1 vit nga rrëmbimi i 200 vajzave; përkujtim në mbarë botën
Ceremoni të ndryshme do të mbahen këtë të martë në mbarë botën për të shënuar 1-vjetorin e rrëmbimit të mbi 200 vajzave nga militantët nigerianë të grupit Boko Haram.
Një marshim do të mbahet në kryeqytetin Abuja, ku do të marrin pjesë 219 vajza për të përfaqësuar çdo bashkëmoshatare të zhdukur. Ndërkohë, marshime të ngjashme do të mbahen mes të tjerash edhe në Londër e Uashington.
Ditën e martë, Amnesty International deklaroi se 2 mijë gra dhe vajza janë rrëmbyer vitin e kaluar, duke u kthyer në shërbëtore apo skllave seksi për militantët e Boko Haram.
Rrëmbimi i vajzave në Çibok, në veri-lindje të Nigerisë më 14 prill 2014 shkaktoi një indinjim global, me shumë vende, përfshirë këtu Shtetet e Bashkuara dhe Kinën, që premtuan se do të angazhoheshin për lirimin e tyre. Por deri tani asnjë nuk është gjetur.
Një angazhim masiv për lirimin e vajzave pati edhe në Twitter, me hashtagun “BringBackOurGirls”, si dhe me fushata të shumta ku u bashkuan figura si fituesja e çmimit Nobël për Paqen, Malala Yousafzai dhe Zonja e Parë amerikane, Michelle Obama.
Organizatorët e këtyre fushatave kritikuan qeverinë nigeriane të presidentit të atëhershëm Goodluck Jonathan se nuk bëri sa duhet për të gjetur vajzat dhe për të luftuar rebelimin 6-vjeçar të Boko Haram në veri.
Por vetë Jonathan tha për BBC, se politikat e vendit ishin më të rëndësishme se jeta e vajzave.