12 milionë euro fond i ri bankar për efiçencën e energjisë elektrike
Programi “Efiçenca energjetike përmes sektorit bankar” pritet të zhvillohet falë një huaje prej 12 milion euro me kushte të favorshme që do të japë banka KfW.
Qeveria ka miratuar së fundi një projektligj që parashikon ratifikimin e Marrëveshjes mes Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin financiar 2010 për projektin “Eficenca energjetike përmes sektorit bankar”, që po diskutohet në komisionet parlamentare në Kuvend.
Qëllimi i projektit është aplikimi, me ndikim të gjerë dhe të qëndrueshëm të një instrumenti financiar në sektorin bankar shqiptar për të mbështetur investimet në kursimin e energjisë në sipërmarrjet e vogla dhe të mesme, banesat private dhe komuna.
Mes këtij kreditimi, pritet thellim i zgjerimit të sistemit financiar shqiptar në fushën e reduktimit të konsumit të energjisë dhe mbrojtjen e klimës.
Miratim i projektit 12 milionë euro, kredi e butë është në përputhje me strategjinë për efiçencën e energjisë dhe i sherben përmirësimit të situatës së kreditimit për masa që synojnë efikasitetin e energjisë. Nëpërmjet kësaj marrëveshje për bashkëpunim financiar, qeveria gjermane i jep mundësi bankave të nivelit të dytë të marrin për projektin “Efiçenca energjetike përmes sektorit bankar”, një hua me kushte të favorshme nga KfW, me vlerë deri 12 milionë euro.
Në këtë projekt, kredimarrës do jenë banka të nivelit të dytë, të cilat do mund të japin kredi për SME dhe individë, të cilët zhvillojnë efiçencën e energjisë. Përmes sensibilizimit të bankave dhe klientëve synohet nxitja e kërkesave për kredi që synojnë efikasitetin e energjisë.
Në protokollin e bashkëpunimit ekonomik dypalësh mes qeverive të Shqipërisë dhe Gjermanisë, kanë prioritet sektorët e energjisë, ujit të pijshëm, ujërave të përdorura, mbetjeve dhe zhvillimi i qëndrueshëm të ekonomisë.