Opinion

20 Shkurt 1991 – Dita e “Frymarrjes”

Fitilin” e ndezi protesta e studentëve të ILB-së (Sot UBT). A duhet kthyer në muze amfiteatri i rinisë? - Duke kujtuar 35 vjetorin -

Nga SHEFQET MEKO

Ata, djemtë dhe vajzat e “Shkollës së Dakos (Dakës), të vetëdijshmit e asaj kohe, filluan protestën të parët. Ishte revoltë, më shumë se protestë. Filloi për ujë e drita, por ishte një “britmë për çlirim”. Tek ajo shkollë e mrekullueshme, institucion i vlerave, cilësive dhe prurjeve pedagogjike e shkencore, krahas jo pak sipas meje si “mirënjohës ndaj partisë”, kishte mjaft studentë të talentuar që fati i kishte “degdisur tek bujqësia” si hakmarrje ndaj asaj që përfaqësonin. Ata ishin të heshtur. Ata “përtypnin hekur”, kur tribuna e asaj kohe “pushtohej” nga “studentë pa emër” por zhurmues të zellshëm dhe me “krahë të ngrohtë”. Më të mirët e asaj kohe, të jemi të sinqertë “vëzhgonin me dhimbje”. Unë isha me ta edhe pse jo si ata…
Pa protestën që filloi nga “Shkolla e Dakos”, busti, mbase nuk do ishte rrëzuar. 20 Shkurti nuk do të kishte ndodhur… Në këtë plan mendoj se “Haka nuk shkoi tek i zoti”. 20 Shkurti 1991, mbetet një histori që do studiohet nga historianë dhe akademikë, por duhet theksuar: Rënia e bustit filloi nga revolta e studentëve të Institutit të Lartë Bujqësor. ( sot Universiteti Bujqësor).

Ilustrimi është marrë nga www.google.com (imagine) Ju lutem ndihmoni të identifikohet autori që duhet përgëzuar.

Amfiteatri që po rrënohet dhe mbulohet nga myshku i harresës, mendoj se duhet të kthehet në muze në natyrë i protestës vendimtare. Pa atë vrull studentor, ne nuk do ishim çliruar. Mbase historia do ishte shkruar ndryshe. Vjet isha në Tiranë dhe u ndala tek “Amfiteatri që rrëzoi bustin”. Mu duk një “Butrint i braktisur”. Më lëndoi harresa dhe shpërfillja ndaj historisë. Shkallët ishin rrënuar, myshku, barërat e egra kishin pushtuar një dëshmi historie. Statujat, dikur aq të bukura në tribunë, ishin “ndryshkur”. Mu duk si një varrezë pa epitaf. Dhimbje. Humba në kujtime e dëshmi. Heshta përballë së vërtetës që dikush kërkon ta marrë “me tapi”. Më duket se ata që do shfaqen në ekrane si “rrënimtarët e bustit”, do gënjejnë përsëri, ashtu siç na gënjeu Enveri për “gjysmë shekulli”. 20 Shkurti na çliroi të gjithëve. 20 Shkurti 1991, ishte në të vërtetë një “Aventurë popullore”. Unë dëshmoj: 20 Shkurti nuk ishte “vepër e asnjë partie”, ishte një “finale shqiptare”.
Ku isha kur “ra monumenti”?.. A e dhashë edhe unë “një dorë”?… Jo. Unë nuk “dhashë ndonjë dorë”, sepse të jem i sinqertë, brenda meje “urrejtja për Enverin” nuk kishte arritur “pikën e vlimit”. Sipas mendimit tim ato kohë “monumenti nuk kërkon bukë”. Tani kuptoj mentalitetin që krijon varfëria dhe shtypja. Isha dëshmitar i një akti historik, por jo “sulmues në shesh”. Aty ishin vetëm ata që vetëm durimi i kishte mbajtur gjallë, shumica e të cilëve mbase “janë retushuar” si dikur fotot për shtyp tek “Zëri i popullit” ku merrnim klishetë për shtyp…
Kur ra monumenti i Enver Hoxhës, unë u drodha. Isha në tarracën e 15 katshit që sot duket si liliput, por ato kohë ishte “ kulmi i turizmit shqiptar”. Ne ishim shumë, që thjesht vështronim me ankth turmën që zbriti nga qyteti “Studenti”. Zhurma e rënies ishte një buçitje e frikshme. Ishte “tërmeti” i Tiranës. U drodha sepse mendova do kishte marrë edhe viktima… Kur pas ofshamës së “bustit përtokë”, nuk pati klithma apo të qara, por britma të gëzuara mes rrëzimtarëve, mu duk aksioni më perfekt i revoltës shqiptare. Ata që urrenin, me “urrejtje paqësore” triumfuan. Ata marshuan rrëmujshëm, por pathyer xhama duke çuar bustin “peshqesh” tek studentët në grevë urie…Ishte marshimi i paqtë dhe simbolik me mesazhe të fuqishme të asaj dekade që do të na ndryshonte të gjithëve. Atë ditë ishin përzierë lotët dhe habia, triumfi dhe frika, krenaria dhe rrëzimi, si një parathënie e madhe shqiptare. Ishte një mozaik politiko-shoqëror, ku kishin vërshuar të gjithë. Kishte triumfuar revolta e parë pa “kalendar partiak”. Asnjë pikë gjak nuk ra mbi monumentin që mbante peng ëndrrat tona.
20 Shkurti 1991, sipas gjykimit tim “përmbysi” kurbën e zhvillimeve historike të shoqërisë shqiptare. Kjo ditë u bë një “referencë kombëtare” që nuk duhet lejuar të grabitet nga asnjë “Monument tjetër”. Unë mendoj se kjo datë i përket historisë dhe vetëm shqiptarëve, askujt tjetër.
Për 35 vite është abuzuar me revoltën më spektakulare shqiptare. Është harruar se “revolta filloi në ILB”…. Si çdo gjë e grabitur, tani “grabitqarët politikë” duan të “privatizojnë” historinë që e jetuam dhe e dëshmojmë së bashku duke e deformuar atë si “shpirti rakitik”.
20 Shkurti 1991- u përket vetëm shqiptarëve dhe askujt tjetër. Është histori e revoltës e protestës pa armë, pa krisma fishekzjarrësh dhe “bomba artizanale”, pa “pikla gjaku”, por vetëm me lotë gëzimi dhe lotë dhimbje. Secila palë kishte të drejtën e vet. Të mos e përdhosim historinë që ende e dëshmojmë për një “monument tjetër”…
20 Shkurt 2026 mbase mund të jetë “Dita e Lutjes Kombëtare”: Kurrë më si dje! Grumbullimi mund të fillojë tek Amfiteatri Historik në ILB ( Sot Universiteti Bujqësor) duke përfunduar tek sheshi ku ra monumenti. Një marshim i paqtë, në shërbim të progresit dhe ndryshimit. Historia dhe e vërteta duhet nderuar me përpikëri. Çdo protestë nën “dritare qeveritare” është thjesht një iluzion e premtim bosh. Le të kujtojmë: përmbysja e madhe nuk erdhi kurrë me protesta para ndërtesave qeveritare, por nga “përmbysja” brenda çdo shqiptari. Këtë mund ta bëjë vetëm e vërteta, ajo dhe vetëm ajo e kurrë “kostumet në pritje”…
Më 20 Shkurt 2026, marshimi mbase mund të fillojë nga teatri veror në ILB drejt Sheshit “Skënderbe” ku ra monumenti, me një britmë kombëtare: “Kurrë më monumente mashtruesish”…

Minneapolis, 15 Shkurt 2026

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button