“21 janari”, Tahiri: Krimi shtetëror ka mbetur i pandëshkuar
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka deklaruar për mediat se drejtësia për “21 janarin” nuk është vendosur.
“Është një nga çështjet themelore ku dallohen shumë qartë të paktën dy gjëra. E para, krimi shtetëror që ka mbetur i pandëshkuar. E dyta, nevoja për të reformuar sistemin e drejtësisë, duke filluar më së pari me ata gjyqtarë që kanë sanksionuar një krim të dytë lidhur me ata që u vranë në 21 janar”, tha Tahiri.
“Qeveria para pak ditësh në mbledhjen e fundit mori një vendim për dëmshpërblimin e të gjithë vendimeve gjyqësore. Dua t’ju bëj me dije këtu që, ka qenë një vendim në pritje deri kur të mbaronin të gjitha procedurat gjyqësore për secilën prej familjeve. Procesi gjyqësor i fundit mbaroi në 12 janar. Dhe është kjo arsyeja pse në mbledhjen më të parë pas datës 12 janar ne morëm vendim për dëmshpërblimin e plotë të të gjitha vendimeve gjyqësore. Kjo nuk bën drejtësi. Kjo lehtëson dhimbjen e familjeve që kanë humbur familjarin e tyre të vrarë nga shteti në 21 janar. Ndërkohë ne kemi marrë masa që kjo të mos përsëritet më. Pra 21 janari të mos përsëritet më. Kemi miratuar një ligj për armët dhe përdorimin e armëve ku sanksionohet kur ndodh që shteti përdor armët kundër qytetarëve. Kemi miratuar një kuadër ligjor të plotë lidhur me sjelljen e institucioneve kryesisht Policia, Garda e Republikës në raport me qytetarin. Ka qenë angazhimi ynë i hershëm, shkrirja e Gardës së Republikës dhe është një ligj që miratohet shumë shpejt në Parlament lidhur me transformimin e Gardës, nga një trupë ushtarake në një trup policore që do i përgjigjet rregullave dhe normave standardeve të sjelljes së punonjësve me qytetarin. Pra kemi marrë një sërë masash që garantojnë që ‘’21 janar’’ të mos ketë më Shqipëria. Ciladoqoftë opozita që proteston para qeverisë, cilido qoftë motivi pse protestohet përpara qeverisë”, shtoi ministri.
Tahiri nënvizoi se “Reforma në Drejtësi zgjidh një herë e mirë mundësinë që shteti nëpërmjet gjyqtarëve të korruptuar të vrasë për herë të dytë, si ka ndodhur për fat të keq me familjet e “21 janarit”, që ende sot nuk kanë drejtësi”.
“Sot, ata që vranë në 21 janar nuk janë dënuar. Ata që fshinë kamerat në 21 janar nga Kryeministria, nuk janë dënuar. Ata që dhanë urdhër për të vrarë, nuk janë dënuar. Dhe keni pasur së fundi edhe deklarata publike nga ish-kryeministri, i cili ka marrë përsipër urdhër-dhënien për vrasjet në 21 janar, madje ka kërcënuar se po të vijonte akoma më shumë do vriste. Ajo që është e rëndësishme është që ne të kuptojmë bashkërisht që kemi një borxh të trashëguar dhe ende të pashlyer lidhur me ata që u vranë nga shteti në 21 janar. Kemi një borxh të dyfishtë për të vendosur përpara përgjegjësisë penale dhe për të marrë dënimin e merituar ata që dhanë urdhër dhe ekzekutuan urdhrin për të vrarë në 21 janar. Dhe nga ana tjetër për të nxjerr përpara përgjegjësisë gjyqtarët që kryhen një krim të dytë me urdhër të po atyre që dhanë urdhër për të ekzekutuar, duke mos dënuar ekzekutuesit në 21 janar. Dhe nuk është habi për mua që pikërisht ata që dalin sot dhe flasin kundër Reformës në Drejtësi, ata që prononcohen kundër Vetting-ut, ata që prononcohen në emër me demek të shoqatave të gjyqtarëve, kundër Reformës në Drejtësi, janë pikërisht ata që kanë dhënë vendime në 21 janar. Kjo është e papranueshme për ne, por është një motiv më shumë për të shtyrë përpara Reformën në Drejtësi. Ne jemi angazhuar që drejtësia për “21 janarin” të bëhet”, deklaroi më tej Tahiri.