Ekonomia

200 vjetori i themeluesit të koncernit Siemens

Koncerni Siemens po feston 200-vjetorin e themeluesit të tij me një sërë aktivitetesh.

Ditëlindja e tij është saktësisht më 13 dhjetor, por kancelarja gjermane Angela Merkel dhe të ftuar të tjerë e festuan atë tashmë në Berlin. 200 vjet më parë lindi Enst Werner Siemens dhe koncerni Siemens po e feston këtë përvjetor me një sërë aktivitetesh.

Drejtori ekzekutiv i koncernit Joe Kaeser nuk ka pse të druhet prej krahasimit të koncernit Siemens me firmat e suksesshme start-up në Silicon Valley. Edhe koncerni Siemes bazohet në frymën prej pionieri dhe shpikësi dhe fillimet e tij i ka në një atelie pune në oborrin e një shtëpie në Berlinit. Aty Werner von Siemens hodhi së bashku me një shok gurin e themelit të koncernit që ka sot 348 000 punonjës në të gjithë botën.

Fillim jo i lehtë

Për shkak të falimentit ekonomik të të atit, Enst Werner Siemens nuk pati mundësi të studionte. Por i riu ambicioz e përdori kohën që ishte ushtar në ushtrinë prusiane për të marrë pjesë në kurse shkencore dhe teknike, që i dhanë bazën për të punuar në fushën asokohe ende të re të elektroteknikës. Ai diti që fillim që ta kombinonte talentin shkencor dhe me dhuntitë sipërmarrëse. “Ai ishte shumë praktik dhe i orientuar drejt tregut,” thotë historiani Johannes Baehr që ka shkruar një biografi të Siemensit.

Për shkak se ushtria ishte e interesuar në atë kohë për një mjet të shpejtë dhe të sigurt për transmetimin e mesazheve, ai shpiku në vitin 1846/47 aparatin e telegrameve akrep dhe themeloi në të njëjtin vit “Firmën për prodhimin e telegrafëve Siemens & Halske” së bashku me mekanikun Johann Georg Halske.Po ashtu ai krijoi edhe tramvajin e parë elektrik në Lichterfelde.

Globalizues i hershëm

Tepër shpejt firma e re Siemens & Halske hapi filiale jashtë Gjermanisë, p.sh. në Rusi. Ato u pasuan nga shpikje të reja në fushën e elektricitetit dhe të teknikës energjetike. Këto bëjnë ende pjesë në veprimtarinë e koncernit. Por tani sipërmarrja Siemens gjendet si e gjithë bota para sfidës së digjitalizimit dhe të automatizimit.

Për këtë koncerni ka vënë në dispozicion një miliardë euro për njësinë e inovacioneve Next47. Në këtë njësi pritet të zhvillohen ide për prodhime të reja inovative sipas shembullit të krijuesit të firmës Werner Siemens. Projekti i parë i Next47 është një motor hibrido-elektrik për avionë, për të cilin Siemensi po punon me koncernin Airbus dhe që pritet ta testojë në vitin 2020.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button