100 vjetori i betejës së Flandrës
Edhe uji e balta u përdorën si armë nga belgët në luftën kundër gjermanëve para 100 vitesh. “Lufta e Madhe” do të kujtohet me një ceremoni ndërkombëtare në Nieuwpoort.
Para 100 vitesh gjermanët e superfuqishëm sulmuan qytetin e vogël bregdetar bleg Niewpoort në Detin e Veriut. Fushat e Flandrës, të cilat janë poshtë nivelit të detit, vaditeshin me një sistem kompleks kanalesh dhe digash. Një oficeri belg, i lindi ideja që frontin me Gjermaninë ta kthejë në një liqen të madh, për të ndalur marshimin e shpejtë në Belgjikë. Mbreti Albert I, i cili drejtonte ushtrinë belge, e pranoi këtë ide. Përgjatë katër netëve u arrit të hapeshin të gjitha portat e digave. Uji i Detit të Veriut vërshoi mbi fusha dhe ushtria gjermane mbeti e bllokuar në ujë dhe baltë.
Historiani belg Patrick Vanleene e konisederon përmbytjen e Flandrës si një pikë kthese të Luftës së Parë Botërore. “Sepse për herë të parë ndali pushtimin gjerman në Belgjikë. E ndryshoi luftën, nga një luftë në lëvizje, u kthye në një luftë për mbrojtjen e llogoreve. Kështëu e njohim Luftën e Parë Botërore: si lufta nga pozicioni i llogores”, thotë Vanleene për DW.
Belgët nderojnë mbretin e tyre për guximin e tij
Aty ku më parë ishtë një digë e vjetër, belgët kanë ndërtuar një monumnet në formë rrethore me tulla të verdha në nderim të Albert I. Këtu do të mbahet edhe ceremonia përkujtimore ndërkombëtare e fillimit të betejës së Flandrës. Për Gjermaninë, kundërshtarin e atëhershëm në luftë dhe aleatin e sotshëm në Europë, do të flasë Kancelarja Angela Merkel. Ajo do të shohë Mbretin Albert mbi kalë. Mbrapa tij rrjedh lumi Ijzer, përgjatë së cilit ishte edhe fronti i luftës. Albert I ishte monarku i vetëm në Luftën e Parë Botërore, që mori pjesë në luftime. Ai refuzoi të largohej nga vendi i tij dhe ushtria. “Mbreti e refuzoi me përgjegjësi largimin. Sepse ai dinte, se nëse do të linte vendin, ndoshta nuk do të mund të kthehej më mbrapa”, mendon historiani Herbert Ruland.
Edhe pas 100 vitesh Albert I është ende popullor. Një atutobus i gjatë i transportit publik të Flandrës çon në fshatrat e zonës një ekspozitë lëvizëse kushtuar Albertit. “Autobusi Albert” tërheq shumë vizitorë, na siguron shoferi i tij.
Llogoret vdekjeprurëse
Më 29 tetor 1914 filloi një masakër, që do të përfundonte në vitin 1918. Fronti shtrihej përgjatë lumenjve Ijzer dhe Ieperlee deri në qytetin Iepern, ku në vitin 1915 u përdor për herë të parë gazi helmues nga trupat gjermane. Në pjesën lindore të bregut ishin trupat gjermane, ndërsa në bregun perëndimor ishin trupat aleatë. Në Duiksmuide, një qytezë mes Nieuwpoort dhe Ipern, është rindërtuar një pjesë e “Dodengangs”, llogoret që shpesh herë ishin kurthe vdekjeprurëse. Sot turistët duke parë llogoret e pastra e kanë të vështirë të imagjinojnë vuajtjet e ushtarëve në atë kohë. Baltë, jashtëqitje, kratere bombash, kufoma, ulërima, shi, dëborë dhe frika e vazhdueshme e vdekjes ishin shoqëruesit e ushtarëve në llogore, thotë Patrick Van Wanzele nga Iepern, i cili ka bërë studime për llogoret.
“Brezi i fundit me trauma”
Për popullsinë në Flandërn Perëndimore në fillim lufta ishte një surprizë e madhe. Fermerët dhe peshkatarët nuk menduan se gjermanët do të kalonin që nga Belgjika për të shkuar në Francë. Në tetor 1914 mijra refugjatë nga lindja gjetën shpëtim në Nieuwpoort dhe më pas erdhën ushtarët.
“Shpërtheu një panik total, sepse njerëzit në qytet nuk ishin të përgatitur.” Edhe gjyshërit e Patrick Vanleene u prekën. “Unë ndoshta jam brezi i fundit që kam një lidhje të drejtpërdrejtë me traumën e Luftës së Parë Botërore. Gjyshërit e mij përjetuan të dyja anët e frontit dhe më kanë treguar historitë e tyre. Atyre iu desh të iknin në Francë. Disa nga vëllezërit e tyre shkuan ushtarë dhe dy prej tyre vdiqën në luftë.”
100 vjetori i kësaj dite ka tërhequr shumë vizitorë. Kudo në fushat ku janë zhvilluar beteja ka varreza ushtarësh nga të gjithë kombet. Në fushat e Flandrës ka shumë varreza dhe brezave të ardhshëm duhet tu shpejgohet se pse ato varreza janë aty. “Unë besoj tek fuqia e edukimit. Përmes ekspozitave interesante, të rinjve duhet tu tregohet, se sa të kujdesshëm duhet të tregohen”, përfundon Valeene.