy vende pune (si diferencë e ndalesës së kryer pranë qendrës së parë të punës dhe kufirit maksimal). Nuk janë pak, por 5 421 000 lekë. Kurse në Muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Krujë, nuk dihet se ku shkojnë paratë e biletave. Sipas KLSH-së, janë 105 000 lekë të evidentuara si dëm ekonomik për buxhetin e shtetit nga moskontabilizimi dhe mosderdhja në bankë të të ardhurave të realizuara nga shitja e biletave. Por zyrat e ALUIZNI-t e kanë dorën e rëndë. Drejtoria Rajonale e ALUIZNI-t, Elbasan 1, ka shkaktuar dëm ekonomik në vlerën 412 633 000 lekë nga llogaritja e pasaktë e vlerave të parcelave ndërtimore. Edhe ALUIZNI Durrës dhe ZVRPP Kavajë, bënin të njëjtën gjë. Sipas KLSH-së, arkës së shtetit i mungojnë përkatësisht 93 110 000 lekë dhe 23 384 000 lekë, nga llogaritja më pak e sipërfaqes së truallit, në kundërshtim me vendimin e qeverisë. I habitshëm edhe abuzimi me sigurimet shoqërore. Kështu, Instituti i Shëndetit Publik, Tiranë, nuk ka arkëtuar 461 000 lekë të kontributeve të sigurimeve shoqërore. Kurse vetë Instituti i Sigurimeve Shoqërore, Tiranë, ka shkaktuar 308 013 000 lekë dëm në buxhetin e shtetit, nga të cilat 295 163 000 lekë janë detyrime të palikuiduara nga Posta Shqiptare për dëmtimin e fondit të pensioneve, përcaktuar në marrëveshjen midis palëve dhe në vendimin e Gjykatës Shkodër, si edhe 12 850 000 lekë si përfitime të padrejta nga skema e pensioneve për 12 persona. Në Durrës bëjnë biznes me elektrovinçat. Autoriteti Portual Durrës nuk ka arkëtuar 112 077 000 lekë, nga të cilat 22 800 000 lekë dëm ekonomik nga transferimi i dy mjeteve kapitale të portit (elektrovinça) te një shoqëri private; 60 192 000 lekë kamatëvonesa të pavjela; 18 019 000 lekë detyrime të papaguara nga operatori e të falura padrejtësisht; 8 464 000 lekë mosvjelje interesash nga likuidimi i faturave tej afateve të përcaktuara dhe 2 600 000 lekë si përfitim i padrejtë nga koncesionari te shpenzimet operative. Ndërsa dëmi i shkaktuar nga KESH sh.a., Tiranë, kap vlerën 5 797 000 lekë, nga kryerja e pagesave për punime të parealizuara.

“Letrat nga populli”

Për 6-mujorin e parë, sipas raportit të KLSH-së, perceptimi dhe shqetësimet e publikut janë më tepër ndaj abuzimit me tenderët dhe shumë pak adresohen për doganat dhe tatimet. Kështu, janë trajtuar 195 letra dhe ankesa për probleme të ndryshme, nga të cilat 53 rezultuan jashtë kompetencave të institucionit. Nga 142 kërkesa dhe ankesa në kompetencë të KLSH, 73 prej tyre janë verifikuar dhe u është dhënë përgjigjja përkatëse, ndërsa 69 janë në procesin e verifikimit. 41% e ankesave të adresuara KLSH-së i takojnë administrimit financiar dhe fushës së prokurimit publik; 32% privatizimit dhe kthimit të pronës; 2% taksa, tatime e dogana dhe 25% fushave të tjera.

Shpërdorimi

Dëmi në fushën e shitjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore, 978 636 000 lekë

Klasifikimi

Ku u gjetën shkeljet dhe sa është vlera e munguar

A. Shkeljet me dëm ekonomik janë konstatuar:

1. Në fushën e shitjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore, 978 636 000 lekë.

2. Në sektorin e doganave, në vlerën e përgjithshme prej 846 413 000 lekësh.

3. Në sektorin e tatimtaksave, në vlerën prej 152 578 000 lekësh.

4. Në fushën e prokurimeve, në vlerë të përgjithshme 347 130 000 lekë.

5. Në fushën e shpenzimeve operative, në një vlerë prej 33 109 000 000 lekësh.

6. Në sektorin e urbanistikës, në shumën e përgjithshme prej 18 656 000 lekësh.

7. Në fushën e sistemit të pagave, në vlerën e përgjithshme prej 56 539 000 lekësh.

8. Në shpërblimet e punonjësve, në vlerën 3 952 000 lekë.

9. Në mungesë materiale, në shumën e përgjithshme prej 4 173 000 lekësh.

10. Zëri “Të tjera”, 1 008 984 000 lekë.

B. Shkelje me ndikim negativ në performancën e subjekteve, në vlerën e përgjithshme, 1 115 473 000 lekë.

Detyrimet

251 796 000 lekë mungojnë nga moskontabilizimi i detyrimeve të koncesionarëve në fushën e bakrit

Industria

Koncesionet, firmat nuk i paguanin shtetit penalitetet

Në Ministrinë e Energjetikës dhe Industrisë, ku u ushtrua kontroll mbi koncesionet, dëmi ekonomik është 955 661 000 lekë. Nga këto, 84 906 000 lekë janë shumë e paarkëtuar nga mosushtrimi i penaliteteve prej Autoritetit Kontraktor për dorëzimin me vonesë të projektzbatimit të kontratave koncesionare për faj të koncesionarit, në masën e përcaktuar prej 0.005% tё vlerёs sё investimit pёr çdo ditё vonesё. Një tjetër penalitet i paushtruar, në vlerën 578 426 000 lekë, i përket mosrealizimit në afat të investimeve të parashikuara, për të cilat duhej mbajtur 10% e vlerës së investimit të munguar. Ndërkaq, 38 980 000 lekë mungojnë nga mosushtrimi i penaliteteve për mosrealizim të prodhimit të parashikuar për periudhën janar 2011 deri më 31 dhjetor 2012 të tetë koncesionarëve. Ata duhet të paguanin 100% të vlerës së prodhimit të parealizuar. 717 000 lekë nuk janë përllogaritur nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) si tarifë për oponencën teknike dhe 836 000 lekë nuk janë arkëtuar nga përllogaritja e gabuar. Ndërsa, 251 796 000 lekë mungojnë nga moskontabilizimi i detyrimeve të koncesionarëve në fushën e bakrit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button