HRW: Kosova progres të vogël, por shumë vështirësi
Me qindra mijëra azilkërkues dhe migrantë janë përballur me vështirësi themelore gjatë vitit 2015, derisa ndiqnin një rrugë tranziti në Ballkanin Perëndimor, ka thënë sot “Human Rights Watch” në Raportin Botëror 2016.
Problemet përgjatë rrugës në Kroaci, Serbi, Slloveni e Maqedoni me të cilat janë përballur azilkërkuesit dhe migrantët përfshinin procedurat e ngadalta të regjistrimit dhe kushtet jo të përshtatshme të pritjes të përkeqësuara nga mbyllja e kufijve. Qeveritë në Ballkanin Perëndimor duhet të përqendrohen në përmirësimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, përfshi edhe të azilkërkuesve, thotë “Human Rights Watch”.
“Qeveritë e Ballkanit Perëndimor që aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian duhet të bëjnë punë më të mirë për t’i përmbushur detyrimet e tyre për të drejtat e njeriut”, ka thënë Lydia Gall, hulumtuese për Ballkanin Perëndimor dhe për Evropën lindore në “Human Rights Watch”. “Këtu përfshihet llogaridhënia efektive për krimet e luftës, luftimi i diskriminimit ndaj komuniteteve dhe sigurimin e qasjes në mbrojtjen dhe trajtimin njerëzor për azilkërkuesit dhe migrantët”.
Në raportin 659-faqësh, që shënon edhe edicionin e 26-të, HRW ka rishikuar praktikat e të drejtave të njeriut në më shumë se 90 vende.
Kosova ka pasur një progres të vogël edhe pse specifikohet për problemet dhe vështirësitë që ka hasur në implementimin e programeve dhe projekteve gjatë vitit 2015, bëhet e ditur në raportin e publikuar të Human Rights Watch.
Në raport Kosova është përmendur për një numër të madh të refugjatëve, të cilët kryesisht ishin fokusuar në Gjermani, të cilëve u është mohuar e drejta e azilit, për shkak të ndryshimeve në legjislacionin gjerman nga Parlamenti Federal, në të cilin e kishin futur Kosovën, në listën e vendeve të sigurta, ku bëjnë pjesë edhe shtetet e tjera të Ballkanit.
Në fushën e të drejtave të njeriut, Kosova është vlerësuar të ketë pasur një progres të ngadalshëm për shkak të vonesës së krijimit të Qeverisë së re. Njëherësh është përmendur edhe nevoja për ndryshimet kushtetuese për të mundësuar funksionimin e Gjykatës Speciale.
Kosova është vlerësuar edhe për një progres të vogël në implementimin e programit të integrimit të romëve, ashkalinjëve dhe egjiptianëve , ku është përmendur se disa prej tyre janë deportuar nga Gjermania dhe shtetet e tjera evropiane. Si faktor në ngecje të implementimit të programit të integrimit është përmendur mungesa e veprimeve politike, fondet dhe mungesa e bashkëpunimit ndërmjet qeverisjes qendrore dhe autoriteteve lokale. Në raport janë përmendur edhe problemet e përditshme që hasin minoritetet duke filluar nga mungesa e shërbimeve shëndetësore, edukimi, asistenca sociale e veçanërisht mungesa e dokumenteve të identifikimit.
Sipas raportit, thuhet se Kosova që nga 1 janari deri më 30 shtator të vitit 2015, ka regjistruar rreth 7,380 persona të kthyer me forcë nga shtetet perëndimore, duke përfshirë 320 romë, 282 ashkali dhe 69 egjiptianë.
Në raport përmendet edhe gjendja e lirisë së mediave, sipas të cilit Kosova ballafaqohet me vonesë të vendimeve gjyqësore ndaj individëve, të cilët kanë kërcënuar apo kanë përdorur dhunë ndaj gazetarëve. Njëherësh puna e gazetarit në Kosovë, vlerësohet të jetë punë që ballafaqohet me rrezik nga kërcënimet.