Ekonomia

11- mujori, MF: Të ardhurat në buxhet arritën 343.4 miliardë lekë

Të ardhurat totale të buxhetit arritën 343.4 miliardë lekë nga 358.4 miliardë lekë të parashikuar për periudhën. Të ardhurat nga pushteti vendor janë rreth 10.9 miliardë lekë. Të ardhura nga fondet speciale për periudhën janë rreth 65.6 miliardë lekë.

Në total, të ardhura nga tatimet dhe doganat janë mbledhur 234.7 miliardë lekë. Administrata Tatimore ka mbledhur 103.9 miliardë lekë. Doganat kanë mbledhur 130.8 miliardë lekë.
Për të ardhurat e mbledhura nga Administrata Doganore “Taksa doganore” vazhdon të ketë performancë mbi parashikimin me rreth 7.6%; nga ana tjetër “Akciza” ka mosrealizim të planit prej rreth -10%; “Renta minerale” ka një realizim nën objektivin e periudhës me rreth -7%.

Ndikuesit kryesor në rënien e të ardhurave nga Administrata Doganore vazhdojnë të jenë faktorët e jashtëm, të cilët ndikojnë në mbledhjen e të ardhurave doganore dhe janë jashtë parashikimit. Rënia e të ardhurave nga TVSH në import është ngushtësisht e lidhur me rënien e çmimeve të importeve kryesore (sidomos karburanteve), si dhe ulja e sasive të importuara për disa mallra me peshë në të ardhurat doganore si: importi i energjisë (me efekt rreth 1.6 miliardë).

Rënia e importeve në total ka qenë rreth -2.4% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, rritjet e importit të makinerive dhe pajisjeve të përjashtuara nga TVSH, importit të barnave dhe arit të përjashtuar nga TVSH vazhdojnë të mbeten të rëndësishme (kuptohet, pa një efekt në të ardhurat doganore). Në total, rënia e importeve të grup-produkteve kryesore krahasuar me vitin e kaluar, kanë sjellë një efekt negativ në të ardhurat nga TVSH në masën 2.9 miliardë lekë.

Në analizë të grup-produkteve subjekt i akcizës, vazhdojnë të mbeten problematike cigaret (rreth 500 ton më pak sesa 11-mujori 2014). Një efekt shtesë në mosrritjen e sasisë së importuar ka pasur edhe heqja e rritjes së akcizës në paketën fiskale 2016, duke evituar incentivat për hedhje në treg në mënyrë të përshpejtuar të cigareve për të evituar akcizat e rritura (tetori 2014 pati një import cigaresh prej rreth 518 ton ose rreth dyfishi i mesatares mujore të importeve). Kështu: i) importet e kafes janë rritur me 20%; ii) konsumi i karburantit është rritur me 1.4%; iii) pijet energjike janë rritur me 19%; iv) konsumi i birrës është rritur me 24%.

Renta për periudhën janar- nëntor 2015 është me ulje rreth 200 milionë lekë më pak se parashikimi ose -5.2% , dhe në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar është 2.7 miliardë lekë më pak ose -42.9%. Gjithë peshën për uljen e të ardhurave nga renta e ka grupi i produkteve “Rentë minerale /naftë bruto dhe minerale të tjera” në masën 100%. Ashtu si në rastin e TVSH-së në import, rënia drastike e çmimit të naftës bruto në 2015 përkeqësoi mbledhjen e të ardhurave në formën e rentës minerale.

Të ardhurat e realizuara nga Administrata Tatimore janë rreth 165.5 miliardë lekë ose me realizim të objektivit prej 99.91%. Krahasuar me vitin e kaluar, Administrata Tatimore ka mbledhur rreth 16.9 miliardë lekë më shumë ose 14.2% më shumë. Ndër zërat kryesorë me performancë pozitive janë “Tatimi mbi vlerën e shtuar” dhe “Taksa nacionale”.

TVSH (e brendshme) ka pasur një performancё pozitive e lidhur kjo edhe me luftën ndaj informalitetit, e cila ka rezultuar me rritjen e xhiros së tatueshme për muajt korrik- tetor 2015. Për periudhën janar – nëntor 2015 të ardhurat nga TVSH janë rritur me 1.1 miliardë lekë më shumë se planifikimi ose 4.3% më shumë, dhe një rritje kundrejt 11- mujorit të vitit 2014 në vlerën 2.3 miliardë lekë ose 9.2% më tepër.

Tatimi mbi fitimin është realizuar me një rritje kundrejt nëntorit të vitit të kaluar me rreth 2.5 miliardë lekë ose 12.8% (realizim me 99.7% kundrejt planit).

Tatimi mbi të ardhurat personale paraqitet me një mosrealizim kundrejt planifikimit për arsye të vazhdimit të ndikimit të rënies së normave të interesit, të cilat ndikojnë në të ardhurat nga tatimi mbi interesat, si dhe dividendëve të paguar sidomos në muajin gusht 2015, pagesa për të cilat ishin më të ulëta se parashikimi, për arsye të rritjes së investimeve të biznesit. Kështu, vihet re një mosrealizim i planit në vlerën 1.9 miliardë lekë ose -6.7% dhe një rritje kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar me 1.9 miliardë lekë ose 7.8% më shumë.

Shpenzimet

Për periudhën janar-nëntor 2015 arritën në rreth 368 miliardë lekë ose 31 miliardë lekë më pak se plani i periudhës prej 399 miliardë lekë, pra kemi një realizim prej 92% të planit të periudhës 9-mujore. Në terma vjetor, shpenzimet e përgjithshme për 11-mujorin u realizuan në masën 81 për qind të planit vjetor. Shpenzimet faktike, të krahasuara me planin e periudhës 11-mujore, janë rreth 8 për qind më të ulëta, gjë që tregon një realizim të mirë dhe konsiderueshëm në përputhje me planin, por ende jo në nivelet e nevojshme. Kjo ulje, kryesisht, vjen si pasojë e nivelit më të ulët të realizimit të shpenzimeve kapitale, si dhe në zërin e likuidimit të detyrimeve të prapambetura. Zërin kryesor të mosrealizimit e mbajnë shpenzimet kapitale me rreth -18%, gjithashtu edhe shpenzimet për detyrimet e prapambetura kanë patur një rënie të vogël në realizim gjatë këtij muaj me rreth -9%, ndërsa shpenzimet korente janë të plotësuara në nivele shumë të kënaqshme realizimi përkatësisht në nivelet 94%. Mosrealizimi i shpenzimeve kapitale ka ardhur si pasojë e faktorëve të ndryshëm, por më kryesori ka qenë vonesa në procesin e tenderimeve.

Sipas treguesve fiskalë të konsoliduar, të ardhurat totale janë realizuar në masën 343 miliardë lekë ose afërsisht 14.9 miliardë lekë më pak se plani i periudhës 11-mujore. Ndërkohë, realizimi i shpenzimeve të përgjithshme në masën 367 miliardë lekë, pra rreth 8 për qind më pak se plani i periudhës, është shoqëruar me një deficit buxhetor prej rreth 24.5 miliardë lekë, i cili është më i ulët se plani për afërisht 16.5 miliardë lekë. Në këto kushte, deficiti buxhetor është totalisht nën kontroll duke siguruar arritjen e objektivit për konsolidimin fiskal dhe stabilizimin e financave publike për vitin 2015.

Qasja e kujdesshme e Qeverisë përkundrejt deficitit është një ndikim direkt dhe i domosdoshëm në sigurimin e një klime të sigurtë për aktorët ekonomikë që operojnë në vend. Rigoroziteti i ruajtjes së kufijve të deficitit është një faktor i rëndësishëm në stabilitetin makro-ekonomik dhe besueshmërinë e stabilitetit të nivelit të taksimit (duke shmangur rritjen e taksave).

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button