Opinion

0% TVSH

Nga Nora Hasani

KosovaPa të njohur e pa marrë pëlqimin tënd, kalimtarët e rastit tentojnë ta përqafojnë, puthin apo kapin faqen e fëmijës tënd. Kam fituar bindjen që kjo ndodh vetëm në Kosovë. Në Kosovë nuk është se i duam fëmijët, por jemi të magjepsur pas tyre. Të magjepsur pas fëmijëve tanë, të motrave e të vëllezërve, por edhe të të huajve në rrugë, në autobus e në shitore.

Përkundër kushteve të rënda ekonomike (në Kosovë 29 538 familje marrin ndihma sociale, pra janë familje që jetojnë në varfëri, 35.3% të kosovarëve janë të papunë, ndërsa ata që punojnë kanë pagë mesatare 429 euro [neto] në sektorin publik dhe 349 euro [neto] në sektorin privat), ne vazhdojmë ta shtojmë numrin e anëtarëve në familjet tona, pra nataliteti mbetet më i larti në rajon dhe Europë. Një familje kosovare, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës ka mesatarisht 5.85 anëtarë. 28% të popullsisë janë nën moshën 14-vjeçare. Pra, kemi shumë familje me fëmijë të vegjël.

Dhe kur ke fëmijë të vegjël pagjumësia kronike nuk është halli i vetëm. Me shtimin e anëtarëve të familjes, ndryshojnë dhe rriten nevojat në konsum. Një shtrat për bebe kushton 100-300 euro, çmimi i ulëseve për veturë për fëmijë 60-200 euro, çmimet për karrocë fëmijësh janë sikur për blerjen e një gjysmëveture të përdorur dhe sillen prej 100-600 euro. Fëmijët kur janë të vegjël kanë nevojë për shumë pelena, një paketim kushton 8-22 euro, pastaj duhen blerë rroba e këpucë, çanta e fletore.

Lista është pafundësisht e gjatë. Artikujt që nevojiten për rritjen e shëndoshë të fëmijëve paraqesin një barrë financiare, e cila bie mbi supet e vetë prindërve. Shumica e prindërve nuk janë në gjendje t’u plotësojnë fëmijëve nevojat bazike për jetesë më cilësore. Kjo padyshim që reflekton në cilësinë e zhvillimit të fëmijëve. Duke marrë parasysh që kemi natalitet të lartë, për të cilin edhe me raportin e parashikimit të popullsisë së Kosovës 2011-2061 të ASK-së nuk shihet të ketë ndonjë rënie drastike, politikat e mbrojtjes së fëmijëve dhe familjeve me fëmijë të vegjël duhet të ndryshojë.

Kosovës i nevojiten politika të reja të qasjes ndaj familjeve me fëmijë të vegjël, që do të rezultonte me përmirësimin e mirëqenies së fëmijëve. Mënyra më e lehtë e përkrahjes do të ishte zvogëlimi apo heqja e TVSH-së për artikujt e foshnjave dhe fëmijëve. Me këtë prindërve do t’u mundësohej një qasje më e lehtë në artikuj, që në njërën anë do të ndikonin në përmirësimin e cilësisë së rritjes, higjienës, ushqimit të fëmijëve dhe në anën tjetër do të jepej një kontribut në luftimin e varfërisë së fëmijëve dhe deprivimit nga të drejtat e tyre bazike për zhvillim dhe jetë të dinjitetshme.

… Në vendet anëtare të BE-së

Konceptin e përkrahjes së familjeve me fëmijë të vegjël përmes shkallës së reduktuar apo shkallës zero të TVSH-së për artikuj dhe shërbime për fëmijë e kanë negociuar disa shtete anëtare të BE-së. Edhe me aprovimin e direktivës 2009/47/EG nga Këshilli Europian vazhdon t’u lejohet shteteve anëtare që të aplikojnë deri në dy shkallë të reduktuara të TVSH-së jo më të ulëta se 5%. Me këtë direktivë për shtete të caktuara anëtare vazhdojnë të vlejnë edhe më tutje përjashtimet për shkallën e reduktuar të TVSH-së për veshmbathje për fëmijë.

Çekia, ku shkalla standarde e TVSH-së është 21% aplikon shkallën e reduktuar prej 10% në të gjithë artikujt bazikë ushqimorë për fëmijë. Kroacia, që ka shkallë të TVSH-së prej 25%, ngarkon me shkallën e reduktuar prej 5% të gjitha llojet e qumështit dhe të brumërave duke përfshirë edhe qumështin formulë, që përdoret si zëvendësim për qumështin e gjirit. Luksemburgu, përkundër rritjes së TVSH-së nga 15% në 17% më 1 janar 2015, vazhdon të aplikojë shkallën e TVSH-së super të reduktuar për veshmbathje për fëmijë prej 3%. Ndërsa Mbretëria e Bashkuar, ku TVSH-ja standarde është 20% dhe Irlanda me TVSH prej 23% zbatojnë shkallën zero për veshmbathje për fëmijë. Me shkallë të reduktuar të TVSH-së ngarkohen ulëset e veturave për fëmijë në Qipro, Poloni dhe Mbretëri të Bashkuar me 5%, ndërsa në Portugali me 6%.

Fushata në Mbretërinë e Bashkuar

Edhe pse në Mbretërinë e Bashkuar tanimë aplikohen shkallë të reduktuara të TVSH-së, u organizua një peticion i drejtuar BE-së për heqjen e TVSH-së nga ulëset e fëmijëve për veturë. Kjo iniciativë, që filloi në vitin 2014, ishte udhëhequr nga ndërmarrja “Halfords” dhe modelja britanike Jodie Kidd. Iniciatorët e fushatës argumentonin që edhe në ulëse të fëmijëve duhet të aplikohet shkalla prej 0%, sikurse për veshmbathje, sepse secili fëmijë duhet ta ketë të drejtën të udhëtojë i sigurt. Pajisjet që shërbejnë për sigurinë e fëmijës gjatë udhëtimit me veturë nuk duhet të ngarkoheshin fare me TVSH, por do të duhet të kishin çmime të arritshme për secilin prind. Me gjithë presionin mediatik dhe lobimim që e shoqëroi peticionin, fushata për heqjen e TVSH-së nga ulëset e veturës, nuk pati sukses. Arsyeja për këtë janë proceset tejet komplekse brenda BE-së. Shtetet, si Mbretëria e Bashkuar, kishin negociuar për ta mbajtur shkallën zero në veshmbathje për fëmijë, kur u anëtarësuan. Ministri i Thesarit, David Gauke, kishte deklaruar që rregulloret e BE-së nuk e mundësojnë zgjerimin e aplikimit të shkallës në artikuj të tjerë. Për të sjellë ndryshime do të duhej mbështetje dhe aprovim unanim nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së.

Fushata “7% für Kinder” në Gjermani

Mirëpo, edhe shkalla e reduktuar e TVSH-së, e cila lejohet me direktivat e BE-së nuk shfrytëzohet nga disa shtete anëtare. Një pakënaqësi lidhur me këtë moszbatim, mbretëron në Gjermani. Shkalla standarde e TVSH-së në Gjermani është 19%, mirëpo Gjermania e ka edhe një shkallë të reduktuar prej 7%, e cila aplikohet ndër tjerash për gazeta, lule dhe kuaj të garave.

Më 17 maj 2011, koalicioni i organizatave familjare, OJQ-ve dhe shoqatave, si dhe disa ndërmarrës e sollën në jetë fushatën “7% für Kinder (në shqip: 7% për fëmijë)” për uljen e TVSH-së në 7% për të gjitha artikujt e fëmijëve, duke përfshirë këtu edhe artikujt shkollorë. Ata vazhdojnë edhe më tutje të lobojnë në nivelin politik për reformimin e sistemit të TVSH-së në Gjermani. Në videon e fushatës “7% për fëmijë” përkrahësit pyesin, pse kuajt e garave, buqetat me lule, fjetjet në hotel dhe çokollatat ngarkohen me 7% TVSH, ndërsa veshmbathja për fëmijë, ngjyrat e drurit dhe ulëset e fëmijëve për veturë me 19%. Organizatorët e fushatës sqarojnë se bizneset kanë fuqi lobuese për ta siguruar mbajtjen e TVSH-së së reduktuar për produktet e tyre, përderisa fëmijët nuk kanë as të drejtë vote e as rrjetë lobimi. Me anë të kësaj fushate, e cila përfshin peticion, punë lobuese në Parlamentin gjerman dhe aksione të ndryshme për vetëdijesimin e opinionit të gjerë, aktivistët kërkojnë që për veshmbathje për fëmijë, ulëset e fëmijëve, produktet higjienike për foshnjë dhe fëmijë, pelenat, ushqimi i fëmijëve, mjetet shkollore: fletore, lapsa me ngjyrë e shumë artikuj tjerë të ngarkohen me shkallën e reduktuar prej 7% të TVSH-së. Sipas tyre, politika gjermane vite me radhë ka anashkaluar që të merret seriozisht me nevojat e fëmijëve. Fushata ende vazhdon, deri në ndryshimin e ligjit të TVSH-së në Gjermani.

Fushata “Votoni për bebet” në Serbi

Varësisht prej procedurave për ndryshimin e ligjeve në fuqi, në disa shtete iniciativat qytetare mund të jenë shumë të fuqishme dhe më të suksesshme. Një iniciativë e tillë, që solli ndryshime dhe lehtësime për prindërit, është ndërmarrë në shtetin tonë fqinj, Serbinë. Në vjeshtë të vitit 2011 fondi i B92 filloi fushatën më të madhe dhe më të njohur filantropike të quajtur “Bitka za Bebe (në shqip: Beteja për bebet)”. Qëllimi i fushatës ishte mbledhja e donacioneve për blerjen e 100 inkubatorëve për fëmijët e lindur para kohe. Në kuadër të kësaj fushate, qytetarët mblodhën aq të holla, saqë u sigurua blerja e 210 inkubatorëve për më shumë se 60 institucione shëndetësore në tërë Serbinë. Kjo betejë nuk u shua me arritjen e qëllimit, përkundrazi entuziazmi i angazhimit qytetar për përmirësimin e shëndetit të fëmijëve bëri që të iniciohet peticioni “Votoni për bebet”. Ky peticion i vitit 2012 u koordinua nga një koalicion i organizatave joqeveritare dhe vullnetarëve në mbarë vendin dhe synonte ndryshimin e ligjit të TVSH-së, më konkretisht heqjen e TVSH-së nga artikujt për fëmijë. Më shumë se 180 mijë qytetarë e nënshkruan peticionin. Rrjedhimisht ligji për TVSH u ndryshua dhe që nga viti 2013 prindërit në Serbi mund të rimbursojnë TVSH për produktet e blera për fëmijë dhe për veshmbathje për fëmijë. Duke marrë parasysh familjet e shumta me fëmijë të vegjël në Kosovë, një iniciativë e tillë për heqjen e TVSH-së nga artikujt e fëmijëve do të ishte më se e nevojshme, jo vetëm për ta lehtësuar barrën financiare të prindërve, por edhe për të ndikuar në cilësinë e zhvillimit më të mirë e më të shëndoshë të fëmijëve dhe planifikimit familjar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button